MENU
klinika

Presidenti i Parë i SHBA-ve

Sekretet e jetës së Xhorxh Uashingtoni. Si krijoi historinë?

16.02.2019 - 13:49

Xhorxh Uashingtoni kujtohet si një figurë e ashpër dhe e vetmuar, megjithëse kishte edhe ai dobësitë dhe mendjemadhësitë e veta. Lindi më  22 shkurt 1732, në Wakefield, Virxhinia. Prindërit e tij, Augustine Washington dhe Mary Ball, ishin me origjinë angleze dhe bënin pjesë në shoqërinë e lartë të Virxhinias. Që në moshë të re mësoi topografinë dhe mori pjesë në hartografinë e luginës  Shenandoah, në Virxhinia.

Në vitin 1754, Xhorxh  Uashington hyri me gradën e komandantit në milicinë e Virxhinias, ku dhe ndërtoi një seri fortifikatash në kufirin perëndimor. Asokohe, lugina e Ohajos ishte arenë rivalitetesh ndërmjet anglezëve dhe francezëve, si rrjedhojë guvernatori e dërgoi të dëbonte këta të fundit. Përballur me kundërshtimin e francezëve, në 3 korrik Uashingtoni kapitullon dhe negocion kthimin e tij në Virxhinia, duke i lënë francezët të zotët e luginës.

Në vitin 1774, Uashingtoni ishte një nga njerëzit më të pasur të kolonisë. U zgjodh delegat i Virxhinias në Kongresin e Parë Kontinental, më pas vitin e ardhshëm në Kongresin e Dytë. Ai mbështeste kauzën e pavarësisë së kolonive, por e përdori në mënyrë aktive veçse në vitet  1776, pasi kishte lexuar “Sensi i përbashkët” i Thomas Paine.

Xhorxh Uashington, 43 vjeç, me flokë dhe fytyrë të bardhë, me shpatulla të gjera, i lartë 1 metër e 88, që peshonte 90 kile, me këmbë gjithë muskuj si të një kalorësi, me sy zhirus bojëqielli dhe me pamjen autoritare të një shefi, si autokton i Virxhinias ishte politikisht i përshtatshëm, ishte shtet në komandën e trupave dhe, për më shumë, kishte pamjen e një gjenerali. Shaluar mbi një at të bardhë luftimi, veshur me uniformë, kishte marrë pamjen e një vizioni që rrallë harrohet. Për më tepër, Kongresi mbeti veçanërisht i habitur nga qetësia e mirëkuptimit, nga shkathtësia në pritje të çastit të duhur, nga aftësia për vendimmarrje.

Më 15 qershor 1775, me propozimin e John Adams, Kongresi Kontinental e zgjodhi unanimisht Shef të Shtatmadhorisë së Ushtrisë Kontinentale. Gjatë vitit 1776, Uashingtoni fitoi Bostonin, që zotërohej nga trupat e gjeneralit britanik  William Howe, i detyruar të tërhiqej deri në Halifax, Kanada. Më pas, marshoi drejt Nju Jorkut për t’u përgatitur për kundërofensivën britanike.  Lodhja e Uashingtonit filloi të shfaqej dukshëm, duke humbur betejën e Long Island, por arriti të shpëtojë forcat e tij duke u tërhequr nëpërmjet  Nju Xhersit. Më 20 dhjetor 1776, Uashingtoni i shkruante Kongresit: “Po vazhduam edhe dhjetë ditë, ushtrisë sonë i vjen fundi …” . Në këtë pikë Uashingtoni rrezikoi gjithçka. Pesë ditë më vonë, natën e Krishtlindjeve të vitit 1776, së bashku me trupat përshkuan lumin Delaware për të sulmuar mercenarët gjermanë të Assia-s  në shërbim të anglezëve me stacionim në Trenton (Nju Xhersi). Fitoret e tij filluan të ngrenë moralin e kolonëve pro-pavarësisë. Amerika ishte e ngazëllyer, revolucioni shpëtoi. Ishte një  luftë e madhe me shtrirje nga Xhorxhia  në Kebek në Nju Jorku në Misisipi. Në fund, u angazhua edhe flota angleze dhe ajo franceze. U zhvilluan shumë beteja të përgjakshme.  Gjatë gjithë kësaj kohe, përgjegjësia e Uashingtonit filloi të vihej në dyshim. Shumë anëtarë të Kongresit e akuzonin me forcë se po i impononte vendit një tirani ushtarake më e keqe se ajo angleze. Gjatë gjithë revolucionit Uashingtoni qe burim shprese për ushtrinë e tij, me gjithë vështirësitë e rekrutimit dhe të pajisjeve, duke gozhduar trupat britanike në qendër të vendit ndërkohë, që gjeneralët Horatio Gates dhe  Benedict Arnold fituan betejën e Saratoga në vitin 1777, ky ishte edhe ndryshimi i fatit të luftës.

Në pritje për t’u larguar nga ushtria Uashington shkruan:  “Meqenëse nuk mund të kërkoj shpërblim për vete, nëse do ketë nga ata fatlumë që do të mbështesin miratimin e bashkatdhetarëve të mi, do të isha i lumtur. U mbetet atyre të plotësojnë dëshirat e mia, duke përvetësuar një linjë veprimi, që t’i sigurojë për të ardhmen famë, qetësi dhe lavdi kësaj perandorie të madhe”.

Më 3 shtator të vitit 1783, britanikët pranuan pavarësinë e Shteteve të Bashkuara vendosur nga  Traktati i Versajës. Gjenerali Uashington  jep dorëheqjen nga Shefi i Shtabit të ushtrive në Kongresin që u mblodh në 23 dhjetor 1783 në Marilend. Më mars 1789 hyn në fuqi Kushtetuta, e cila është kushtetuta më e vjetër që vazhdon të përdoret ende.

Nuk  mund të kishte zgjedhje tjetër si Presidenti i Parë i Shteteve të Bashkuara. Xhorxh Uashingtoni nuk kishte një emër të ndërmjetëm. Gjatë tetë viteve qeverisje, Uashingtoni nuk i shtrëngoi dorën asnjë njeriu, i përmbahej faktit se një gjest i tillë familjar nuk ishte i denjë për presidencën, përkundrazi parapëlqente të përkulej lehtë. Vishej me rroba të kushtueshme dhe shëtiste me një karrocë me gjashtë kuaj dhe ndjehej njësoj më këdo mbret të tokës. Në fund të mandatit të  tij, në mars 1797,  Uashington i lumtur u tërhoq në  Mount Vernon. Dy vjet më vonë sëmuret dhe vdes më 14 dhjetor 1799.  Sot, mjekët mendojnë se vdiq nga një infeksion i grykës dhe se trajtimi që bëri, një gjakrrjedhje, e çoi drejt shokut, asfiksi dhe dehidratim. Prehet  në varrezat familjare të  Mount Vernon.