MENU
klinika

Përplasjet institucionale

SHBA, Kongresi do të votojë për të bllokuar “emergjencën”

26.02.2019 - 19:22

Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve do të votojnë një rezolutë mbi përplasjet institucionale mes Kongresit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, për ndërtimin e murit në kufirin jugor me Meksikën.

Rezoluta pritet të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve, që kontrollohet nga demokratët, mirëpo fati i saj është i paqartë në Senatin amerikan, shumicën e të cilit e përbëjnë republikanët.

Rezoluta ka për qëllim ndaljen e “emergjencës kombëtare” të shpallur nga presidenti Donald Trump, të cilën e vendosi në fillim të këtij muaji, si përpjekje për të shtyrë përpara planet e tij për ndërtimin e murit përgjatë kufirit me Meksikën.

Ekspertët ligjorë thonë se deklarimi i emergjencës kombëtare nga ana e presidentit Trump mund të minojë fuqinë e Kongresit për ndarjen e buxhetit të garantuar me Kushtetutë. Sipas tyre, ky veprim mund të përbëjë një precedent.

Përpara votimit, disa ish-zyrtarë republikanë u bashkuan me dhjetëra ish-zyrtarë të tjerë të Sigurisë Kombëtare në nënshkrimin e një letre të hapur, duke thënë se nuk kishte “bazë faktike” që presidenti Trump të anashkalojë Kongresin për të ndërtuar murin në kufirin me Meksikën.

Transferimi i fondeve do të “minojë sigurinë kombëtare të SHBA-ve dhe interesat e politikës së jashtme”, thuhet në letrën e 58 ish-zyrtarëve.

Shpallja e emergjencës kombëtare i mundëson presidentit Trump të transferojë fonde nga linjat e tjera buxhetore për ndërtimin e murit. Në një letër tjetër, 23 ish-ligjvënës republikanë iu kërkuan anëtarëve aktualë të Kongresit që të votonin rezolutën e demokratëve. Nëse rezoluta kalon, presidenti Trump ka thënë se do të vendosë veton. Kongresi do të duhet të mbledhë dy të tretat e votave të ligjvënësve për të anashkaluar veton.