MENU
klinika

Opinion

Shpirti i kapitalizmit dhe kriza e besimit

10.02.2019 - 12:18

Nga Irena Beqiraj

Nga 2018 shënoi 50 vjetorin e artë të parasë letër . 50 vjet më parë në vitin 1968, Kongresi Amerikan miratoi Ligjin që i lejonte FED të ementonte para, pavarësisht rezervave të Arit.

Në këtë mënyrë Standarti i Arit u braktis . Me braktisjen e këtij sistemi monetar, i cili bazonte sasinë e parasë së hedhur në qarkullim në rezervën e Arit, u braktisën edhe kufizimet në nivelin e kreditimit. Ekonomia botërore hyri në një epokë të re që shumë ekonomistë e quajnë “Kreditizmi”
Shpirti i kapitalizmit të ri global u bë kredia. Nga viti 1968 deri në vitin 2017, baza monetare amerikane u zgjerua 53 herë, nga 66 miliardë dollarë në 3.5 trilionë dollarë; ndërsa kredia totale në Shtetet e Bashkuara u rrit 48 herë, nga $ 1.4 trilion në 68 trilionë dollarë.
Baza monetare e kombinuar e 20 vendeve më të mëdha u rrit 23 herë midis viteve 1985 dhe 2017, nga 800 miliardë në 18,4 trilionë dollarë. Thuajse në çdo vend raporti i totalit të kredisë ndaj PBB-rritej çdo vit , pasi rritja e kredisë tejkalonte rritjen ekonomike.

 

Kapitalizmi tradicional ushqehej nga investimet, kursimet, ri-investimi dhe akumulimi i kapitalit . Rritja ekonomike në këtë model ishte graduale, edhe e ngadaltë. Ndërkohë që ethet e “rritjes më të shpejta ekonomike “ kishin përfshirë gjithë njerëzimin . Rritja ekonomike, sipas Hararit ishte Perëndia Supreme pasi drejtësia, liria, madje dhe lumturia varej nga rritja ekonomike.
Kredia ishte mjeti magjik i cili u bë nxitësi i rritjes ekonomike në nivel global. Kredia shërbente si lubrifikat i akumulimit të shpejtë edhe nxitjes së konsumit. Sistemi i kreditit dhe i huadhënies nuk ishte edhe nuk është një ingredient i shtuar për kapitalizmin modern nga e cili mund të hiqet dorë lehtësisht. Në fakt, është “mekanizmi bazë”që i ka lejuar sistemit të sotëm ekonomik, të zgjerohet përtej kufijve të tij , por edhe ka kontribuar në paqëndrueshmërinë e tij në 50 vjet.

Kjo është arsyeja përse ekspertët e ekonomisë janë të shqetësuar për uljen e nivelit të kreditimit në Shqipëri duke e renditur atë si kërcënuesin numër një të rritjes ekonomike të ardhshme. Ndërkohë vlen të thuhet që pas krizës financiare të 2008 “shpirti i kapitalizmit global” ka kaluar 10 vite të vështira me luhatje të qenësishme. Megjithë masat e marra nga Bankat Qendrore për çlirimin “ shpirtit të pazëvendësueshëm zhvillues “ si e vetmja mundësi për t’i shpëtuar recensionit , paqëndrueshmëria në nivelin e kreditimit po tregon edhe një herë që ekonomia më shumë se shkencë e politikave , modeleve , grafikëve dhe korelacioneve matematikore por është shkencë e sjelljes. Kreditimi mbështetet në besimin se paratë e dhëna borxh do të paguhen në të ardhmen. Si e tillë besimi tek e ardhmja është burimi më i rëndësishëm ekonomik në kohët moderne . Si karakteristikë e sjelljes humane besimi robërohet lehtësisht nga irracionaliteti duke çuar shpesh aktorët ekonomik dhe politik në besim të verbër ose në mungesë totale besimi.
Ekonomisti Arthur Pigou qartësisht na ka këshilluar se “besimi i verbër është një gabim që vdes në krizë. Duke vdekur i jep jetë një tjetër gabimi, pesimizmit, veçse ky gabim i ri nuk lind si fëmijë por si gjigant” .

Debati ndër nesh sot përqendrohet tek fakti, nëse ulja e kreditimit është nxitur sepse gjiganti pesimizëm ka pushtuar kërkuesit e kredisë apo nga hija e tij nuk po dalin dot ofruesit e kredisë? Pra po vuajmë nga kërkesa e dobët nga ana e firmave apo nga shtrëngimi i kushteve të kreditit apo uljes së ofertës nga ana e bankave ?
Në këndvështrimin tim një faktor bazë që ka ndikuar në luhatshmërinë e kreditimit është ngushtimi i ofertës së kredisë nga ana e bankave. Besimi i tepruar gjatë viteve të mira ekonomike rriti optimizmin duke i çuar firmat dhe bankat të kërkonin fitime të larta duke marrë më shumë rrezik financiar përsipër. Bankat i dhanë hua kujtdo, duke mos u bazuar në analiza të kujdesshme të riskut dhe në cilësinë e kolateralit. Kjo çoi në një cilësi të ulët të portofolit të kredive ku 25% rezultuan të ishin kredi të këqija.

Së dyti , bankat në Shqipëri operojnë në një sistem juridik të dobët ku e drejta e pronës nuk është e garantuar. Bankat u gjendën në vështirësi të qenësishme në ekzekutimin e kolateralit.
Së treti , edhe pse Banka Qendrore uli normën e interesit, janë shtrënguar kushtet që duhet të plotësojë bizneset për tu kredituar nga bankat. Ndërkohë që shtimi i masave rregullative ndaj bankave për mbulimin e risqeve kanë dobësuar mekanizmin e transmetimit të politikës monetare duke dobësuar edhe efektet e saj në ekonomi .


Se katërti fatkeqësisht bankat nuk kanë hequr dorë nga qasja ose parimi thuajse unik: “Një masë për të gjithë” (one size fits all). Në ekonominë e pas krizës kjo qasje çon në përjashtimin “en masse” të bizneseve nga portofoli i huadhënies. Në bazë të këtij parimi para 2013 disa sektorë siç ishte ai i ndërtimit u vendosën në “hollin e suksesit”, ndërkohë që tashmë pas krizës, për pjesën dërmuese të bankave, këto sektorë nuk janë më “të pëlqyeshëm”. Sot më shumë se kurrë bankat duhet t’i vendosin marrëdhëniet e huadhënies me biznesin në parimet themelore të përzgjedhjes së huamarrësve. Bankat duhet të heqin dorë nga trajtimi apo /qëndrimet “në grup” që vërtetohet katërcipërisht nga kushtet thuajse të njëjta të huas, produktet e ngjashme që ofrohen , dhe seti i kërkesave që duhet të përmbushë aplikanti, biles edhe përjashtime të sektorëve nga huamarrja.

Sektori i bankar është sot burimi i vetëm zyrtar i huadhënies për bizneset shqiptarë që nga struktura e tyre janë kryesisht ndërmarrje të vogla. Në këto kushte çdo kufizim që mund të vij nga ana e sektorit bankar kufizon rritjen e kompanive duke shumëzuar kështu pesimizmin e biznesit i cili e ka të vështirë të gjej një partner zyrtar serioz në aktivitetin e tij.
Në kushtet e mungesës së ndërmjetësve të tjerë financiarë, një ulje e furnizimit me kredi nga bankat, ndikon menjëherë marrëdhëniet blerës-furnizues, duke kufizuar apo ngushtuar kanalet e shpërndarjes nga furnitori tek konsumatori. Ulja e kredisë bankare ndikon drejt për së drejti në kredinë tregtare . Furnizuesit e prekur nga mos kreditimi kanë tkurrur kredinë tregtare të ofruar nga firmat e tyre për klientët. Kjo shkakton ulje të kërkesës për prodhimet/ produktet apo shërbimet e tyre rrjedhimisht ulje të sasitë e prodhimit dhe rritje të çmimeve.

Suksesi ngjall mospërfillje apo nënvlerësim të dështimit të mundshëm. Duke harruar për një çast që dështimi është një mundësi potenciale, u zhvillua një vendimmarrje euforike. Ndërkohë mbas krizës, sjellja në grup, mungesa e tepruar e besimit e ngritur mbi shembuj të limituar si dhe shtrembërimi i informacionit si rezultat i perceptimit, ka paralizuar kredinë.
Shpirti kapitalizmit ka rënë në kllapat irracionale të krizës së besimit. Kapitalizmin e kredisë, nuk mund ta kuptojë apo shpëtojë askush tjetër veç kapitalistit që ofron kredinë. Kush më shumë se bankat mund ta kuptojë koston e krizës së besimit? Ndërtesat e tyre jo pa qëllim i ndërtuan madhështore me forma arkitekturore të guximshme, me shtylla mermeri dhe zbukurime mahnitëse , pasi donin të proklamonin fuqinë soliditetin, dhe besueshmërisë .
Duhet kthyer besimin racional tek ekonomia jonë e cila edhe pse e vogël ofron potenciale për çdo investitor apo bankier mendje hapur të cili është i gatshëm të lërë jashtë psikologjinë e grupit./gazetasi.al