MENU
klinika

Detajet

Spiropali me familjen e të miturës në Kavajë, flet babai

08.02.2019 - 18:55

Kryeministri Edi Rama ka publikuar takimin e ministres Elisa Spiropali me familjen e vajzës së mitur në Kavajë që ra pre e përdhunimit nga disa djem të tjerë po minorenë.

Babai i 13-vjeçares ka folur për rastin dhe tha se vajza ka marrë trajtim nga psikologët dhe se do i qëndrojë vajzës pranë. Por ai i ka bërë apel mediave të mos flasin më për vajzën e tij dhe ai të ketë mundësi të përballojë ngjarjen i vetëm dhe me njerëzit e tij.

Nga ana e saj Ministrja për marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali tha se me porosi të kryeministrit vajza do mbështetet për shkollimin kudo që të dëshirojë të vazhdojë studimet.

Spiropali: Në fakt unë erdha sepse ti i pari erdhe në zyrën time dhe unë të falënderoj nga zemra që e pate guximin dhe u tregove aq fisnik dhe tregove për situatën se si po e përballoni familjarisht.

Babai: kjo që më ndodhi mua ju uroj të gjithë shqiptarëve që të mos i ndodhë asnjëri por të jetë një mësim jashtëzakonisht i veçantë për të gjithë prindërit të këshillojnë fëmijët si djemtë dhe vajzat. Falënderim të veçantë për agjencinë shtetërore për mbrojtjen e fëmijëve sepse kanë mbështetur në takimet me psikologët, vajza ka marrë kontakt me psikologët po kështu me ndihmën e madhe të ministrisë së Shëndetësisë. Si vajza ime edhe si shumë të tjerë, ju uroj mbarësi në jetë sepse kam një vajzë inteligjente, kam një vajzë me nota shumë të mira, kam një vajzë që ka një kurajë që nuk mund ta përshkruaj dhe unë si prind.

Spiropali: Kjo që the është shumë prekëse, një baba që i qëndron vajzës së tij deri në fund dhe është mesazh për të gjithë prindërit. Është dhe për ato mesazhe që jepen në ekrane që në vend të jenë edukuese janë rrënuese. Ua them me shpirt që këtu në këtë shtëpi dhe me fisnikërinë që ju tregoni jeni shembull për të gjithë. Sepse shoqëritë e qytetëruara dallohen nga mënyra se si përballen me sfidat, si përballen me raste të tilla, si e trajtojnë dinjitetin e njeriut, si i trajtojnë të miturit dhe ju po e trajtoni me fisnikërinë maksimale.

Babai: Nëse do më lejoni iu bëj thirrje mediave në qoftë se jam plagosur një herë ju lutem mos më plagosni për së dyti. Unë kam mbyllur çdo ekran televizori, çdo ekran Facebook-u. Prandaj iu lutem me shpirt të gjithë mediave, keni fëmijë vetë mos iu raftë ky rast kurrë asnjërit por do t’ju lutem mbylleni njëherë e përgjithmonë këtë problem. Më lejoni ta përballoj me forcat e mia dhe me njerëzit e mi që më kanë mbështetur dhe do më mbështesin deri në fund. Ju falënderoj për mirëkuptimin. Mos e paçi këtë risk kurrë, asnjë o Zot. Kjo që më ndodhi mua të jetë e para dhe e fundit në Republikën e Shqipërisë.

Gjyshi: Dhe unë gjithashtu duke dëgjuar nëpër media çdo lloj komunikimi që do të thotë se kanë rënë edhe politika dhe media në nivelin e një foshnje. Se kuptoj pse vazhdojnë me tragjedinë e mbesës sime. Prandaj i bëj thirrje të gjitha mediave, gjithë politikës që të mos merren me një foshnje por të shikojnë detyrat e tyre.
Spiropali: Ne duam ta ndihmojmë deri në fund dhe e kam porosi këtë nga kryeministri që nëse vajza do të dojë të ndjekë shkollë këtu apo në kolegj apo do të shkojë jashtë kudo që të jetë ne do ta ndjekim për t’i siguruar bursë dhe mbështetje që ajo të zhvillojë potencialin e saj e pandikuar nga kjo ngjarje dhe jam e sigurt se ajo do shkëlqejë.