Ditën e djeshme, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, tentoi të zhvillonte një takim me studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.
Ndonëse mbledhja u braktis nga ministrja për shkak se studentët kërkuan me domosdoshmëri praninë e mediave, këta të fundit, në orët e vona të mbrëmjeszhvilluan një tjetët takim me një grup pedagogësh të Universitetit.
Por përpara nisjes së takimi, nuk munguan debatet dhe përplasjet me rojet private të Rektoratit që me urdhër të rektorit Adem Bekteshi tentuan fillimisht të ndalojnë pedagogët, e më pas mediat.
Situata precipitoi në momente të caktuara dhe në fund u arrit hyrja e medias, që për herë të parë pa nga afër kushtet në të cilat gjenden studentët e ngujuar të Shkodrës.
Në katin e tretë të Rektoratit, brenda auditoreve kanë improvizuar me banka dhe karrige, vendin e fjetjes dhe të qëndrimit.
Në tryeza shihen pak ushqime, pije, medikamentet për të sëmurët dhe batanijet me të cilat sfidojnë të ftohtin gjatë natës.
Bashkëbisedimi me pedagogët në fokus kishte hapat që do të ndjekin studentet e ngujuar, të cilët u shprehen të vendosur të mos lejojnë fillimin e mësimit me 4 shkurt siç është paralajmëruar, pa u plotësuar kërkesat.
Ata hodhën poshtë edhe akuzat se protesta e tyre ka prapavijë politike.
Studentët e Universitetit të Shkodrës vazhdojnë ngujimin.
Ata shprehen se po qëndrojnë në temperatura të ftohta dhe mbulohen me batanije që kanë marrë nga shtëpia.
Pavarësisht kushteve të vështira, thonë se nuk kanë ndërmend të heqin dorë. Ndërsa kanë edhe një mesazh për studentët e tjerë që kanë kërkuar vazhdimin e mësimit.
Niveli i arsimit dhe pamundësia e gjetjes së një vendi pune pas mbarimit të studimeve universitare ishin shqetësimi i ngritur nga studentë të Shkodrës gjatë një bashkëbisedimi me pedagogët.
Zhgënjimi i studentëve me klasën politike është i dukshëm, aq sa edhe bindja që ky vend nuk bëhet.
Kjo u duk qartë edhe në diskutimin e studentëve të Shkodrës që vijojnë ngujimin me pedagogë të Universitetit.
E megjithatë, një student i Juridikut ndan bindjen se fati i këtij vendi është në duar të të rinjve dhe intelektualëve.
Veç këtyre studentët kanë folur lidhur dhe me qëndrimin e rektorit në këtë situatë, për të cilin studentët japin paralajmërimin duke shtuar se as ai nuk e ka të gjatë në këtë sistem.