Mediat serbe raportuan se rojtarët e pyllit në zonën e fshatit Rastelicë në Kurshumli, dëgjuan të shtëna me armë nga territori i Kosovës.
Lidhur me këtë raportim, ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njofton se në policinë serbe nuk është raportuar asnjë sulm i personave të armatosur nga Kosova.
Sipas njoftimit të ministrisë serbe, në këtë zonë janë plaçkitur disa shtëpi në të cilat nuk banon askush.
“Duke pasur parasysh se në këto shtëpi nuk jeton askush, policia menjëherë i informoi pronarët. Më pas u gjet se janë vjedhur një pushkë gjahu, një sharrë elektrike dhe disa mjete të ndryshme” thuhet në njoftimin e ministrisë.
Zyra e prokurorisë kompetente është informuar nga ana e policisë dhe po merr masa dhe veprime për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes, thuhet në njoftim.