MENU
klinika

“Të mirësjellshmit”, shumë i pëlqyer

Teatri i Metropolit për fëmijët

24.02.2019 - 17:19

Teatri i Metropolit këtë fundjavë i përkiste vetëm të vegjëlve. Me ritmet salsa, bluz, xhaz dhe suing, fëmijët performuan me sukses para moshatarëve të tyre, si edhe prindërve.

“Të mirësjellshmit”, grupi më i ri muzikor, që mblodhi disa artistë të rinj e të talentuar, ishin pothuaj për një orë në skenë.

Banda më e re muzikore në qytet “Të mirësjellshmit” e formuar nga disa artistë të rinj, performoi rreth një orë për fëmijët.

Nën shoqërinë e muzikantëve të “All in band”, këngëtarët, aktorët dhe balerinët kënduan e kërcyen këngë të kompozuara dhe shkruara nga vetë ata, për fëmijët. Mesazhet që përcjellin, janë një këndvështrim dhe shtysë për të rritur interesin e fëmijëve për muzikën.

Fëmijë nga publiku: “Është një shfaqje e mrekullueshme! Do të vij çdo të diel, në Teatrin e Metropolit”.

Amri Hasanlliu, vokalisti: “Është hera e parë në Shqipëri, besoj, që bëhet një shfaqje teatrore me të gjitha zhanret. “Të mirësjellshmit”, sepse të gjithë çunat duhet që të jenë të mirësjellshëm, që mos të kenë inate edhe xhelozi me njëri-tjetri. Tekstet kanë qenë për fëmijë dhe ne i kemi përshtatur. Mendoj se është një shfaqje, që fëmijët duhet të vijnë ta shohin çdo herë”.

Përmes muzikës, kërcimit apo aktrimit fëmijët mund të mësojnë të jenë më të dashur me familjen, më tolerantë dhe dashamirës me njëri-tjetrin. Mirësjellja, mirënjohja, apo komunikimi dhe bashkëveprimi me familjen dhe miqtë, janë temat që synojnë të edukojnë fëmijët përmes muzikës dhe kërcimit, në të tilla shfaqje interaktive.

Teksti dhe regjia e këtij muzikali për fëmijë është realizuar nga Elona Hyseni. Muzika nga “All in Band”, u këndua nga Amri Hasanlliu dhe Sara Koçi, ndërsa koreografia mban merin e Erdet Mirakës.

Me balerinët pjesëmarrës: Sara Koçi, Luisa Dinellari, Mario Bali, Stivi Osmanaj.