Në kujtim të veprës së albanologut Eric Pratt Hamp. Gjuhëtar me renome ndërkombëtare, studiues nga më të shquarit në fushën e gjuhësisë krahasimtare-historike, indoeuropeist, ballkanolog, keltolog, romanist-rumanist, armenist, sllavist, gjithsesi albanolog me kontakte shumë të hershme me botën shqiptare në Kosovë, në Malin e Zi, në Maqedoni, me botën arbëreshe në Itali dhe me botën arbërore në Greqi, me studiuesit dhe intelektualët e shquar në diasporë, pas viteve ’90 dhe në Shqipëri, me lidhje të forta të miqësisë intelektuale gjithandej nëpër Ballkan e në botë.
Nga Rexhep Ismajli
Në mëngjesin e hershëm sot, 18 shkurt 2019 nga profesor Victor Friedman nga Çikago morëm lajmin e hidhur për shuarjen e albanologut më të madh amerikan dhe njërit nga gjuhëtarët e shquar të botës në fushën e studimeve krahasuese. Lajmin e kishte transmetuar te profesor Friedman e bija e të ndjerit, Juli.
Eric Pratt Hamp ka lindur në nëntor 1920 në Londër, ndërsa nga 1925 jeton dhe vepron në SHBA. Pas studimeve të shkëlqyera të rregullta dhe doktorale në Harvard, kohën më të madhe punoi në Universitetin e Chicago-s, ku e përfundoi punën si profesor emeritus. Gjuhëtar me renome ndërkombëtare, studiues nga më të shquarit në fushën e gjuhësisë krahasimtare-historike, indoeuropeist, ballkanolog, keltolog, romanist-rumanist, armenist, sllavist, gjithsesi albanolog me kontakte shumë të hershme me botën shqiptare në Kosovë, në Malin e Zi, në Maqedoni, me botën arbëreshe në Itali dhe me botën arbërore në Greqi, me studiuesit dhe intelektualët e shquar në diasporë, pas viteve ’90 dhe në Shqipëri, me lidhje të forta të miqësisë intelektuale gjithandej nëpër Ballkan e në botë.
Eric Pratt Hamp është anëtar i shquar i një numri të madh institucionesh dhe asociacionesh të botës, ndër të cilat me këtë rast po veçojmë: Akademia Amerikane e Arteve dhe e Shkencave nga 1976, Shoqata Amerikane e Filozofisë, Akademia Mbretërore Daneze e Shkencave dhe e Arteve, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia Irlandeze, është shpallur doktor nderi i Unviersitetit Amherst, Universitetit të Uelsit, Universitetit të Kalabrisë, Universitetit të Delhit dhe Universitetit të Edinburgut. Më 2012, Posta Shqiptare e nderoi me një pullë të veçantë bashkë me Norbert Jokl dhe Holger Pedersen.
Për nder të tij janë bërë më shumë botime, dy për studimet ballkanike, një për gjuhësi të përgjithshme, një për gjuhët native të Amerikës, një për studimet indoeuropiane, një për studimet keltike dhe një për studimet shqiptare: Scritti in onore di Eric Pratt Hamp per il suo 90. compleanno, edited by Giovanni Belluscio and Antonio Mendicino of the University of Calabria and published in 2010 (ISBN 9 788874 581016). Ka qenë redaktor në shumë revista ndërkombëtare, ndërsa ka botuar studime gjithandej nëpër botë.
Eric Pratt Hamp ishte zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës qysh nga vitet ’90, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë më vonë, njihet për ndihmesat e tij shumë të çmuara për studimet shqiptare: njohës i të folmeve arbëreshe të Greqisë e të Italisë qysh në vitet ’50 të shekullit të kaluar, ai ka bërë një varg përshkrimesh për shumë pika nga këto të folme, ashtu si dhe për të folmen e Mandricës në Bullgari; vepra e tij e madhe për të folmen e Vakaricës e përfunduar në fillim të viteve ‘50, pati mundësi të botohej anglisht dhe italisht vetëm në vitet ’90 në Kalabri; studimet e tij të ndryshme albanisitke, në formë artikujsh të shkurtë por gjithnjë problematizuese dhe me shumë tematizime, sidomos sa i përket historisë së gjuhës të parë nga aspektet e krahasimit në rrafshin indoeuropian, në rrafshin ballkanik dhe në aspektet e tjera, janë të shpërndara nëpër organe dhe revista të gjithë botës. Vetëm bibliografia e botimeve të tij përfshin një vëllim jo të vogël dhe gjithandej në ato studime shqipja del diku, shpesh si preokupim i parë, herë të tjera në funksione të tjera të ndërtimit të argumentit, gjithnjë me ide dhe shkëndijime që të çojnë më tej në ndriçimin e rrugës së njohjes.
Në vitin 2007 në ASHAK patëm mundësinë të botonim një vëllim me studime të përzgjedhura të Eric P. Hampit në 440 faqe me një shtojcë 12 faqesh në gjuhën shqipe, me titullin “Studime krahasuese për shqipen”. Përzgjedhjen, përgatitjen dhe një pjesë të përkthimeve e kishim bërë vetë, ndërsa pjesën tjetër e përkthyen kolegët Bardh Rugova, Rrahman Paçarizi, Shkumbin Munishi, Gazmend Bërlajolli e Besnik Pllana. Në Prishitnë profesor Hamp ka ardhur vazhdimisht ndër vite, ka marrë pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ka mbajtur kontakte me kolegët në Kosovë, ka bashkëpunuar deri në shkallën sa të synonim projektin afatgjatë të studimeve kontrastive anglisht-shqip, për çka u nënshkrua marrëveshja midis Universitetit të Prishtinës dhe atij të Chicagos më 1980, por që nuk u vazhdua për shkak të rrethanave që patëm në Prishtinë pas vitit 1981. Gjatë gjithë atyre kohëve profesor Hampi ka qenë vrojtues shumë i vëmendshëm i zhvillimeve.
Në vitin 2010 Universiteti i Kalabrisë botoi vëllimin 430 faqesh me studime albanologjike me rastin e 90-vjetorit të lindjes së professor Eric P. Hampit, vëllim në të cilin pati prurje nga të gjitha anët. Kalabria dhe arbëreshët e Italisë, por edhe arbërorët e Greqisë në njëfarë mënyre ishin bërë atdheu i dytë i Profesor Hampit.
Profesor Hamp kishte diapazon shumë të gjerë të dijeve, pra edhe të kontakteve. Për punën dhe veprën e tij kanë shprehur miradije dhe respekt ekspertët në shumë anë të botës, pikë së pari në Amerikën e tij, pastaj në të gjitha vendet e Ballkanit dhe të Europës, po edhe në mjaft vende aziatike.
Zhvillimet në Kosovë dhe në botën shqiptare të viteve ’90 Eric Pratt Hampi i ndiqte me vëmendje. Merrte pjesë në veprimtaritë e ndryshme shkencore, ndonjëherë dhe kulturore, por syrit të tij nuk i shpëtonin as zhvillimet e tjera. Në kohët dramatike në Kosovën e pjesës së dytë të viteve ’90 ai rrinte në kontakt me kolegët në këto anë, për aq sa ishte e mundur, solidarizohej në mënyra të ndryshme me ta, por në të njëjtën kohë i ndiqte me vëmendje zhvillimet përmes rrugëve amerikane të informimit. Në kohën e Rambujesë, ai e kishte ndjerë të nevojshme të komunikonte dhe me levat e rëndësishme amerikane në Konferencë, duke shprehur mendimin e tij për disa aspekte sipas tij të rëndësishme për Kosovën në ato çaste.
Profesor Hamp i ka ndjekur me shumë vëmendje rrjedhat e 70 vjetëve të fundit në botën shqiptare, ka qenë gjithnjë në ndihmë të lëvizjeve për zhvillim e përparim, qoftë drejtpërdrejtë përmes bashkëpunimit, apo përmes nxitjes së studimeve albanologjike në SHBA, apo edhe të nxitjes për veprime në ndihmë tek autoritetet amerikane në kohët më të vështira.
Me shuarjen e profesor Eric Pratt Hamp-it familja dhe miqtë kanë humbur më të dashurin e tyre, ndërsa studimet albanistike kanë humbur një nga shtyllat e tyre më të mëdha ndërkombëtare, bota shkencore ka humbur studiuesin e shquar të fushave të gjuhësisë krahasimtare, keltologjia njërin nga studiuesit më të veçantë, ballkanistika në përgjithësi ka humbur njërin prej ideuesve gjithnjë të rinj, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës njçë nga anëtarët dhe mbështetësit e saj të shquar. U shprehim ngushëllimet më të përzemërta familjes, miqve dhe kolegëve gjithandej.
Ndër veprat e tij veçojmë: A Glossary of American Technical Linguistic Usage, 3d rev. ed., 1966; Vaccarizzo Albanese Phonology, 1993; Bashkautor: Language and Machines, 1966; Bashkeditor i Readings in Linguistics I & II, abridged ed., 1966; Languages and Areas: Studies presented to George V. Bobrinskoy, 1967; Themes in Linguistics: The 1970s, 1973; Hamp, Eric P., Martin Joos, Fred W. Householder, and Robert Austerlitz, editors Readings in Linguistics I & II. With a new Preface by Eric Hamp. Abridged edition. 302 p. 8½ × 11 1957, 1966, 1995; Hamp, Eric P. “Mabinogi.” Transactions of the Honourable Society of the Cymmrodorion . 1974-75. 243-49; Hamp, Eric. 1979. “Toward the history of Slavic scholarship,” Slovene Studies 1/2: 61-62; Hamp, Eric. 1988. “Indo-European o-grade deverbal thematics in Slovene,” Slovene Studies 10/1: 65-70; Hamp, Eric. 1989. “On the survival of Slovene o-grade deverbal thematics in Resian,” Slovene Studies 10/2: 171-173; Hamp, Eric. 1989. “Chronological marriage patterns in Resia,” Slovene Studies 10/2: 201-202; ; Hamp, Eric. 1996. “On the Indo-European origins of the retroflexes in Sanskrit.” The Journal of the American Oriental Society, October 21, 1996: 719-724; Hamp, Eric. 1999. “Mabinogi and Archaism” Celtica 23, 1999: 96-110; Hamp, Eric. 2007. “Studime krahasuese për shqipen” përgatitur nga Rexhep Ismajli Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë.