MENU
klinika

Tenderat drejt anulimit

“Unaza e Re”/ Kompanitë ndalojnë punimet

04.02.2019 - 15:33

Qeveria mund të anulojë tenderat edhe për dy lotet e tjera të “Unazës së re”, duke shfuqizuar kontratat me kompanitë fituese.
Vendimi, përflitet prej disa kohësh dhe mund të zyrtarizohet shumë shpejt.

Punimet për segmentin e unazës, nga “Pallati me shigjeta” deri te rrethrrotullimi i “Shqiponjës”, janë ndarë në 3 lote. Tenderi për lotin e parë parë u fitua nga kompania “DH Albania”, por ARRSH anuloi kontratën me këtë kompani pas shpërthimit të skandalit me falsifikimin e dokumenteve.

Segmenti u ritenderua, por Autoriteti Rrugor sërish nuk shpalli asnjë fitues dhe skualifikoi 6 ofertat pjesëmarrëse pasi nuk përmbushnin kriteret teknike.

Përsa i përket dy loteve të tjera, tenderat janë fituar nga “Salillari” dhe “Viktoria Invest”. Këto kompani nisën madje edhe punimet në terren, por prej disa javësh makineritë janë larguar të gjitha. Sipas burimeve, edhe këto dy tendera janë në prag anulimi, ndërkohë që projekti i segmentit nga “Pallati me shigjeta” deri te rrethrrotullimi i “Shqiponjës” do të ribëhet nga e para.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta të dielën e shkuar i kërkoi qeverisë publikisht që të anulojë komplet projektin për këtë segment dhe nuk dihet nëse presidenti kishte informacion paraprak se qeveria po e shqyrtonte ndërkohë anulimin e projektit.

Ndër të tjera, ndryshimi i projektit të shumëpërfolur të unazës, në segmentin nga “Pallati me shigjeta” deri te rrethrrotullimi duket i pashmangshëm.