Ditën e sotme Presidenti i Republikës, Ilir Meta, doli me një qëndrim publik lidhur me çështjen e ‘Unazës së Madhe’.
Meta tha se zgjidhja më e mirë dhe ajo përfundimtare është anullimi i projektit i cili paraqet shkelje të shumta ligjore.
Pas qëndrimit të mbajtur nga Presidenti reagoi dhe kryeministri Rama e më vonë kryebashkiaku Veliaj, të cilët e cilësuan argumentin e Metës të ngjashëm me atë të opozitës.
Por, nuk mbetet këtu, pasi sërish nga ana e Presidencës, vjen në tjetër reagim tashmë nga zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, i cili e ka quajtur përgjigjen e kryeministrit Rama aspak serioze në lidhje me qëndrimin e Presidentit për anulimin e projektit të Unazës së Madhe.
Në një status në Facebook, Blushi duke publikuar edhe njëherë shifrat e tenderimit për këtë projekt ngre disa pyetje për kryeministrin Rama.
Ragimi i plotë i Tedi Blushit:
“Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi pas reagimit aspak serioz të Kryeministrit lidhur me çështjen e projektit të “Unazës së Re” sqaron se:
Në procedurën e tenderimit :
Rehabilitimi i segmentit rrugor mbikalimi i Pallatit me Shigjeta – Rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja” – Loti 1 .
Vlera e fondit limit të tenderit të shpallur nga ARRSH për Lotin 1 ka qenë = 2 246 450 297 Lekë OSE 18 116 534 EURO
Vlera e kontratës së lidhur me kompaninë fiktive “DH Albania” = 2 246 450 000 Lekë ose 18 116 532 EURO
Sigurimi i Kontratës prej 10 % te vlerës së kontratës në shumën = 224 645 000 lekë të reja OSE 1 811 653 EURO
Sipas “dokrrave ligjore” që kanë përgatitur vartësit e tij, lindin disa pyetje për Kryeministrin :
-A ka kërkuar sipas rregullave të prokurimit publik qeveria dhe ARRSH konfiskimin e kësaj vlere (sigurimin e kontratës) për llogari të Shtetit Shqiptar, pasi u faktua se kontratën e kishin lidhur me një kompani fantazëm?
-A ka mundur shteti të garantojë interesin publik në këtë rast, duke konfiskuar sigurimin e kontratës, apo edhe ky dokument (sigurimi i kontratës) ka qenë i falsifikuar?!
Këto dhe shumë detyra të tjera, ligji ja ngarkon Kryeministrit dhe vartësve të tij që t’i bëjnë.
Shtëpia me tjegulla dhe shteti me rregulla, thotë populli ynë.”