MENU
klinika

Nga New York Times

Venezuela, tanimë një luftë globale për pushtet

06.02.2019 - 13:09

Qytetarët e Venezuelës janë bërë peng në një lojë të fuqive globale. Ata kanë nevojë për një zgjidhje paqësore dhe të shpejtë të krizës.

Tensionet në Venezuelë midis Nicolás Maduro dhe Juan Guaidó janë shndërruar në diçka shumë më të madhe se një garë për pushtet midis një udhëheqësi të dështuar, i mbështetur ende nga pjesë e ushtrisë dhe të majtëve, dhe një ligjvënësi të ri.

Pjesërisht për shkak të mbështetjes së administratës së Trump për ndryshimin e regjimit, kriza është bërë një luftë e rrezikshme globale për pushteti. Kjo është gjëja e fundit që kërkon Venezuela.

Nuk ka dyshim se presidenti Maduro duhet të largohet, sa më shpejt aq më mirë. Si trashëgimtar i sundimit socialist të Hugo Chavez, ai e ka shkatërruar vendin e pasur me naftë. Mungojnë ushqimet bazë dhe ilaçet, dhe më shumë se tre milionë njerëz kanë ikur nga vendi, duke shkaktuar krizat e refugjatëve në Kolumbi, Brazil dhe Ekuador.

Zgjidhja e vetme është një qeveri e përkohshme nën udhëheqjen e Guaidós. Kjo do të çonte në zgjedhje të reja presidenciale.

Papa Françesku tha të martën se ishte i gatshëm të ndihmonte të ndërmjetësonte konfliktin nëse të dy palët janë dakord. Ai tha se Maduro i kishte kërkuar të ndihmonte në nisjen e dialogut.

Me shpresën për një zgjidhje paqësore, shumë qeveri demokratike kanë mbështetur Guaidon. Dymbëdhjetë vende të Amerikës Latine, Organizata e Shteteve Amerikane, Kanadaja dhe shumë shtete anëtare të Bashkimit Europian deri më tani e kanë mbështetur atë. Përkrahësit kryesorë të Maduros janë Rusia, Kina, Irani, Kuba dhe Turqia.

Ashtu si në çdo luftë gjeopolitike, interesa të ndryshme janë në lojë.

Mundësia për një luftë përtej kufijve të Venezuelës, frikëson shumicën e liderëve të Amerikës Latine, si edhe Kanadanë dhe evropianët.

Grupi Lima, i cili bashkon Kanadanë dhe një numër vendesh të Amerikës Latine me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të padhunshme për krizën e Venezuelës, zhvilloi një takim urgjent në Otavë të hënën, në të cilin kundërshtoi në mënyrë të qartë çdo ndërhyrje ushtarake të huaj.

Kina po qëndron disi në heshtje, mbase me shpresën për të patur marrëdhënie të mira me Guaidon, nëse ai do të ketë pushtetin. Presidenti gjithnjë e më autoritar i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka mbështetur prej kohësh Maduron, duke e konsideruar si një shok kundër hegjemonisë perëndimore dhe sidomos asaj amerikane. Rusia ka qenë mbështetësi i tij më i fuqishëm, duke dhënë edhe miliarda ndihmë dhe armë për Maduron.

Është në interesin amerikan dhe perëndimor të çlirojë Venezuelën nga aleanca të tilla të padenja, nëpërmjet negociatave midis Guaidos dhe Maduros. Por qëllimi duhet të jetë që populli i Venezuelës të zgjedhë vetë lirisht qeverinë dhe të nisë rindërtimi i  ekonomisë së tyre, jo fitorja në një luftë ideologjike.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Apo kriza do të marrë fund?

Luftë së shpejti në Venezuelë?