Gjykata e Durrësit vendosi masë arrest me burg për Ndue Zefin, vrasësin e fqinjit në Durrës, ngjarje e ndodhur më 24 shkurt në zonën e ish-Kënetës.
Ndue Zefi u vetëdorëzua disa ditë më parë në policinë e Shkodrës. Ai vrau me armë automatike fqinjin e tij pas një debati mes tyre në një lokal.
I pajetë mbeti Martin Ndreca, i cili banonte në atë zonë dhe ishte në lokal me personin që e vrau pas një konflikti për motive të dobëta që nisi mes tyre.
Në polici, autori ka pranuar autorësinë e krimit, dhe ka treguar edhe vendndodhjen e armës me të cilën qëlloi fqinjin.
Si ndodhi vrasja
Viktima dhe autori i ngjarjes kanë qenë duke pirë alkool në një nga lokalet e zonës, ku edhe ka nisur sherri mes tyre për arsye banale duke përfunduar në vrasje.
Pas sherrit, 37-vjeçari ka shkuar në shtëpi duke marrë një armë kallashnikov dhe duke pritur viktimën pranë shtëpisë së tij. Aty e ka qëlluar me 5 plumba, nga të cilët vetëm njëri prej tyre ka kapur 45-vjecarin në pjesën e shpatullës, por kjo ka rezultuar fatale për të.