Një nga këngët e bukura dhe me origjinë të vjetër.
Episodi të cilit i është kushtuar kënga ‘Minushi’, është një ngjarje tragjike në një familje çame. Ata nuk ishin grekë, por shqiptarë.
Historia e Minush Agës, e shtruar në melodi është edhe një nga vallet më të bukura çame.
Bëhet fjalë për Again i cili vrau të shoqen për një fjalë goje.
Një histori që për kohën e atëhershme ishte diçka shumë e rëndë.
“Në kafen e një qyteti të vogël të Çamërisë, ishin ulur dhe po pinin tre persona: Minush Agai, Birbili dhe Resuli, kuptohet edhe këta agallarë, pari e qytetit me prona, domethënë vinin nga shtresa të kamura.
-Minush agai, burri i gruas së bukur, duhet të ketë qenë i rënë nga vakti, e them këtë se në shtëpitë e agallarëve punët i bënin kopilet, ndërsa gruaja e Minushit, kishte shkuar vetë në krua për të mbushur ujë.
-Birbili, është bashkëqytetar i tij shqiptar, kjo kuptohet nga emri.
-I treti, Rersuli mund të ketë qenë kajmekami turk i vendit. Janë dy arsye që të bëjnë ta mendosh: së pari një shqiptar, për hir të kodit zakonor dhe moralit, nuk do t’ia lejonte vetes atë lloj ngacmimi dhe fyerje, se te shqiptarët kjo fyerje lahej me gjak; së dyti, personi në fjalë, duhet të ndjehej i sigurt, i mbrojtur nga ofiqi dhe pushteti që i jepte ky ofiq dhe që ia lejonte pushtllëqet.
Të tre kanë qenë burra në moshë të pjekur. Zonja e Minushit, e quajmë kështu se emri i saj nuk përmendet, here quhet grua, herë zonjë por edhe nuse, pa tjetër që ka qenë e hijshme dhe e bukur, që tërhiqte vëmendjen e të tjerëve, por e pafajshme dhe e ndershme. Ajo në tekstin e këngës quhet grua, por edhe zonjë. Edhe ajo ka qënë në moshë të pjekur e me bukuri të arrirë, për këtë dëshmon e thëna në këngë se ajo kishte disa fëmijë.
Resuli, në pije e sipër, i lavdëron bukurinë e gruas Minush agait, i thotë se e ka parë në krua tek po mbushte ujë. I kishte dhënë shaminë e xhepit dhe ajo ja pastroi, i kishte thënë dy-tri fjalë ajo ja pranoi! Minush aga, që qe i pirë, vajti në shtëpi, mori thikën dhe theri gruan e tij!
Vendi dhe koha e ngjarjes, nuk dihet me siguri, por mund të jetë Parga, Gumenica, e nuk përjashtohet as Delvina, që aso kohe bënte pjesë në vilajetin e Janinës, qytete me shumicë shqiptare e myslimane por edhe pakica shqiptare ortodokse, kjo e fundit duhet mbajtur parasysh ngaqë, në kafenetë e myslimanëve nuk praktikoheshin pijet alkoolike. Sa i takon kohës, duhet të pranohet gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, në kohën e sundimit turk.”
Kënga e Minushit:
Zgjo Minushin,zgjo Birbilin,zgjo Resul aga!
Ishin mbledhur dhe po pinin në një kafene.
-Të bukur grua(nuse) që paske, bre Minush aga!
-Ku e njeh, ku e ke parë që ma mollois?
-E paçë një ditë në krua që po mbushte ujë,
I dhashë shamin e dorës,ajo ma pastroi,
I Thashë nja dy-tri fjalë,ajo mi pranoi!
Minush aga qe i pirë,vajti në shtëpi
Mori thikën dhe e theri, o gruan e tij!
Të nesërmen që i del rakia vajti te varri:
Çohu grua, çohu vishu se kemi fëmijë,
Çohu grua dil nga varri se un bëra faj,
Çohu vishu e stolisu,dil në shoqëri,
Të të shohin gjithë bota dhe unë i mjeri!