Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka thënë se nuk është shumë optimist se këtë vit do të jetë e mundur të arrihet një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për normalizim të raporteve.
Këto deklarata kreu i shtetit serb i ka bërë në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve APA, duke thënë se po lufton që të gjendet një kompromis me gjithë forcat e tij, megjithatë thotë se e gjithë vazhdimësia e dialogut varet nga Prishtina dhe vendimi për të hequr taksën ndaj produkteve me origjinë serbe.
Agjencia austriake është interesuar edhe për zgjedhjet e parakohshme në Serbi dhe protestat që po mbahen kundër pushtetit të Vuçiçit, megjithatë presidenti serb ka thënë se për momentin çështja më e rëndësishme për Serbinë është zgjidhja e konfliktit me Kosovën.
“Çështja më e rëndësishme për ne është pyetja se si do ta zgjidhim problemin e Kosovës”, ka nënvizuar Vuçiç. Sipas tij në momentin që të vazhdojë dialogu me Prishtinën, pastaj do të koncentrohen në ekonominë e Serbisë, dhe më pas edhe në çështjen e zgjedhjeve.