Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka zhvilloi një vizitë zyrtare në Maqedoni, ku është takuar me homologen e saj Radmilla Sheqerinska. Xhaçka shprehu urimet e Shqipërisë drejtuesve më të lartë të shtetit më të ri të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
“Nënshkrimi i Protokollit të Anëtarësimit në NATO nga Republika e Maqedonisë së Veriut është vërtet një moment i jashtëzakonshëm për të gjithë ne. Nga sot, i gjithë rajoni do të jetë më i sigurt, me më shumë stabilitet, dhe unë jam e bindur, që të gjithë së bashku mund të shohim drejt së ardhmes me më shumë optimizëm”, u shpreh Ministrja Xhaçka.
Ministrja e Mbrotjes u prit edhe nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferri.
Ministrja Xhaçka foli në deklaratën e saj edhe për kërcënime që më së shumti shteteve po u vijnë nga brenda tyre.
“Siç na tregoi edhe kalvari i vështirë që përjetoi Maqedonia e Veriut gjatë viteve të fundit, shpesh kërcënimet më të mëdha me të cilat na duhet të përballemi në punën tonë, nuk janë ato të jashtme, por ato që vijnë nga brenda. Sepse fatkeqësisht, siç ndodhi në Maqedoninë e Veriut, e siç po ndodh sot në Shqipëri, në vendet tona ka jo rrallë forca që për interesat e tyre të ngushta, që s’kanë asgjë të përbashkët me interesat e qytetarëve apo vendeve tona, janë gati të rrezikojnë edhe stabilitetin, edhe zhvillimin, edhe të ardhmen tonë evropiane”, u shpreh më tej ministrja Xhaçka.
Ministrja Xhaçka është ministrja e parë e vendeve të NATO-s që viziton Maqedoninë pas nënshkrimit të Protokollit të Pranimimit me Aleancën e Atlantikut të Veriut.