MENU
klinika

Detajet

Zbardhet akuza për gjyqtarin Thanza, vodhi rroba në një supermarket në 1999

08.02.2019 - 21:44

Ish anëtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza pritet të përballet me togat e zeza në Gjykatën e Tiranës për fshehjen e dënimit për vjedhje në Itali.

Prokuroria ka publikuar dosjen ndaj ish-gjyqtarit të shkarkuar nga KPK ku theksohet se Thanza ka vjedhur rroba në një supermarket në vitin 1999 duke u dënuar nga gjykata vendase me 40 ditë burg dhe me gjobë.

Zbardhet dosja penale e prokurorisë për ish anëtarin e Gjykatës së Lartë Admir Thanza, i cili u shkarkua nga KPK në korrik 2018 gjatë procesit të vettingut, pasi nuk deklaroi dënimin në Itali për vjedhje.

Në dosjen e dërguar në Gjykatën e Tiranës për falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve thuhet ndër të tjera se hetimi ka nisur pas seancës në KPK, ku është theksuar se Thanza ishte dënuar në Itali.

Prokuroria ka administruar formularin zyrtar ku Thanza nuk e deklaronte dënimin e dhënë ndaj tij nga autoritetet italiane.

admir-thanza-konica.al

Por bazuar në të dhënat e marra nga KPK, prokuroria ka kërkuar informacion në Itali për ish-gjyqtarin.

Më 26 dhjetor 2018 Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar tek hetuesit përgjigjen e ardhur nga Italia ku thuhej se Admir Thanza reulton i dënuar për vjedhje në bashkëpunim me vendim të formës së prerë të datës 20 nëntor 1999.

Në vendim thuhet se gjyqtari Thanza në bashkëpunim me shtetasit me iniciale E.A dhe A.Th mori rroba dhe produkte kozmetike në supermarketin Continente.

Për këtë ngjarje gjyqtari është arrestuar dhe më pas është gjykuar në gjendje të lirë. Dënimi është konvertuar përfundimisht në 20 ditë heqje lirie dhe 100 mijë lireta gjobë, por më pas është pezulluar me kusht.

I pyetur për këtë fakt, ish gjyqtari ka thënë se është vërtetë i dënuar në Itali, por nuk ka pasur detyrim deklarimin e këtij vendimi.

Gjatë shqyrtimit të dosjes së Thanzës, KPK i gjeti atij edhe probleme profesionale.