MENU

Detajet

Zhdukja e dy personave në Tepelenë dhe Përmet/ Dyshimet

11.02.2019 - 21:25

Dy të rinj nga Tepelena dhe Përmeti janë zhdukur pa lënë gjurme duke humbur kontaktin me familjarët prej pesë ditësh.

Bëhet fjalë për Sokol Ramën, 32 vjeç, banues në fshatin Mamaj të Tepelenës dhe shokun e tij nga Përmeti, G.H. Fillimisht, u deklarua i zhdukur nga të afërmit e tij 32-vjeçari Rama, ndërsa dy ditë më vonë ka ardhur denoncimi dhe nga familjarët e të riut nga Përmeti.

Sokol Rama është person me precedent penal, i akuzuar për vjedhje, ndërsa dyshimet janë se zhdukja e tij dhe shokut të tij nga Përmeti me iniciale G.H ka lidhje me transportin e lëndëve narkotike, pasi 32-vjeçari është identifikuar nga Policia lokale si transportues droge.

Nga hetimet e deritanishme, forcat e Policisë nuk kanë arritur ende të bien në gjurmët e të riut nga Tepelena.

Ndërkohë, dy ditë pas këtij denoncimi, familjarët e të riut tjetër i janë drejtuar Policisë së Përmetit për të kërkuar ndihmë në gjetjen e të afërmit të tyre. Telefonat në përdorim të Sokol Ramës janë vënë nën gjurmimin policor. Një prej numrave të telefonit del i fikur, ndërsa numri tjetër është identifikuar në Frashër të Përmetit. Ka dyshime se zhdukja e tyre mund të ketë ardhur si pasojë e prishjes së pazareve të drogës.

Një dyshim i tillë përforcohet nga fakti se një nga numrat e telefonit të 32-vjeçarit del i ndezur, por nuk përgjigjet askush.
Sokol Rama gjatë telefonatës së fundit që ka pasur me familjarët e tij u ka thënë se do të vonohej pak kohë.
Bashkë me 32- vjeçarin është deklaruar i zhdukur dhe shoku i tij nga Përmeti, që mësohet se është gjithashtu punonjës i kësaj bashkie.

Dyshohet se ngjarjet kanë lidhje me njëratjetrën dhe se dy të rinjtë mund të jenë përfshirë në ndonjë incident gjatë transportimit të lëndës narkotike drejt Greqisë. Por, nga ana tjetër, nuk përjashtohet as mundësia që dy personat të jenë fshehur në ndonjë zonë të thellë malore.

Ditët e fundit, Policia greke ka pasur disa arrestime të shtetasve shqiptarë që kanë kaluar kufirin e gjelbër në tentativë trafikimi të lëndëve narkotike.

Dyshohet se zhdukja e Ramës dhe shokut të tij mund të kenë lidhje me largimin e tyre për t’i shpëtuar arrestimit nga Policia greke.