Një aksident me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e 20 të tjerëve ka ndodhur ditën e sotme në Gjilan.
Sipas informacioneve, nga aksidenti ka mbetur i vdekur biznesmeni Qerim Çoçaj, pronari i furrave të njohura ‘Çoçaj’. Ndërkohë mësohet se rreth mbi 20 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e aksidentit. Shkaktar dyshohet të ketë qenë një kamion, ku gjithashtu pati edhe dëme të mëdha materiale.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku ka konfirmuar viktimën e aksidentit, ndërsa për të plagosurit ka thënë se mes tyre ka nga ata që kanë marrë lëndime të trupore.
“Aksidenti ka ndodhur për shkak të një automjeti transportues. Dyshohet se ka dështuar diçka teknikisht dhe ka humbur drejtimin mbi 300-400 metra duke u përplasur me automjete të ndryshme. Drejtuesi i kamionit nuk ka pësuar lëndime dhe për momentin është duke u mbajtur në stacionin policor”, tha Maloku.
Policia dhe ekipet e tjera emergjente ndodhen në vendin e ngjarjes.