Kryebashkiaku i Ballshit, Agron Kapllanaj reagoi në lidhje me arrestimin e inspektorit të mjedisit, Pëllumb Isufaj i akuzuar se qëlloi policin e FNSH-së në protestën e Fierit.
Kreu i bashkisë shprehet se inspektori i arrestuar nuk ka qenë në protestë ndërsa përsa i përket veprimit që ai akuzohet, kryebashkiaku shprehet se punonjësi i bashkisë karakterizohet nga vlerat e një njeriu dhe intelektuali të qetë dhe të sjellshëm.
“Kjo nuk besohet”, ka thënë kryebashkiaku Kapllanaj. Ai theksoi se edhe nëse do ta kishin qëlluar 10 herë inspektorin Isufaj ai në herën e 10 do të kishte bërë vetëm pyetje personit se përse e qëllon duke nënkuptuar qetësinë dhe urtësinë e tij.
Më herët, Isufaj u arrestua pasi akuzohet se goditi punonjësin e policisë të FNSH me gur në kokë, gjatë protestës së djeshme të opozitës në Fier.