Kreu i Grupit Parlamentarë të PS-së, Taulant Balla komentoi qëndrimin e opozitës pas vizitës së ndërkombëtarëve në Shqipëri.
I pranishëm në një takim me Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste Peqin, ai theksoi se Shqipëria nuk e ka luksin të dalë kundër SHBA e BE, teksa shtoi se kreu i PD-së ka krijuar një precedent të rrezikshëm.
Më tej, Balla shtoi se deklaratat e ndërkombëtarëve ishin të qarta dhe se thirrja e tyre ishte që kandidatët në listat emërore të mos i binden urdhërit të Bashës dhe Kryemadhit.
“Lulzim Basha krijoi një precedent të rezikshëm, që nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës, që cdo opozitë që nuk kënaqet me rezultatin zgjedhor të kërcënojë me djegie mandatesh nëse nuk merr fitoren ne tavolinë. Shqipëria nuk e ka luksin që të dalë kundër SHBA dhe BE. Deklaratat e partnerëve tanë ndërkombëtarë nuk lënë asnjë vend për pikëpyetje.
Thirrja e tyre mbetet e qartë ndaj çdo kandidati në listat shumëemërore për të mos iu bindur urdhërit politik të Bashës dhe Kryemadhit për mandatet e deputetëve. Parlamenti është legjitim, Qeveria është legjitime dhe të jetë e qartë se Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme janë në Qershor 2021. Ndërkohë që më 30 Qershor 2019 shqiptarët do të votojnë për kryetarët dhe këshillat bashkiakë”, nënvizoi Balla.