Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se të gjitha problematikat me transportin publik do të marrin zgjidhje.
Në një takim me përfaqësuesit e transportit publik ndërqytetas dhe ndërkombëtar që operojnë në Shqipëri, ministrja njoftoi hartimin e një pakete të re që ka për synim rregullimin e operimit të sektorit të transportit publik ndërqytetas dhe ndërkombëtar.
Ndër të tjera, ajo i ftoi përfaqësuesit e transportit publik që të bëhet pjesë e procesit, teksa theksoi se paketa e re që do të hartohet ka për qëllim përmirësimin e shërbimit për qytetarët.
“Qytetari për ne është shumë i rëndësishëm dhe rregullimi i proceseve të operimit në sektorin tuaj do të bëhet për t’u ofruar një shërbim më të mirë qytetarëve, për të vendosur rregull dhe drejtësi në mënyrën sesi ju operoni dhe sigurisht për t’ju lehtësuar ju. Të gjithë problematikat tuaja do marrin zgjidhje dhe ju duhet të bëhet pjesë e këtij procesi”, u shpreh Balluku.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, shpjegoi se paketa e re që po hartohet do të përfshijë të gjitha linjat.
“Po përgatisim një paketë që ministria të ketë për gjithë rrjetin e linjave. Të ketë një qartësi se çfarë është më e leverdishme për qytetarin në radhë të parë, sepse duhet ta kuptojmë se nuk jemi as ne, as ju të parët por është qytetari. Ne duhet zgjidhim çështjen në në favor të tij, të çmimit, të tarifave, të komoditetit etj.”, tha ai.
Përfaqësuesit e transportit publik shprehën shqetësime sa i takon numrit të madh të licencave që operojnë në vend, konkurrencës së pandershme që u bëhet si dhe nevojën për lehtësim të disa procedurave.