MENU
klinika

Takimi me banorët

Basha konfirmon sërish Xhelal Mziun për Bashkinë e Kamzës

09.03.2019 - 16:20

Ende nuk ka një vendim nga opozita për hyrjen në zgjedhjet lokale të qershorit, por kurdo që ato të mbahen duket se kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk mendon emër tjetër për Bashkinë e Kamzës veç Xhelal Mziut, i cili është dhe kryebashkiaku aktual i Kamzës.

“Edhe njëherë dua të falendeoj një njeri që ka mbajtur fjalën para jush dhe para meje me punën e përditshme në këto javë muaj e vite që i besuat mandatin e Bashkisë. Akoma ka shumë halle por jam i sigurt që kur ti bashkojmë forcat pushteti lokal me Xhelal Mziun dhe pushteti qendror me një qeveri që do ti përgjigjet halleve, ndryshimi pozitiv do të ndihet. Por duhet të fitojmë betejën më 16 mars”.

Lulzim Basha ishte në Paskuqan ku u takua me banorët për ti ftuar në protestën e 16 marsit. Ai takoi dhe bizneset e zonës, duke ecur për më shumë se 2 km deri në Babrru.

“Herën e fundit këpucët u mbushën me pluhur dhe baltë por sot rrugët janë ndërtuar i pashë me sytë e mi, janë ndërtuar të gjithë rrugët lidhëse dhe këtu në këtë qendër historike në Babrru, ku për herë të parë në 30 vite po shikoni çfarë mund të bëj një pushtetar që e jep fjalën dhe e mban fjalën ju tha që do të ju ndërtoj rrugët dhe i ndërtoi. Por ju miqtë e mi e dini edhe anën tjetër të kësaj medalje të pushtetarit që premton dhe nuk bën asgjë që premtoi 300 mijë vende pune dhe çoi 500 mijë refugjatë, premtoi shëndetësi falas dhe i shkatërroi spitalet, premtoi uljen e taksave dhe sot shumë njerez kanë mbyllur bizneset nga ata që kam takuar në zonën e Paskuqanit dhe të tjerë po bëhen gati për ti mbyllur për shkak të taksave të larta dhe çmimit të energjisë”.

Kreu i PD-së i ftoi të gjithë në sheshin e protestës, duke deklaruar se do ti japin fund qeverisë së krimit në sheshin e lirisë me datën 16 mars.