MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Berisha, Basha, jelekverdhët dhe pse Rama duhet t’u përgjigjet kërkesave të protestuesve

17.03.2019 - 20:03

Në vitin 2004 një numër i madh njerëzish të opozitës, të motivuar fuqishëm manifestuan në Tiranë të prirë nga Berisha nën moton “Nano ik”.

Atbotë, njëlloj si në protestat e opozitës së sotme, pati një përplasje, por të lehtë me policinë: njerëzit e saj iu afruan Kryeministrisë, thyen disa xhama, dhe paskëtaj në skenë u shfaq z. Berisha, dhe z. Paloka të cilët u kërkonin protestuesve të ktheheshin mbrapsht. Një nga udhëheqësit e Partisë Demokratike, një burrë i mençur, i cili sot s’është më me ta, duke parë këtë hap paqësues të zotit Berisha, thellësisht në favor të rrugëve të ashpra për të fituar pushtetin, dhe nga ana tjetër, duke dashur që protestuesit ta kapërcenin pragun e kryeministrisë, i kërkoi zotit Berisha një shpjegim. Berisha që më 14 Shtator 1998, u ndihmua dhe nga antitankët në sulmin ndaj kryeministrisë, dha një përgjigje epike: Jo, sepse demokracia nuk lejon marrjen e pushtetit me metoda te dhunshme.

Ndërkohë, ky udhëheqës i cili nuk është më me këtë parti, një parti e cila ka parë të ikin dhe të vijnë shumë të tillë iu kundërpërgjigj doktorit paqësor: Një pjesë e atyre që vijnë në protestë, e bëjnë për të thyer diçka, për të grabitur, për tu përplasur, për të hyrë brenda në Kryeministri! Ata vijnë për të marrë pushtetin, dhe nëse ti nuk i lejon sot, ata nuk do të vijnë ditën tjetër.

Berisha asokohe, tentoi të vinte në pushtet me një operacion të fuqishëm imazhi. Protesta jo të dhunshme, paqësore, masivitet i tyre, krijimi i Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP). Brenda tij u rreshtuan përkatësisht teknokratët e ndryshëm, akademikët, të cilët kishin studiuar jashtë apo ishin pjesë e administratës së misionit të OKB-së, UNMIK-ut, bashkë me vajzën e doktor Berishës. KOP-i ishte një strukturë komplementare me Partinë Demokratike, që u shfaq fituese në debatet me deputetët apo udhëheqësit e Partisë Socialiste të kryeministrit të atëhershëm Fatos Nano. Retorika e PD-së, megjithatë u bë ndërtuese, propozuese. Sa për ilustrim në kongresin e radhës së PD-së, Berisha u përplas me djalin e një prej figurave të Rilindjes, Uran Butkën, I cili krejt ndryshe nga Berisha, ishte agresiv. Berisha në atë kongres nuk e kritikoi asnjëherë Nanon, foli vetëm me një gjuhe të politike të ndërtuar kah e ardhmja, pra jo si shikim prapa. Këto hapa ishin receta me anë të së cilës Berisha arriti të rrëzonte Fatos Nanon, i ngulitur në pushtet, për një kohë relativisht të gjatë njëjtë si Rama, shto këtu ndikimin e LSI-së që u shkëput nga PS-ja. Figura e Berishës, e transformuar përmes paqësores, mori jo vetëm votat nga elektorati që ishte pjesë e partisë së tij por edhe nga ai “gri”.

Pse sot Basha duhet të jetë më ekstremist se Berisha i 2004? Dhe historia e plotë

Kjo është pikëpyetja e parë që shfaqet pas protestës së fundit e cila si zakonisht u shoqërua me thëniet “ditë historike”, “protesta më e madhe në histori”, etj. Një protestë e cila në pjesën e parë ishte nën motivin e këngës së Skënderbeut, rrethimin simbolik të Kryeministrisë. Mirpo që u ndoq nga aksioni I asaj pjesës së zgjedhur të kokave të lëkurta si kokat që zakonisht përdoren për të hapur dyert e keshtjellave mesjetare, e përbërë nga rrogëtarë bashkish, nga militantë të fortë të PD-së, pse jo njerëz të cilët kanë humbur shumë nga ardhja në pushtet e PS-së, përshembull punët e tyre në Dogana, Tatime, Polici, që provuan të hynin në Parlament. Sipas skenarit maqedonas. Kjo është pikërisht ajo pjesë e protesuesve, që njëlloj si në 2004-ën e cila vjen për tu përplasur, për të thyer, eventualisht vjen për të bërë më shumë se sa kaq.

basha berisha protesta-konica.al

Rrjedhimisht, lind edhe pikëpyetja e dytë: A e kontrollon zoti Basha këtë pjesë të protestuesve, apo është pjesë e skenarit të tij për të ushtruar presion mbi qeverinë, në mënyrë të tillë që të shkohet tek zgjidhja e fortë politike? Njëlloj, edhe Rama në 21-Janar me siguri në përplasjen e fortë që pati me Policinë me rrethimin e Kryeministrisë ka përdorur njerëz të bashkive që ishin fituar nga Partia Socialiste apo persona të tjerë të zgjedhur nga deputetët të cilët kishin ndikim në territor si z. Doshi apo dikush tjetër. Sepse si i sugjeroi deputeti i famshëm zotit Berisha, në qoftë se njerëz të tillë nuk i lejon të thyejnë atëherë ata nuk vijnë më në protestën tjetër. Deputeti i lartpërmendur për t’i mbushur mendjen Berishës për këtë variant lufte politike, i kishte sjellë ndërmend atij dhe një histori nga jeta personale, kur ishte vetëm 16-vjeç, dhe përpiqej që të kishte eksperiencat e tij të para me vajzat. Ai priste kur familjarët e tij iknin nga shtëpia, që të sillte ndonjë vajzë. Mirëpo, sapo mbyllte derën duke futur shoqen e vet brenda shtëpisë, shfaqej gjyshja e cila kishte ndjekur çdo lëvizje, i thoshte politikanit të ardhshëm: “Çfarë po bën me këto vajzat? Kapi nga faqet dhe lëri të kthehen në shtëpi se ‘gjynah’! Dhe djali, që në 2004 i propozonte Berishës, rrugën e ashpër i thoshte (sipas tregimit ilustrues për doktorin) gjyshes së vet: Po unë mund ta bëj këtë gjë, por ato nuk do të vijnë më tek shtëpia ime”. Në njëfarë mënyre kjo ishte metafora per të treguar filozofinë që shtyn grupet që përplasen me Policinë, në protesta, qofshin ato të PS-së apo të PD-së. Dhe që Basha po e respekton: po nxit përplasjen.

Kërkesat legjitime të protestuesve të tjerë

Mirëpo, protesta shqiptare ka brenda dhjetra-mijëra njerëz, dhe ka diçka që përbashkon atë jo thjesht me paraardhëset e veta të 2004-ës, brenda Shqipërisë, por edhe me lëvizjet e ngjashme që po zhvillohen në Perëndim, si ajo e ‘Jelekverdhëve’ në Paris të Francës. Për t’ iu shmangur ngjashmërive apo krahasimeve ideologjike me ta, por edhe për të mos i ngjarë, z. Basha po përdor jelekët me ngjyrë të kuqe apo tjetër: jelekverdhët francezë janë një aliazh i forcave ekstremistë të majta me ato ekstremiste të djathta të cilat duan të vijnë në pushtet me rrugë të dhunshme, pa mbështetje të fuqishme elektorale, por që tentojnë që nëpërmjet protestave të faktorizohen. Basha, disa promotorë të tij në media (të cilët madje kërkojnë përmbysje si në 1997-ën që solli sipas tyre cilësi pozitive) po kërkojnë që brenda lëvizjes franceze të gjejnë precedentin apo të justifikojnë veten, për përplasjet e dhunshme të ditëve të fundit. Mirëpo, siç është provuar deri tashmë, për të ardhur në pushtet, e vërtetë mbetet rruga e paraardhësit të Bashës, z. Berisha, në 2005. Rruga ekstremiste, maksimumi kompaktëson krahun militantant të partisë, por partia nuk është tërheqëse për pjesën ‘gri’, apo ato qytetarë të cilët nuk duan përplasje, duan ndryshimin e pushtetit në mënyrë paqësore.

Ka një moment shumë interesant krahasues me protestën franceze: reagimin e qeverisë ndaj protestuesve. Megjithëse, në Francë presidenti Macron ka përballë njerëz të cilët janë të dhunshëm, që nuk përfaqësojnë elektoralisht shumëçka në politikën franceze, prapë se prapë iu përgjigj me një program të fuqishëm reformash.

A duhet ta bëjë Rama këtë? Po, Rama duhet të përgjigjet me reforma, duke komunikuar me qytetarët. Nëse ai iu përgjigj studentëve, pozitivisht, nuk ka pse të mos i përgjigjet qytetarëve që janë pjesë e opozitës. Ai është kryeministër i të gjithëve.

-Duhet t’i përgjigjet asaj pjese të qytetarëve të cilët dalin dhe protestojnë me arsye thellesisht të ligjshme si psh. barra e madhe fiskale mbi bizneset e vogla, e cila eshtë bërë e padurueshme. Shumë ekspertë flasin për zhvendosje të shumë bizneseve në Kosovë, një vend i cili ka një barrë fiskale shumë më të ulët, një regjim fiskal i cili funksionon edhe për shkak të një administrate tatimore e cila është shumë më ektive se sa ajo shqiptare.

Pra, Rama duhet t’i përgjigjet asaj pjese të qytetarëve, protestuesve, të cilët synojnë ndryshimin e gjendjes së tyre ekonomike, sepse ai regjim fiskal i cili u imponua me ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet u bë i ashpër, dhe lufton informalitetin kryesisht tek individët, bizneset e vogla, por nuk është efektiv përkundrejt bizneseve të mëdha. Vendit po i mungojnë investimet e mëdha sepse korrupsioni është shtypës. Kështu që, nëse Macroni vendosi t’ju përgjigjet ‘jelekverdhëve’ me një program reformash, nuk shihet një arsye, se pse këtë nuk duhet ta bëjë Rama në Shqipërinë e 2019-ës.

Ndonëse, në krahasimin midis Bashës në 2019-ën dhe Berishën në vitin 2004, ish-kryeministri Berisha duket më konstruktiv, ngjan më fitues, kjo nuk do të thotë që Rama i 2019-ës mos t’ju përgjigjet protestuesve me një program reformash, me anë të të cilave duhet të lehtësojë dhe t’i japë frymëmarrje biznesit, familjeve, qytetarëve në tërësi, për të ndërtuar një model ekonomik zhvillimor. Rama politikisht mund të injorojë kërkesat ekstremiste të kundërshtarëve të vet, por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të përmirësojë rrënjësisht qeverisjen e vet.

Rama duhet të bëjë si Makroni, dhe Basha si Berisha, ndonëse kjo duket paradoksale!

Me video: