MENU
klinika

Vend i çuditshëm me njerëz bujarë

Bernacik për Shqipërinë

05.03.2019 - 14:21

Etnologu dhe fotografi austriak, Hugo Adolf Bernacik (1897-1953), lindi në Vjenë, bir i juristit Edmund Bernacik (1854-1919). Kontaktet e para me shqiptarët i pati që para luftës së Parë Botërore në Stamboll, ku njohu djemtë e rojeve të sulltanit. Hugo Bernaciku shkoi në Shqipëri për herë të parë në vitin 1914, gjatë pushtetit të shkurtër të Princ Vidit.

Në vitin 1915, kur ndodhej përsëri në Shqipëri, shërbeu vullnetar në ushtrinë austro-hungareze me një njësi artilerie. Edhe në dhjetor 1917, ai ishte sërish në tokën shqiptare me gradën e togerit.

Kënetat e bregdetit shqiptar e tërhoqën shumë sepse interesohej për natyrën dhe për zogjtë. Bernaciku braktisi studimin e mjekësisë në Universitetin e Vjenës sepse preferonte të udhëtonte dhe të zbulonte botën. Nga udhëtimet e shpeshta të tij, dolën në dritë  botime shkencore, udhëpërshkrime dhe fotografi tërheqëse. Bernaciku i financoi udhëtimet e veta duke u shitur fotografi të udhëtimeve gazetave dhe revistave

Sipas Bernacikut (Hugo Adolf Bernatzik), Mbretëria Shqiptare e sapoformuar ishte një koloni e Italisë, por që mund të shndërrohej në Kaliforni të Evropës. Me ndjesinë e antropologut ai vëren që “…rënia e kulturës popullore, e nisur nga Zogu, nuk po ndalet. Sot, një pjesë e madhe kostumeve kombëtare dhe e shtëpive muzeale që gjenden në librin tim, janë zhdukur”, – shkruan Bernatzik.

I papajtuar me imazhin e Shqipërisë në Evropë, si “…një vend plot hajdutë dhe rreziqe, që udhëhiqet nga një mbret operetash, i cili i ngjan pak a shumë atyre vendeve kaukaziane,…”, Bernacik këmbëngul që në fillim të librit të tij që “nuk është e vërtetë që populli shqiptar është i ndarë në dy klasa, në proletariatin e qytetit dhe në gjithë pjesën që mbetet… Gjithashtu nuk është e vërtetë që pyjet dhe kënetat janë të mbushura me njerëz të egër… Nuk është e vërtetë ajo që thuhet për këtë vend të çuditshëm dhe që është përshtatur nga konceptet perëndimore.”

Duke kritikuar “mendjemadhësinë e modernitetit tonë që e ka tretur konceptin e kulturës” dhe duke u thirrur në një lloj objektiviteti shkencor, Bernacik shkruan “se çfarë është ‘e vërtetë’ për Shqipërinë, lexuesi mund ta gjejë në rreshtat dhe pamjet e mëposhtme. Unë e përshkova këtë tokë së bashku me aparatin tim, hasa aty vende dhe njerëz ashtu siç më dolën përpara.

Qëllimi nuk ishte as gjurmimi sistematik, as ndarja klasore apo raca. Nuk doja të ndreqja me këtë pohimet e paraqitura, por të ndreqja në mënyrë të përgjithshme opinionet e përhapura gjerësisht…Dhe për më tepër, ky libër nuk duhet të jetë shpëtimi i nderit, ashtu siç kam thënë tashmë, por duhet të bëhet një shpëtim i të vërtetës dhe i opinionit.”

Pas përshkrimeve shumë të gjalla dhe të ilustruara për malet, pyjet dhe kënetat, për pelikanët dhe faunën, qytetet e fshatrat shqiptare, mikrpitjen, kostumet, konceptin e kohës, traditat, zakonet dhe etnopsikologjinë e shqiptarëve, rrëfimi i Bernatzikut përmbyllet me katërmbëdhjetë histori nga përditshmëria shqiptare, disa të dëgjuara e disa të përjetuara nga vetë autori, mes të cilave edhe ngujimi i tij për nëntëmbëdhjetë orë në “Shpellën e djallit” pranë Sovjanit. Më 1953, themeluesi i konceptit të “antropologjisë alternative”, Hugo Adolf Bernacik, vdes pak ditë para se të arrinte moshën 56-vjeçare.

Por, 90 vjet pas udhëtimit të tij në Shqipëri dhe 80 pasi libri i tij mori formën përfundimtare, “Shqipëria: vendi i shqiptarëve”, ka arritur atë që vetë Hugo Adolf Bernacik vështirë se mund ta ketë përfytyruar ndonjëherë: në vendin e shqiptarëve, ky libër, tani diskutohet dhe studiohet nga studentët në Departamentin e Antropologjisë Kulturore në Universitetin e Prishtinës dhe nga Instituti i Antropologjisë Kulturore në Tiranë.

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe