MENU
klinika

Detajet

Opozita në protestë, blindohet Parlamenti dhe Kryeministria

20.03.2019 - 19:42

Pas 16-Shkurtit, opozita do të zhvillojë ditën e nesërme protestën e gjashtë.

Pas tubimit të fundit para Kryeministrisë dhe Parlamentit ditën e shtunë, ku u shënuan dhe disa incidente dhe përplasje me policinë, opozitarët rikthehen sërish nesër.

Në orën 09:30 simpatizantët e PD-së dhe LSI-së do të mblidhen para Parlamentit për të protestuar kundër qeverisë dhe legjislativit, që e cilësojnë ilegjitim pas dorëheqjes së tyre nga mandatet.

Policia ka marrë masat për shmangien e incidenteve dhe mbrojtjen e deputetëve që të mos ketë konfrontime si në rastin e tre javëve më parë, ku u sulmuan ministri Klosi dhe dy deputetë të shumicës.

Mësohet se nesër do të jenë në gatishmëri mbi 700 forca policie dhe FNSH, pra më pak se protesta e 16 marsit. Ndërkohë që masat do të jenë të shtrira para Parlamentit dhe Kryeministrisë, teksa të dy institucionet do të rrethohen me gardh metalik, si ditën e shtunë.

Protesta e 16 marsit solli përplasje mes simpatizantëve të opozitës dhe policisë, pasi çanë kordonin para Parlamentit, por u shpërndanë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion nga autobotët.

Opozita ka deklaruar se protestat para Parlamentit do të vijojnë sa herë që të ketë seanca plenare.