MENU
klinika

Vijon presioni i SHBA

Danielsson takon Daçiç: Taksa të pezullohet urgjent

06.03.2019 - 13:59

Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Zgjerim në BE, Christian Danielsson, përsëriti sot kërkesën e Komisionit Evropian që Prishtina të heqë taksën ndaj produkteve serbe.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, është takuar sot me Drejtorin Gjeneral për Politikë të Fqinjësisë së Mirë dhe Zgjerim të Bashkimit Evropian, Christian Danielsson. Ky i fundit është shprehur se veprimet që po e pengojnë vazhdimin e procesit do të kenë pasoja të dëmshme.

Në këtë takim është diskutuar për rrugën e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, ndërsa Danielsson ka thënë se i gjithë rajonit duhet të përfitojnë nga momenti i krijuar, pasi sipas tij përbërja aktuale e institucioneve të BE-së është shumë e hapur ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Sa i përket qëndrimit të Qeverisë së Kosovës për taksë ndaj produkteve serbe, Danielson ka thënë se Komisioni Evropian ka i ka bërë thirrje Prishtinës në mënyrë urgjente dhe shumë të qartë për ta pezulluar taksën.

Danielsson ka thënë se për të gjitha ato veprime që po e pengojnë vazhdimin e procesit, do të ketë pasoja.

Në Kosovë, kryeministri Haradinaj nuk e heq taksën pa një marrëveshje ku Serbia e njeh Kosovën si shtet, por nga ana tjetër, partneri më i madh i koalicionit dhe njëra nga partitë më të mëdha opozitare kërkojnë që taksa të pezullohet pas thirrjeve dhe presionit të SHBA-së.