MENU
klinika

I pari teatër shqiptar

‘Dasma e Lunxhërisë’ më 1874

28.03.2019 - 13:53

Fillesat e teatrit në Shqipëri, vijnë në vëmendje dhe kujtesë sot. Muzeu Historik Kombëtar i çeli dyert traditës së teatrit në vend, ditën ndërkombëtare të teatrit.

“Dasma e Lunxhërisë”, që daton në vitin 1874, është shfaqja e parë teatrore shqiptare e dokumentuar si e tillë. Drama u shkrua nga Koto Hoxhi dhe u vu në skenë nga nxënësit e shkollës normale “Zografia”, të fshatit Qesorat në Gjirokastër.

 

Shfaqja e parë e vënë në skenë, si edhe krijimet e para të kësaj gjinie përkojnë me periudhën e Rilindjes Kombëtare. Drama e parë me sktrukturë mirëfilli artistike është “Emira”, nga arbëreshi Françesk Anton Santori (1814-1894). “Emira” u shkrua më 1885 dhe u botua nga De Rada, në gazetën “Flamuri i Arbrit”.

 

Në të njëjtën kohë, drama shqiptare do të lëvrohej e të arrintë të tjera nivele me autorë si: A.Z. Çajupi me “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” më 1902, me Gjergj Fishtën me melodramën “Shën Françesku i Asizit” më 1909, me Fan S. Nolin me dramën “Israelitë e filistinë” më 1907, apo me Mihal Gramenon me dramën me tri akte “Mallkimi i gjuhës shqipe” më 1905 dhe tragjedinë në vargje “Vdekja e Pirros” më 1906 e plot të tjera.

Teatri Popullor, çelur më 17 maj të vitit 1945 në Tiranë, do të ishte teatri i parë i nivelit profesionist në vend.

 

 

Ky institucion i rëndësishëm i dramës shqiptare edhe pas viteve ’90-të, që sollën ndryshime thebësore në jetën sociale, politike dhe kulturore në Shqipëri, ruan një histori të pasur e të larmishme rreth gjashtëdhjetë e nëntë vjeçare. Repertori i Teatrit Popullor numëron një numër të konsiderueshëm premierash të vëna në skenë nga dramaturgë shqiptarë dhe të huaj.

 

Teksa sot festohet dita ndërkombëtare e teatrit, si shfaqja e parë e Teatrit Popullor (Kombëtar) është komedia “Topazi”, nga Marcel Pagnol, me regji nga Sokrat Mio.