MENU
klinika

Detyrimet e pashlyera

DPT-tatimpaguesve: Për pagesat me këste…

23.03.2019 - 15:30

Të gjithë tatimpaguesit që kanë nënshkruar me organin tatimor një Marrëveshje të Pagesës me Këste mund ta ndjekin në kohë reale përmes e-Filing.

Kështu, Administrata Tatimore sqaron se në llogarinë individuale të tatimpaguesit, në menynë “Kontabilitet” shfaqet menjëherë plani i pagesës, nga ku mund të gjenerohet “Urdhër Pagesa” e dedikuar vetëm për këtë plan.

Pagesa do të mbulojë vetëm periudhën/periudhat e përcaktuara në këstin e radhës. Në rastet e marrëveshjeve për pagesë me këste, tatimpaguesi paguan kamatëvonesat, ndërsa nuk llogaritet gjobë për pagesë të vonuar.

Ndërkohë, DPT sjell po ashtu në vëmendje të tatimpaguesve që përkohësisht gjenden në situatë të vështirë financiare, se ligji “Për Procedurat Tatimore” ju jep të drejtën për të paguar me këste një detyrim tatimor të papaguar.

Marrëveshja për pagesë me këste nuk mund të lidhet për detyrimin tatimor të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Tatime të një natyre të tillë, por pa u kufizuar vetëm në to, përmenden:

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar
Tatimi në Burim
Kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore
Ndonjë lloj takse e cila llogaritet, mblidhet e mbahet nga tatimpaguesi
Ndërkohë, sa i takon hapave që duhen të ndiqen për të nënshkruar një marrëveshje të pagesës me këste janë:

Hapi 1

Kërkesë me shkrim drejtuar Drejtorisë Rajonale Tatimore nën juridiksionin e të cilës është regjistruar. (Shpjegoni rrethanat dhe arsyet pse kërkohet të lidhet një marrëveshje për të paguar me këste detyrimet tatimore.)

Hapi 2

Drejtoria Rajonale Tatimore brenda 10 ditëve njofton nëse kërkesa pranohet apo refuzohet.

Hapi 3

Nëse kërkesa pranohet, nënshkruhet marrëveshja për pagesë me këste të detyrimeve tatimore të papaguara. Kjo marrëveshje nënshkruhet nga tatimpaguesi dhe nga drejtori i drejtorisë rajonale të tatimeve ose drejtuesi i njësisë së ngjashme me të, vetëm nëse tatimpaguesi paguan menjëherë 20% të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja e pagesës me këste.

Sjellim ne vëmendje se Administrata Tatimore ndërpret masat e mbledhjes me forcë, të mbledhjes së detyrimeve tatimore, por ajo nuk tërheq masën e vendosur për të siguruar pagesën e detyrimit tatimor.

Nënshkrimi i një marrëveshje për pagesën me këste të një detyrimi tatimor, nuk ndërpret llogaritjen e kamatvonesave për mospagim në afat të detyrimit tatimor të mbetur pa paguar.