Në lidhje me marrëveshjen Kosovë-Serbi, ka reaguar edhe ambasadori amerikan Kyle Scott.
Scott është shprehur se Amerika nuk mendon ndonjë vijë të kuqe kur është fjala për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme mes dy vendeve.
Sipas tij çdo zgjidhje që do të pranohet nga të dyja palët do të mbështetet.
Gjithashtu Scott komentoi edhe amerikanin e sapoemëruar për Ballkanin, Philip Reeker për të cilin tha se ky i fundit nuk ka asnjë plan për xhepin e tij.
“Mund të them atë çfarë e ka thënë presidenti amerikan, se Kosova dhe Serbia duhet të përpiqen për një marrëveshje për normalizimin dhe që në zemër të kësaj marrëveshjeje duhet të jetë një marrëveshje për njohje reciproke. Por marrëveshja për normalizimin duhet të përfshijë shumë gjëra të tjera:
marrëveshjen e marrëdhënieve ekonomike, zgjidhjen e statusit të Kishës Ortodokse Serbe (SPC), çështjen e personave të zhdukur, krimet e luftës … Ka shumë elemente që duhet të përfshihen në marrëveshje, por ne besojmë se njohja e ndërsjellë duhet të qëndrojë në zemër të marrëveshjes së normalizimit”, ka thënë ndër te tjera Scott.
Ai ka folur edhe rreth vendosjes së taksës nga Qeveria e Kosovës për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
“Çelësi për Beogradin dhe Prishtinën është kthimi në tryezën e negociatave. Kjo duhet të jetë prioritet i të gjithëve. Disa njerëz luajnë lojëra, kanë taktika, tërheqin disa lëvizje, por qëllimi për Kosovën është të arrijë një marrëveshje dhe e vetmja mënyrë është që të kthehen në tryezën e negociatave.
Meqenëse këto tarifa të vëna nga Prishtina kanë penguar vazhdimin e procesit të negociatave, mendojmë se ato duhet të shfuqizohen menjëherë. Ne kërkojmë nga Kosova që të pezullojë ato për një periudhë që lejon vazhdimin e negociatave. Unë shpresoj se ata do të na dëgjojnë”, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott.