Të tjera detaje zbulohen për vrasjen e avokatit Ravik Gurra mbrëmjen e kaluar në një lokal në qendër të qytetit të Elbasanit. Avokati i familjes Çapja dhe Emiljano Shullazit u qëllua me dy plumba pas koke me pistoletë me silenciator nga një person i maskuar që më pas është larguar me makinë tip ‘Benz’.
Mjeti tip ‘Benz’ rezulton i vjedhur në Fushë Krujë dhe u gjet i djegur në fshatin Karakullak. Policia ka marrë në pyetje disa pjesëtarë të fisit Çapja, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar për vrasjen. Dyshohet se ekzekutimi i avokatit është kryer për shkak të detyrës se tij.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së bizneseve pranë për të hedhur më shumë dritë për ngjarjen. Sakaq, avokatët në qytetin e Elbasanit vendosën të bojkotojnë për 3 ditë seancat gjyqësore në shenjë proteste për vrasjen e kolegut të tyre.
Ceremonia e varrimit të avokatit pritet të bëhet sot, pasi pritet të vijnë në Shqipëri bashkëshortja e tij si dhe vajzat që ndodhen në Angli.