Elbasani do të ketë së shpejti një terren sportiv modern në shërbim të nxënësve të shkollave të mesme por edhe të gjithë qytetarëve.
Ambasada e Kuvajtit në Shqipëri do të mbështesë Bashkinë e Elbasanit në krijimin e terreneve sportive për të kompletuar të gjitha shkollat. Ambasadori Fajez Meshari Al Jaseem pas takimit me drejtuesit vendorë, theksoi se investimi do të jetë një model.
Sipas Al Jaseem, nisma ka rëndësi të veçantë pasi i shërben një komuniteti të gjerë dhe mbi të gjitha duke i angazhuar me sport i mban të rinjtë larg veseve.
“Jemi këtu për një projekt pilot për restaurimin e ambienteve sportive që u jep mundësi të rinjve të Elbasanit të merren më shumë me sport. Do të bëjmë një model që do ti shërbejë jo vetem nxënësve por edhe qytetarëve të Elbasanit. Do të ketë fusha basketbolli, minifutbolli e kënd sportiv për më të vegjlit.Do të rikthehem shpejt për inaugurimin”, shprehet ambasadori.
I shoqëruar nga drejtuesit vendorë të Bashkisë e Qarkut dhe Bashkisë Elbasan, Al Jaseem vizitoi terrenet që do të transformohen falë një fondi prej 6.4 milion lekësh.