Të gjithë emigrantët shqiptarë në Greqi që më parë dispononin një leje qëndrimi 10 vjeçare, por që janë larguar nga shteti helen për jo më shumë se dy vjet, tashmë mund të rinovojnë dokumentat.
Gazeta Shqiptare zbardh sot udhëzimet e Ministrisë së Emigracionit në Greqi, ku sqarohen me shembuj konkretë se çfarë procedure ndiqet për një sërë kategorish që kishin pasur ose jo leje qëndrimi dhe duan ta marrin atë tani. Pavarësisht se këta emigrantë janë larguar nga shteti grek, sërish mund të përfitojnë leje qëndrimi.
“Gjatë viteve që kanë qëndruar në Greqi në mënyrë ilegale, çdo dokument që vërteton banimin në shtetin grek do të luajë rol të rëndësishëm për të vërtetuar qëndrimin e emigrantit në shtetin fqinj. Në rast se janë familjarë dhe nuk kanë për çdo vit dokumenta që vërteton banimin e emigrantit, janë të mjaftueshme vërtetimet nga shkolla, deklarata tatimore (forologiki dilosi), nëse kanë siguracion, etj”,-theksohet në udhëzim.
Shembuj konkretë
Një emigrant shqiptar ka qenë i pajisur me leje qëndrimi nga viti 2010 deri 2015 në shtetin grek. Aplikimi për lejen e qëndrimit që bëri me datë 30.03.2015 iu refuzua sepse nuk kishte numër të mjaftueshëm ensimash (sigurime shoqërore). Pavarësisht kësaj, atij i lind e drejta të riaplikojë nëse nuk është larguar nga shteti grek. Një tjetër rast, është ai i një emigranti shqiptar, i pajisur me leje qëndrimi në periudhën 2005-2010. Shtetasi i sipërpërmendur, u largua nga shteti grek në periudhën 2012-2014 dhe më pas u rikthye sërish, me pasaportë 3 mujore dhe vazhdon të jetojë në Greqi deri më sot. Në këtë rast, ka të drejte te aplikojë sërish për leje qëndrimi nëse nuk është larguar më nga Greqia që në momentin që erdhi me pasaportë.
“Një emigrant ka qenë i pajisur me leje qëndrimi në periudhën 2006-2011. U largua për dy vjet nga Greqia në 2012-2014 dhe më pas erdhi sërish me pasaportë 3 mujore dhe vazhdon të jetojë në Greqi deri sot. Në këtë rast ka te drejtë të aplikojë për leje qëndrimi, sepse dy vitet e fundit (2015 dhe 2016) vazhdon të jetojë në Greqi”,-bën me dije një prej zyrave të avokatisë që mbulon çështjet e emigracionit në Greqi.