MENU
klinika

Nga Lis Bukuroca

Entropia sociale dhe shkaktarët

25.03.2019 - 16:00

Rugova nisi me sukses ndërtimin e Pallatit,
që e quajmë Pavarësi.
UÇK i vuri kulmin me sukses.
PDK dhe LDK pas lufëts me sukses i vodhën dyert
dhe dritaret e Pallatit. Madje, Pallati mbeti edhe pa fasadë (fytyrë)..

Shpesh herë sillen në Facebook video apo shkrime të dy personaliteteve shqiptare, që i kanë vënë vetes për detyrë sipërore, në grahmën e fundit, të dokumentojnë se Rugova ishte tradhtar.

Ata për t’ i certifikuar atij tradhtinë, përkujtojnë praninë e tij në LKJ, edhe pse aty ka qenë edhe shumë personalitete tjera, madje edhe ata që e shpallin renegat. Ai fakt merret si provë përjashtuese vetëm për Rugovën. Për Isa Mustafën nuk është aq penalizuese anëtarësia, sa angazhimi brenda sistemit. Në akuzat e tyre nuk respektohet asnjë parim etik, asnjë qëndrim filozofik, asnjë qëndrim politik dhe asnjë qëndrim njerëzor. Për të gjykuar drejtë nuk mund të përjashtojmë rrethanat, sistemin, gaditshmërinë e fuqive të mëdha dhe kryesisht gjendjen tonë ushtarake. Nuk mund të gjykojmë si një këngëtar folklorik dhe të prodhojmë heronj sipas porosive apo përbërjes së odës. Madje edhe duke përjashtuar dy faktorë kryesor: kohën dhe mundësinë. Kohën dhe perceptimin real të asaj epoke. Edhe atë, qëllimisht duke shpërfillur Deklaratën e 2 Korrikut 1990 me të cilën abrogohej rezoluta e KNÇ e vitit 1945. Mund të merret me mend se edhe ata delegatë që shpallën Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugollave, ishin komunistë. Duke pasur parasysh rrethanat e atëhershme, ajo deklarata ishte e barabartë me një revolucion. Nëse pranojmë shpifjet publike të Qosjes dhe Demaçit për Rugovën, atëherë Rugova renditet në rangun e njëjtë me Ceno Kryeziun dhe Rrahman Morinën. Elitën komuniste shqiptare në Jugosllavi, nuk e quan Qosja tradhtare, por Rugovën. Për Fadil Hoxhën shprehet me mirënjohje edhe pse kishte shfuqizuar vendimet e Konferencës së Bujanës.

Ky është hero i popullit, Rugova është tradhtar që kishte shpallur Kosovën Njësi të Pavarur.

Nëse Rugova ishte tradhtar pse kishte qenë anëtarë i LKJ, atëherë aty duhet përfshirë mijëra shqiptarë, madje edhe kryeakuzatorin Qosja, por jo Demaçin. Qosja shan Rugovën edhe pse ka regjistruar LDK-në në Beograd, por vet nuk kanë pasur guxim të regjistrojë një parti të veten në Tiranë. Ai as nuk thotë cila ishte mundësia tjetër. Madje, as nuk tregon se ku duhej regjistruar apo duhej ngelur si parti ilegale kaçakësh jashtë institucionale, që Millosheviçi ta shpallte organizatë terroriste dhe ta eliminonte. Ata duke portretizuar Rugovën si kuisling, shkaktojnë një presedan të rrezikshëm sepse edhe Ismail Qemali, Hasan Prishtina e Pashko Vasa e shumë tjerë, ishin nëpunës apo deputet në mexhlisin osman, që i shërbenin Perandorisë. Pra, nëse pushteti ekzistues i asaj epoke merret si kolaboracionizëm, atëherë ne nuk kemi prodhuar histori, por një kronikë mercenarizmi. Vlerësimi objektiv, përjashton preferencat vetjake. Edhe xhelozinë. Me elozhet për Titon dhe Enverin dëshmojmë për një qëndrim difuz sepse ata dy nuk mund të jenë kurrë të mirë së bashku: ose njëri, ose tjetri. Për Qosen që të dy. Tito nuk ka qenë i mirë për shqiptarët. Dëbimi masovik i shqiptarëve në Turqi qe bërë derisa Tito sundonte Jugosllavinë. Nëse Tito paska qenë i mirë siç shkruan Qosja, atëherë ta shpallim edhe atë hero. Për Rugovën qenka mëkat pse ka qenë anëtar i partisë së Titos, por jo për Qosjen pse ka shkruar elozhe për themeluesin e asaj partie. Këtu nuk ka as logjikë, as koherencë, as qëndrim prej dijetari, as qëndrim dinjitoz. Ai gjykim është paralogjizëm dhe paradoks i llojit të rrallë.

Shpallja e Rugovës tradhtar ka dhe do të ketë pasoja të mëdha për kombin e vogël. Ai denigrim rrënon përkufizimet semantike, që përcaktojnë njerëzit si të tillë.

Një pjesë bukur e madhe e popullit, ka mendim miratues për të. Edhe në Perëndim u konsiderua si Gandi i Ballkanit. Vështirë të gjendet në Perëndim njeri, që do të kishte mendim negativ për të. Nëse Rugova paska punuar për Serbinë, atëherë kjo dmth. se Serbia kishte angazhuar një shqiptar për ta bërë publike diskriminim dhe segregacionin tonë. Ai mendim na sugjeron të shpallim hero Millosheviçin, që paska ndihmuar Rugovën të afirmojë çështjen shqiptare dhe terrorin e Millosheviçit. (Merreni me mend këtë skizofreni bipolare.) Rugova kur vlerësohet në një kontekst kohor konjuktural, atëherë nxirren në shesh postulate tendencioze dhe ekskomunikuese, por edhe ekstremiste. Për ta vlerësuar drejtë Rugovën pikë së pari duhet njohur qëndrimin e tij dhe epokën, kur po sillej ai ashtu siç nuk e kuptonin ne. Edhe në Afrikën e Jugut ka pasur njerëz, që do të kishin dashur hakmarrje kundër të bardhëve, por kjo nuk ishte filozofia e Mandelës. Ja çfarë thotë ai në biografinë e tij: ” Unë dija shumë mirë se shtypësi duhet të jetë poaq i lirë, sa edhe të shtypurit. Një person i cili ka rrëmbyer lirinë tjetrit, ai është i burgosur nga urrejtja e tij, ai është i ngujuar pas hekurave të paragjykimeve të tij dhe mendje ngushtësisë. ( … ) Kur kapërceva pragun e burgut, ky ishte misioni im: t’ua kthej lirinë njëkohësisht të shtypurit dhe shtypësit. ”

Ai nuk dëshironte ta infektojë popullin e vet me urrejtje, siç e kishte bërë aparteidi të vetin. Këtë nuk e dëshironte as Rugova.

Urrejtja lehtë i imponohet popullit, por nuk mund të kontrollohet pastaj. Ata që kanë lexuar Albert Camus sigurisht kanë lexuar edhe mendimin e tij se të kesh frikë nga lufta, është njëra ndër të arriturat më të mëdha të shekullit XX. Edhe psikologët thonë se frika është një emocion, që mbron njeriun nga rreziku. Të kesh frikë në Perëndim është më se normale. Të kesh frikë në Ballkan është krim që nuk falet, por në anën tjetër, të falin shitjen e drogës, edhe vjedhjen, edhe plagjiaturën, edhe rrënimin e shtetit, mirëpo kurrë drojën. E pse, kur me frikë nuk shitet drogë, me frikë nuk vidhet, me frikë nuk rrënohet shteti. Tek të gjithë popujt e botës shumica ka frikë nga lufta dhe shumica nuk flijohen. Rugova kishte frikë nga lufta, jo vetëm për veten, por kishte frikë nga ploja, nga përgjegjësia, nga kërcënimi serb permanent. Nuk është dobësi të kesh frikë nga lufta në qytetërimin post heroik, por të jesh kundër luftës në një shoqëri kreshnike, folklorike, fisnore, ku trimi apo mafiozi i pasur, vlerësohet dhe nderohet me më shumë përulje, se sa shkencëtari madh, është tradhti. Frika është është turp që nuk falet. Sepse aty motivohet të vdesë tjetri, sepse aty sublimohet vdekja e tjetrit, sepse këndohet sakrifica e tjetrit, sepse i duartrokasin flijimit të tjerit, sepse madhërohet, gjoja me empati e mirënjohje, tragjedia e tjetrit, por vet, vet i bëjnë bisht çdo akti, që mund të rrezikojë jetën. Adem Jashari nuk u sakrifikua për t’ u krenuar apo mburrur dikush me veprën e tij, por e ka bërë për lirinë dhe harmoninë brenda kombit, jo për armiqësimin e tij dhe ndarjen në taborre atdhetare dhe mercenare. Askund në botë nuk lufton shumica. Askund në botë nuk janë shumica trima. As tek ne, jo. Nuk është trimëri të shpallet i adhurueshëm Enver Hoxha duke u ekzaltuar edhe me 5.000 veta të vrarë prej tij. Nuk ka asnjë dyshim se ai ka bërë shumë vepra të mira, por nuk ka asnjë dyshim se traumatizoi pjesën dërmuese të kombit nga epshi për pushtet. Nuk ka asnjë dyshim se me ashpërsi mund të krahasohet me diktatorë më të ligë që njeh njerëzimi, që nga Kaligula, deri tek Stalini. Dashuria dhe respekti tepër i madh ndaj vrasësit të tjetrit, nuk është qëndrim dinjitoz as për një çoban, as për një akademik. Një simpati e tillë mund të artikulohej pas disa dekadave apo shekujve, por jo derisa viktimat janë gjallë dhe akoma vuajnë pasojat.

Nëse shkëputemi nga të menduarit fisnor dhe qëmtojmë drejtë filozofinë e Demaçit, Rugovës, Qosjes, Adem Jasharit, Ukshin Hotit, Anton Çettës, etj. atëherë mund ta konsiderojmë veten me fat si komb se këto personalitete, u shfaqën në një periudhë simetrike.

Mungesa e çdo njërit prej tyre, do të kishte pasur pasoja për çështjen shqiptare. Për ta kuptuar këtë duhet menduar vetëm ca sekonda në njëkohësinë serbe dhe shfaqjen e një elite nacionaliste barbare, që dëmtoi Serbinë më shumë, se sa mund ta bënin popujt jo serb në federatën jugosllave.

qosja-demaci-konica.al
qosja-demaci-konica.al

Ishte Demaçi shëmbëlltyra inspiruese për ne në vitin 81. Si studentë patëm kërkuar lirimin e tij nga burgu, edhe pse shumica nuk e njihnim as si dukej. Qosja atë ditë prilli na vështronte nga ballkoni i Instituti Albanologjik. Oosja ishte shembulli i atij intelektuali që qëndronte vertikalisht dhe u shndërrua në ideolog të lëvizjes. I atëhershmi, jo ky i sotshmi. Ukshin Hoti ishte filozof dhe politikani ndër të rrallët që kishte Kosova atëherë. E Rugova? Rugova kishte filozofinë e tij, ashtu siç pat Qosja të veten, Demaçi të veten dhe Adem Jashari të veten. Këta nuk kanë mundur të bashkohen sepse çdo njëri ishte gjeni në fushën e vet. Në të vërtetë, në qëndrimet ishin despot: Rugova despot i pacifizmit. Qosja despot i idesë dhe udhëheqjes shpirtërore, Demaçi i sakrificës, por tradhtari Rugova, pat ofruar patriotit Qosja detyrën e Kryeministrit të Kosovës. Përgjegjësi e madhe kjo për kohën. Qosja pat refuzuar. Më lehtë ishte të kritikohet mënyra se si ndërtohet një pallat, se sa ndërtimi i tij. Ashtu si kritikohet nga jashtë edhe Akademia e Kosovës, edhe Shoqata e Shkrimtarëve…

A nuk bën të mburremi me përkushtimin dhe rezultatin e çdo njërit, por jo të shpallim tradhtarë ata që nuk janë e të heqim dorë nga sekuestrimi i historisë dhe meritave. Ato akuza do të jenë të përkohshme, sepse një ditë fashitet inati, smira, urrejtja dhe historianët do të merren me faktet e prodhuara, e ato fakte, prej çdo njërit prej tyre, kanë rrezatuar një civilizim shqiptar. A nuk po shihni se po vuan populli nga këto përplasje dhe dezintegrohet nga brenda? Pse nuk vëreni shpërbërjen tërësore të shoqërisë? Pse ndihmoni në rrënimin e atyre pak nyjeve që kanë mbetur për ta mbajtur grumbull këtë popull me valixhe në dorë?

Nuk mund të quhet renegat Rugova pse refuzoi UÇK-në, apo pse kërkoi të ndalet sulmi i NATO-së. Ai qëndrim vetëm dëshmonte pacifizëm radikal, por jo tradhtinë. Duke shpallur Rugovën tradhtar, u krijua në Kosovë një gjendje paranoide, ku tradhtarë shpallen të vdekurit, gjersa tradhtarët e vërtetë edhe sot në shërbim të Serbisë, vazhdojnë me punën e tyre të papenguar. Shpallja tradhtar e një prijësi për të cilin shumica kanë mendim pozitiv, është përçarje në stilin e lartë akademik. Shpërbërje dhe rrënimi i një kohezion social, që synon çdo popull. Kjo është entropi. Entropi është sipas sociologut amerikan Amitia Etzioni, kur një shoqërie i mungon rendi dhe lidhshmëria sociale në mes vete. (Libri mund të lexohet falas Shoqëria aktive: një teori mbi proceset politike dhe shoqërore. Autori ka qenë dhe kryetar i shoqatës së sociologëve amerikan.)

Duke shpallur atë tradhtar u sekuestruan meritat dhe përkushtimi për pavarësi, me këtë u shpërblyen me vende të punës meritorët, sipas seleksionimit fisnor dhe kreshnik dhe u lan anash shumë ekspert dhe u zëvendësuan edhe me analfabetë.

Pas meritokracisë, u lind inaptokracia. Në kundërshtim të plotë me sjelljet e Konrad Adenauerit në Gjermaninë e pas luftës. Njihet thënia e tij se ujin e ndytë nuk do ta derdhim, derisa nuk kemi mundësi ta zëvendësojmë me të pastrin. Pra kishte edhe ish fashist në vende kyçe. Ashtu si diskriminonte Millosheviçi në raport me serbet, në të njëjtën mënyrë nisi diskriminim, armiqësimi, përjashtimi, stigmatizimi njerëzve që konsideroheshin mercenarë apo përkrahës të një tradhtari si Rugova. Madje disa edhe u vranë pas luftës. Kjo prishje kohezioni, kjo mungesë koherence në gjykim dhe vlerësim, krijoi shtresën e përjashtuar nga të mirat që sjellë demokracia dhe rriti varfërinë dhe vjedhjen më shumë se në kohën e Jugosllavisë.

Në përçarje dhe dezintegrim të brendshëm fatal, investuan të gjitha aftësitë intelektuale Rexhep Qosja dhe Adem Demaçi. Kjo meritokraci e toleruar prej tyre në fillim, e idealizuar prej tyre në fillim, e ngritur në mit, solli deri në mjerim social dhe implozion: duke braktisur shtetin dhe pavarësinë në masë. Sot Gazeta die Welt sjell një studim nga Universiteti i Bohumit autorizuar nga “Bertelsmann-Stiftung”: aty është shqyrtuar gjendja e fëmijëve nga familjet e varfra, që jetojnë nga asistenca sociale. Fëmijët kishin treguar këto mangësi: të dobët në gjuhën gjermane, të dobët në numërim, probleme me koncentrimin, vuajnë nga trashësia dhe kanë pak shokë. Pra varfëria pengon zhvillimin normal të fëmijëve dhe nesër këta do të jenë në periferi të shoqërisë. Se si ka punuar meritokracia jonë, rezultatin nuk e përjetojmë vetëm sot, por edhe nesër. Ky studim i tregon edhe Kosovës se çfarë e pret në të ardhmen me varfërinë më të madhe në Europë, por me politikanët ndër më të pasurit në kontinent.

Të gjithë dimë se edhe sikur të kishte përkrahur Rugova UÇK-në, nuk do të ndryshonte gjendja faktike, por do të humbte ai si njeri, ne si komb dhe pacifizmi tij do të quhej mashtrim. Kjo mund të reflektohej edhe në gjykimin e botës ndaj nesh. Çfarë i dhuhej UÇK-së pëkrahja verbale e Rugovës, kur involvoi Perëndimin në çështjen tonë? Këtë sukses nuk kanë pasur as Qosja, as Demaçi. Nuk ka pacifistë të përkohshëm. I përjetshëm ishte Gandi, ashtu ishte edhe Mandela. Ashtu si edhe Dalai Lama që kundërshton çlirimin e Tibetit me luftë. Rugova nuk ishte njeri që vesh çizme gjenerali. E vërtetë se Rugova nuk pat pranuar UÇK-në, por e vërtetë se mbolli në Perëndim mirëkuptim, që rezultoi në përkrahjen e përkushtimit dhe rrebelimit të UÇK-së jashtë. Ne si tërësi, si popull e si komb, fituam, çfarë dreqin kemi që prodhojmë tradhtarë, aty ku nuk janë, e nuk arrestojmë ata që janë? Pse nuk dimë të festojmë fitoren së bashku dhe ndërtojmë shtetin duke pasur edhe SHBA-të brenda? Duke qenë shtet i sigurt, aq sa është edhe SHBA. Pse na nevojite kjo luftë klasash në shoqëri? Pse kjo përçarje nga lartë? Pse ky inat? Pse kjo smirë? Pse kjo xhelozi? Tradhtar është ai që bashkëpunon me armikun, jo ai që denoncon barbarizmin e tij.

Për ta kuptuar Rugovën duhet njohur filozofinë e Gandit, i cili do të kishte kërkuar ndalimin e luftës, filozofinë e Mandelës i cili do të kishte kërkuar ndalimin e luftës dhe qëndrimin e Dalai Lamës. Shteti i Kosovës nuk ka pësuar humbje pse Rugova mbajti qëndrimin e tij radikal pacifist. Perëndimi është mësuar me shumë rryma dhe qëndrime në shoqëri. Qëndrimi tij tregonte se ne ishim popull i qytetëruar, se civilizimi jonë duronte edhe pikëvështrime dhe mobilizime tjera jo diktatoriale. Suksesi i Rugovës ishte në marrjen e miqve Serbisë, në denoncimin e aparteidit në Kosovë dhe në krijimin e miqve. Para tij nuk kishim pasur asnjë mik dhe aty mbaron misioni i tij. Suksesi i UÇK ishte përshpejtimi i procesit dhe aty mbaron suksesi i tyre. Suksesi i Qosjes ishte deri në vitin 2.000 pas këtij viti shërbeu në përçarje dhe krijimin e armiqësisë, acarime brenda shqiptare. Shërbeu me përkushtim të madh jo në pajtim kombëtar, por në polarizime. Duke u marrë me Rugovën e vdekur, duke e stigmatizuar atë ndikoi në përçarjen dhe huti kaotike nacionale. Nuk mund të imagjinohet një akademik në Perëndim të merret me çështje aq private të një kundërshtari vetëm për ta rritur përbuzjen ndaj dikujt dhe ithtarëve të tij, madje edhe duke folur se çfarë ka pirë e si ka pirë Rugova. R. Qosja nuk duron njeri mbi vete. Ai merret vetëm me ata që mund të rrezikojnë piedestalin imagjinar. Ai në fakt është letrar më i madh se Rugova, por në politikë ka dështuar më shumë se Rugova. Sikur të ishte gjallë Rugova, Qosja para tij do të kishte dështuar edhe sot politikisht. Për të parë popullorshmërinë e Rugovës dhe Qosjes, mund të shikohet tek wikipedia: për Rugovën është shkruar në 40 gjuhë të botës. Për Rexhep Qosjen në këto pesë gjuhë: anglisht, polonisht, suedisht, shqip dhe gjuha volapyk, që nuk di kush e flet.

A thua nuk është më e drejtë të jemi mirënjohës ndaj Adem Demaçit për sakrificën në të kaluarën?

A nuk është e drejtë të jemi mirënjohës për kontributin Rugovës dhe depërtimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ku nuk kishte qenë kurrë. A nuk është me vend të jemi mirënjohës për ndihmesën e dikurshme ideologjike të çështjesh shqiptare të Qosjes? A nuk bën të jemi mirënjohës me veprën e Adem Jasharit? A nuk duhet të jemi mirënjohës me veprën e UÇK-së? Pse paskemi nevojë të krijojmë tradhtarë dhe shpërfillim përkushtime tjera? Pse kemi frikë nga një i vdekur dhe merremi me demonizimin e tij dhe shpallim të dëbueshëm, të diskriminueshëm ndoshta gjysmën e popullit duke shpërblyer me vende pune vetëm sekuestruesit e meritave? A duhet ta quajmë Rexhep Qosjen frikacak që falë fustanit mbijetoi? A duhet ta shpallim tradhtar Adem Demaçin pse dëshironte Ballkaninë apo pse kundërshtoi firmosjen në Rambuje? Jo, ishte bindje e tij, siç ishte edhe Rugovës se fitohet me paqe. Siç beson edhe Dalai Lama. Qëndrimi i Qosjes para lufte ishte iluminist dhe mund të krahasohej me Voltairin, pas luftës u shndërrua në ateist formal zbavitës, qefli.

Është zhgënjim i madh të shohësh se si rrënohen shëmbëlltyra që je krenuar deri dje, që i ke çmuar, respektuar, lexuar më shumë se profetët.

Demaçi dhe Qosja sot sillen si dy çupëlina tekanjoze në pubertet: me inat, smirë dhe xhelozi. Ata shfaqen si inspektorë policie, si prokurorë dhe gjykatës në një njeri dhe me plot seriozitet, dalin para popullit për ta degraduar dhe pështyrë një personalitet shqiptar, vetëm se nuk janë në gjendje të shkëputen nga konteksti kohor dhe vështrojmë lëvizjen në mënyrë objektive. Vetëm nga droja se mund të renditen pas tij. Është keq kur sheh përmendoret e djeshme të gjalla të shndërrohen në ngucakeq me sjellje tipike të grave të lazdruara. Në këtë mënyrë përçanë populli si kurrë më parë në historinë shqiptare. Duke shpallur njërin tradhtar, që ka përkrahje të madhe në popull, shpallim mercenar edhe ndoshta gjysmën e popullit, që qenka mirë për ta diskriminuar siç bënte dje Millosheviçi. Madje edhe t’ i dëbojmë nga vendi. Çfarë na duhen pasuesit dhe ithtarët e tradhtarit? Kështu një ditë mund të mburremi se dëbuam mercenarët dhe ngelën vetëm gjaku i pastër arian i patriotëve, edhe atë, me një popullsi sa e Malit të Zi.

Sikur Qosja dhe Demaçi ta kuptonin kohën, e jo të flasin në afekt, të gjykojnë jo me forcën e imagjinatës në mënyrë kreshnike si në vitet e 30 të shekullit të kaluar me qifteli, atëherë ata nuk do të kishin toleruar, nuk do të kishin heshtur nga gabimi i parë në ndërtimin e shtetit, por jo të shfaqen pas karikaturës shtetërore, sepse ai shtet po keqndërtohej para syve të tyre. Asnjë degë administrative nuk funksionon si duhet. Janë punësuar të afërmit e tyre, madje edhe analfabetë, me merita dhe mitizimet që ua falën Qosja dhe Demaçi.

Është fare lehtë të dezintegrohet një komb nga brenda, siç e kanë shpërbërë horizontalisht dhe vertikalisht. Nëse Rugova është tradhtar si Rrahman Morina e Ceno Kryeziu, atëherë këtë nocion në fjalorin e shqipes duhet rikufizuar dhe shkruar: tradhtar nuk është ai që bashkëpunon me armikun, por kur R. Qosja në rolin e inspektorit hetues, në rolin e prokurorit dhe në rolin e gjykatësit, shpall dikë si të tillë. Kaq. Asgjë më shumë.

Edhe dy fjalë për titullin babai i kombit. Zakonisht në botë këtë emërtim meriton një politikan që ka dhënë kontribut në ndërtimin e shtetit, si për shembull Gandi në Indi.

Etër të kombit konsiderohen në SHBA ata që kanë firmosur Deklaratën e Pavarësisë. Sipas një zakoni të vjetër të senatit romak qe shpallur edhe Vittore Emanuele II„Padre della Patria” dhe ashtu shkruan tek varri i tij. Pjetri i Parë qe shpallur baba i Rusisë, që pastaj e përvetësoi Stalini. Si baba i pavarësisë është shpallur në Brazil José Bonifácio de Andrada e Silva. Edhe shumë vende tjera në botë kanë etërit e tyre, por askund nuk shpallet Baba i Kombit një romansier, kritikë letrar, poet, historian, por një njeri që me angazhimin e vet të madh në politikë, ka ditur të ndërtojë një shtet nga gërmadhat. Askujt nuk i shkon ndërmend në Gjermani të shpall baba Günter Grassin, Adornon apo një shkrimtar tjetër që ka fituar Çmimin Nobel. Kundër këtij emërtim me ngarkesë psikologjike frojdiane, duhet të luftojë vet Qosja. Do të shfrynte deri diku bullungun narcist.

Sidoqoftë duhet të jemi mirënjohës dhe t’ u ndërtojmë përmendore pranë Newborn-it:

Adem Jasharit, që ishte shëmbëlltyrë e rezistencës aktive dhe e atdhedashurisë
Ibrahim Rugovës, që ishte atdhetar idealist pacifist dhe zëzmadhues i çështjes shqiptare.
Adem Demaçit, që ishte atdhetar dhe u sakrifikua duke shërbyer si shëmbëlltyrë dhe frymëzim.
Rexhep Qosjes sepse ishte udhëheqës shpirtëror i lëvizje për çlirim.
Ukshin Hotit, që ishte politikan, atdhetar dhe filozof i vërtetë në skenën politike kosovare
UÇK-në që ishte rezultat dhe sintezë e atyre personaliteteve më lartë dhe natyrisht pa harruar edhe leximin e Deklaratës së Pavarësisë nga Hashim Thaçi, i cili do të ketë një vend të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar. Është fjala për Hashimin e djeshëm, jo të sotshmin.

Kushdo që përbuzë përkushtimin dhe angazhimin e atëhershëm të atyre më lartë dhe shumë të tjerëve, punon për shpërbërjen, për armiqësimin, për përçarjen e kombit dhe shpall kope dhe tradhtar një pjesë shumë të madhe të tij.

Neve para se të pajtohemi me serbet, duhet të pajtohemi në mes vete dhe të pushojmë me prodhimin e armiqësisë brenda familjes së madhe, që e quajmë popull dhe, të kremtojmë së bashku Pavarësinë e fituar, që nuk po e trajtojmë me respektin që e meriton dhe që nuk po e kuptojmë se e kemi…