Në Shëngjin do të mbahet festivali ‘Unum 2019’ nga data 31 maj deri në 3 qershor.
Me rastin e festivalit kombëtar, gjatë kësaj periudhe pritet të marrin pjesë rreth 7 mijë turistë. Ministri i turizmit Blendi Klosi, e cilësoi organizimin si rast për të promovuar Shqipërinë turistike dhe theksoi se do të synohet që aktiviteti të kthehet në traditë.
“Ne do të jemi të suksesshëm në kryerjen e operacioneve këtë vit në qoftë se vitin tjetër përsëri Shëngjini do të jetë vendi ku Unum Festival do zgjedhë për të organizuar festivalin e tyre. Edhe kjo është një ngjarje e cila shënon një hap të ri të vërtetë në promovimin e turizmit shqiptar në rajon.”, u shpreh Klosi.
Organizatorët e këtij festivali janë të bindur se kanë zbuluar një vend të mrekullueshëm për të cilin presin tua prezantojnë edhe të tjerëve.
”Është një mundësi që turistët të njohin bukuritë e Shqipërisë. Nuk ka më vende të tilla në Evropë, ndaj ne jemi këtu” shprehet Mousa Ceesay.
Ndërkohë Bashkia e Lezhës ka nisur punën prej muajsh që të jetë gati. Nënkryetari i kësaj bashkie, Enver Hafizi deklaroi se festivali do të shërbejë si pikë kryesore për fillimin e sezonit turistik.
Përveç promovimit të bukurive të bregdetit shqiptar, festivali synon të ndërgjegjësojë edhe për mbajtjen pastër të natyrës.