MENU
klinika

Reflektim mbi prejardhjen e fjalës

‘Gjiza’ ngatërron dy studiuesit e njohur Vehbiun dhe Xharrën

05.03.2019 - 19:19

Në Janar të këtij viti, studiuesi dhe publicisti i njohur, Ardian Vehbiu pati një përplasje me studiuesin e mirënjohur Fahri Xharrën.

Gjithçka ka ardhur si pasojë e një shkrimi të Fahri Xharrës, një inxhinier i iplomuar në Universitetin e Ljubjanës në degën e Shkencave Natyrore Teknologjike, i cili ka publikuar një shkrimi ku reflekton mbi fjalën “cheese” në gjuhën angleze.

Xharra shkruante se fjala “cheese” e cila në gjuhën angleze kupton-djathë, und ta ketë prejardhjen nga fjala “gjizë” në gjuhën shqipe.

Pas publikimit të shkrimit ka reaguar Ardian Vehbiu, i cili në një lloj forme, lëshon dhe akuzën për dezinformim, sipas tij me natyrë në thelb anti-dije.

Por, pas kundërshtisë së shfaqur nga Vehbiu, ka reaguar edhe vetë Fahri Xharra, me anë të një shkrimi: Po me Fahri Xharrën, ç’pate o Ardian Vehbiu?

fahri xharra-konica.al

Më poshtë gjeni dy shkrimet e plota:

Shkrimi i Ardian Vehbiut: “Gjiza e dijes”

Faqja 27.al, e cila rregullisht interesohet për çështje të kulturës e të albanologjisë, këtë herë kish vajtur e kish shkulur nga Facebook-u një status nga “studiuesi i mirënjohur Fahri Xharra”, i cili ka reflektuar rreth fjalës anglishte cheese dhe e ka nxjerrë këtë nga shqipja gjizë (Fjala “cheese” për djathin në anglisht vjen nga shqipja “gjizë”?). Ja si e paraqet tezën e vet studiuesi në fjalë:

A e dini se anglezët i thonë djathit “cheese” (çizë) dhe kjo rrjedhë nga fjala shqipe “gjizë”.

Nuk është hera e parë dhe as do të jetë e fundit që shqipja përdoret si instrument universal për të shpjeguar fjalë gjuhësh të tjera – këtë herë shorti i paska rënë anglishtes.

Mirëpo fjalës cheese në anglishte ia kanë identifikuar me kohë prejardhjen, duke e lidhur etimologjikisht me latinishten caseus, të cilën e ka marrë edhe gjermanishtja si Käse dhe holandishtja si Kaas: bëhet fjalë për një huazim të përbashkët të gjuhëve gjermanike nga latinishtja.

Përkundrazi, shqipja gjizë (madje edhe në versionin xhizë) konsiderohet si fjalë e fondit indo-europian; etimologjia e saj ende diskutohet, por askush deri më sot nuk e ka vendosur në lidhje me latinishten caseus dhe aq më pak me fjalët përkatëse në anglishte, gjermanishte dhe holandishte.

Sa për shqipen djathë, një tjetër fjalë e fondit indo-europian në shqipe, studiuesi Fahri Xhara thotë kështu: “djathi si produkt dhe emër tek ne ka lindur shumë më vonë se gjiza.” (Tek ne?) Gjithsesi, dhe pa u futur në debate me natyrë bulmetore, nuk ka arsye gjuhësore të supozohet se fjala djathë, në shqipe, është më e re se fjala gjizë.

Duke botuar kuriozitete të tilla, faqja 27.al dizinformon lexuesin pa arsye. Asgjë nuk i shtohet shqipes, as kulturës shqiptare, me përpjekjet për t’i shpjeguar fjalë të gjuhëve të tjera si “të ardhura nga shqipja.” Asgjë nuk i shtohet, në rastin tonë, as edhe anglishtes – gjuhë historinë e së cilës e kanë studiuar të tjerë dhe fjalëve si cheese ua kanë përcaktuar menjëherë prejardhjen.

Madje kjo përpjekje e z. Xharra po më tingëlloka fort e ngjashme me pretendimet e cave që “kanë deshifruar më në fund greqishten e Homerit”, a thua se nuk paskësh qenë bota në gjendje t’i lexonte Iliadën dhe Odisenë, pa ndihmën e “shqipes së vjetër.”

Historia e gjuhës shqipe ka shumë të panjohura, të cilat mund t’ua trazojnë pasionet edhe studiuesve amatorë. Megjithatë, etimologjitë e fjalëve të fondit indo-europian të shqipes, si gjizë dhe djathë, nuk duhen prekur përveçse nga gjuhëtarë etimologë të përgatitur, të cilët të paktën e dinë se çfarë nuk dinë.

Falë përpjekjeve të disa brezave të hulumtuesve të klasit të parë – nga G. Meyer-i te Jokli, Çabej dhe më të rinj si B. Demiraj dhe Orel, është krijuar një traditë edhe në etimologji; ku njëri brez kapitalizon arritjet e brezit tjetër dhe i çon ato më përpara. Mjaft të shohësh trajtimin e thellë dhe të hollësishëm që u bën Çabej ose B. Demiraj këtyre dy fjalëve, për të kuptuar se jo kushdo mund të ulet dhe të merret me etimologji; madje jo kushdo mund ta kuptojë zhbirimin etimologjik.

Prandaj edhe përpjekje si këto që ka vendosur të nxjerrë në pah faqja 27.al kanë natyrë në thelb anti-dije, sepse i shpërfillin dhe i nëpërkëmbin arritjet e deritanishme të dijes albanologjike, për t’u lënë vend fantazive, dëshirave dhe përrallave.

Nuk dua të paragjykoj gjakimin e një amatori kushedi të sinqertë që i shtjellon fantazitë e veta për qejfin e vet, në blogun e vet; por do t’i ftoja redaktorët e kësaj faqeje dhe të shumë faqeve të tjera të ngjashme, që t’u rrinë larg temave të tilla, sa kohë që nuk janë në gjendje që t’i vlerësojnë kontributet e të tretëve dhe të ndajnë shapin nga sheqeri, ose seriozen nga qesharakja. Me dëshirën e tyre për t’i shërbyer mitologjisë kombëtariste dhe ideologjisë kombëtare, ata në fakt po e dëmtojnë këtë ideologji, duke e kthyer në parodinë e vetvetes.

Më e mira do të ishte sikur kjo dëshirë, e kombinuar edhe me pasionin e mirënjohur të zotit Xharra, të shfrytëzoheshin për t’u mësuar shqiptarëve të sotëm shqipen e shkruar dhe për t’i familjarizuar këta me tekstet e shkruara në këtë gjuhë, të sotmet dhe të djeshmet. Sepse përndryshe, teksa mediat bëjnë garë mes tyre për ta shtrirë ndikimin e shqipes së lashtë në gjithë planetin, shqiptarët nuk do të jenë më në gjendje të lexojnë as SMS-të që shkruajnë vetë.

Në faqen që i bashkëlidhet në Wikipedia, Fahri Xharra prezantohet si inxhinier i diplomuar në Universitetin e Lubljanës, që ka punuar pastaj në biznese të ndryshme industriale dhe tregtare anembanë botës. Lihet të kuptohet se aktivizimi i tij i vonë në albanologji është i zellshëm dhe i përkushtuar, por jo profesional. Megjithatë, edhe kjo faqe vuan nga i njëjti problem: mungesa e profesionalizmit. Blogu i Fahri Xharrës mund të shfletohet këtu.

Në studimet e veta, Xharra është marrë edhe me gjuhën kopte, duke e lexuar pak a shumë sipas kësaj metode: koptishte en ten koa evol, shqip tan kon e fol, “të gjithë kanë për të folur” (nuk e kuptoj mirë nëse këto zbërthime janë të Xharrës, apo të koleges së tij Fiorina Shiko; por e kam të qartë se koptishtja nuk ka nevojë të zbërthehet, sepse mund të lexohet lirisht; kjo nuk ia heq lezetin etimologjive te tilla si Aegiptus, në analizë të fundit nga shqipja “a ku prij ti je” që do të thotë “nga ku ti vjen, prejardhje”; ndoshta 27.al do t’ia prezantojë këtë mrekulli lexuesit në ndonjë shkrim të ardhshëm).

ardian vehbiu-konica.al

Shkrimi i plotë i Fahri Xharrës: Po me Fahri Xharrën ç`pate o Ardian Vehbiu?

Reagim ndaj shkrimit “GJIZA E DIJES “ 5 Janar 2018,nga Ardian Vehbiu (https://peizazhe.com/2018/01/05/gjiza-e-dijes/?

Të ju njohtoj me mësuesin e gjuhes shqipe, Ardian Vehbiun (Tiranë, 1959) që është një autor dhe publicist shqiptar. Ka mbaruar studimet e larta në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe të fakultetit Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës. Gjatë viteve 1983-1990 ka punuar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Më pas ka qenë mësues i shqipes në Institutin Oriental të NapolitQë prej vitit 1996 jeton në New York.[ https://sq.wikipedia.org/wiki/Ardian_Vehbiu

Ja një copëz e shkrimit të Ardian Vehbiut : ” Faqja 27.al e cila rregullisht interesohet për çështje të kulturës e të albanologjisë, këtë herë kish vajtur e kish shkulur nga Facebook-u një status nga “studiuesi i mirënjohur Fahri Xharra”, i cili ka reflektuar rreth fjalës anglishte cheese dhe e ka nxjerrë këtë nga shqipja gjizë (Fjala “cheese” për djathin në anglisht vjen nga shqipja “gjizë”?). Ja si e paraqet tezën e vet studiuesi në fjalë: A e dini se anglezët i thonë djathit “cheese” (çizë) dhe kjo rrjedhë nga fjala shqipe “gjizë”.”

Ardiani zë thua në mua : “Nuk është hera e parë dhe as do të jetë e fundit që shqipja përdoret si instrument universal për të shpjeguar fjalë gjuhësh të tjera – këtë herë shorti i paska rënë anglishtes.” dhe e vazhdon :” Mirëpo fjalës cheese në anglishte ia kanë identifikuar me kohë prejardhjen, duke e lidhur etimologjikisht me latinishten caseus, të cilën e ka marrë edhe gjermanishtja si Käse dhe holandishtja si Kaas: bëhet fjalë për një huazim të përbashkët të gjuhëve gjermanike nga latinishtja.”

Para se të shkoj më tutje, desha ti them Z. Vehbiu se kur “latinët” e gjetën “caseus-in “ për gjizen apo djathin, të parët tanë pellazgo-ilirët i kishin kaluar nja disa mijëra vite duke e përdorur edhe gjizën dhe djathin si ushqim. Se sa i pranon pellazgët miku i Amerikes është çështje tjetër që do e trajtoj më vonë, po në këtë shkrim.

Jo pa qëllim e nxorra edhe këtë foto, me qëllim që të shihet se në anglishte edhe sot përdorët fjala e lashtë shqipe “clutching”

Në https://dictionary.cambridge.org/dictionary/english/clutch e gjeta për fjalën ”clutching” këto shpjegime :“ [ C ] a small group of eggs produced by the same bird, especially in a nest “ Pra, një sasi vezësh nga i njejti zog , që inkubohen e që shqip i themi me ra klloç ( klluq )”.

Po aty : ” clutch verb [ I/T ] (HOLD) to hold or try to hold something tightly, often because of a state of fear or anxiety: [ T ] The preschooler clutched his mother tightly.” Clutch (adjective [ only before noun ] /klʌtʃ/ UK /klʌtʃ/ US /klʌtʃ/ US .

Kurse në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe shkruan : KLLOÇKË f. sh.

• 1. Pula kur bie për të nxjerrë zogj dhe gjatë kohës që i rrit. Zogjtë e klloçkës. Si zogjtë rreth klloçkës. Ra pula klloçkë qëndron pula një farë kohe mbi vezë për të nxjerrë zogj. Shtroj klloçkën i vë pulës vezët për t’i ngrohur.

• 2. astr., bised. Shenjëzat. * E vuri klloçkë dikë e shtroi, e bëri të rrijë urtë. Janë si zogjtë e klloçkës janë të vegjël e të dobët, kanë nevojë për mbrojtje e për kujdes të veçantë. Mbetën si zogjtë pa klloçkë mbetën pa mbrojtje e pa drejtues, nuk ka kush të kujdeset më për ta (kryesisht për të vegjlit kur mbeten jetimë). Të vjedh vezën nën klloçkë është vjedhës shumë i shkathët.”

Le të vazhdojmë : ” coaching “ , ( https://www.thesaurus.com/browse/coaching

https://www.dictionary.com/browse/coach ) apo “ coach “ see definition of coaching

• verbinstruct, usually in recreation

Synonyms for coaching : teach, train, tutor, drill, educate, hone, prepare, ready etj.

Pra , mik i dashur Z. Vehbiu, kur pula i inkubon ( bie klluç ) vezët gjatë 21 ditëve ajo quhet “ klloçkë “ ( clutch ), dhe pasi që zogjët dalin në dritë, po ajo klloçka e merr rolin e koaçkes ( coach ) për ti rritur ato njomëza të reja.

Edhe një herë po ta them që klloçka dhe koaçka tek ne kanë që disa mijëra vjetë më herët se “lindja” e latinishtes dhe e latinëve., Sa për anglezët as mos të flasim !

Doktori i Akademisë shqiptare në Tiranë të viteve 1983-1990 z. Adrian Vehbiu , e vazhdon : ” Madje kjo përpjekje e z. Xharra po më tingëlloka fort e ngjashme me pretendimet e cave që “kanë deshifruar më në fund greqishten e Homerit”, a thua se nuk paskësh qenë bota në gjendje t’i lexonte Iliadën dhe Odisenë, pa ndihmën e “shqipes së vjetër.”

Historia e gjuhës shqipe ka shumë të panjohura, të cilat mund t’ua trazojnë pasionet edhe studiuesve amatorë. Megjithatë, etimologjitë e fjalëve të fondit indo-europian të shqipes, si gjizëdhe djathë, nuk duhen prekur përveçse nga gjuhëtarë etimologë të përgatitur, të cilët të paktën e dinë se çfarë nuk dinë.”

Sa për dijeni të z.Adrian Vehbiut po e shtoj edhe këtë :” Ne 1800 , Universiteti i Kopenhagenit shpalli konkurs për të zëvëndësuar mitologjinë greko-romake me atë gjermane ose kelte (14) Intelektualëve ju kërkua, që ajo të rizbulonin nga “goja e popullit”. Për çudi “Lashtësia Greko-Romake” u quajt “djepi” i qytetrimit europian të shk 18-19 dhe hyjnizohet deri në atë shkallë, sa mbreti bavarez Ludovik, në Mynih ndërton kopjet e monumenteve të Antikitetit të Athinës, duke përfshirë edhe Panteonin e famshem. Skema e “popujve Arian”, mohoi faktet historike, të qënies së një “Europe Pellazgjike” të Lashtësisë.

“Këtu, tretet Historia dhjetra-mije vjeçare e “Europës Pellazgjike” dhe ndërtohet Historia e Lashtësisë dymijë vjeçare e Europës Indo-Europiane, që studiohet sot. Kjo histori ,në tekstet mësimore, fillon me pushtimin e Kontinentit nga fiset “indo-europiane”nga Azia e Largët. Ne studimin e tij “Gjuhesia Ballkanike” Pr. Shaban Demiraj pohon se :“Të dhënat arkeologjike dhe historike dëshmojnë se Gadishulli Ballkanik ka qenë i banuar nga popuj të ndryshëm edhe para ardhjes së fiseve i.e. (=indoevropiane), që e kanë “indoevropianizuar” atë prej kohësh të hershme “ shkruan Fatbardha Demi Pra, Skema e “popujve arianë”,i mohoi faktet historike, të qenies së një “Europe Pellazgjike” të lashtësisë

Nga postimet e ndryshme të Adrian Vehbiut e kuptova që ai është ende i shkollës komuniste kur nuk guxonim të kishim gojë për të folë dhe e pengon kur ne shqiptarët shkruajmë : “Europa Pellazgjike” u flijua në shk 18-19 “Shumë njerëz habiten kur mësojnë se Modeli Arian (Historia e sotme e Lashtësisë –shën im) , që shumica prej nesh ka arritur ta besojë, është zhvilluar vetëm përgjat gjysmës së parë të shk19 (22).( F.D.)

Dhe se sipas tij :”Lashtësia , ku gjetën burimin artet, shkenca, filozofia, format drejtuese të shtetit dhe lindën ideologjitë politike, ju atribuan tërësisht jugut të gadishullit ballkanik, të emërtuar më vonë Greqia Antike “

Adrian vehbiut i pengon që edhe Lineari B edhe Homeri që lexohet shqip dhe shkruan “ Kjo përpjekje e z. Xharra po më tingëlloka fort e ngjashme me pretendimet e cave që “kanë deshifruar më në fund greqishten e Homerit”, a thua se nuk paskësh qenë bota në gjendje t’i lexonte Iliadën dhe Odisenë, pa ndihmën e “shqipes së vjetër.”

Mos ta zgjas shumë : “Vehbiu njihet si një nga kritizerët më të flaktë të Ismail Kadaresë dhe veprës së tij. Alfred Lela në një artikull në gazetën MAPO i ndan detraktorët e Kadaresë në dy grupime: sovjetikë dhe otomanistë. Një ndarje të ngjashme bëjnë edhe autorët dhe kritikë të tjerë, duke iu referuar edhe polemikave të mëparshme të Kadaresë me Rexhep Qosen dhe të tjerë , për sa i përket identitetit të shqiptarëve, ku ky i fundit shprehet qartësisht për një prejardhje dhe përkitje aziatiko-lindore të shqiptarëve, ndryshe nga Kadare që argumenton dhe tregon për një identitet europian.

Gjatë viteve Vehbiu ka qenë në mes të polemikave të ngritura vet nëpërmjet artikujve në shtypin shqip ose nëpërmjet reagimeve rreth Kadaresë që nga faqja e tij Peizazhe.com.”

Miku ynë është edhe në mbrojtje të neoosamnizmit në tokat tona: “Sa për osmanët, ne shqipot qenkemi me ta në luftë akoma; përndryshe nuk shpjegohet dot gjallëria “intelektuale” madje agresiviteti i Frontit Anti-Osman Nacional-Çlirimtar, të paktën në mediat. Dhe kjo luftë me penë e pështymë nuk ka ditë që të mos nxjerrë në pah ndonjë trim të ri, që të merr gjak në petull. Megjithatë, le ta themi edhe se këta kreshnikë të vonuar të shpatës e të penës po përfitojnë rëndshëm nga kornizimi që i është bërë historisë kohët e fundit pikërisht nga ato institucione që duhej të kujdeseshin për historinë dhe ta ruanin nga kornizime të tilla. E kam fjalën për idenë – që tashmë ka zënë rrënjë dhe është kthyer në program – se historia mund të modulohet sipas dëshirës dhe interesit të elitave; dhe se e vërteta mund edhe të sajohet, me kusht që kjo të jetë “në favor të çështjes kombëtare” ose “të na e ngrejë imazhin para të huajve.” Këtë e kanë pasë quajtur një herë e një kohë falsifikim; por falsifikimi tashmë është bërë i modës, duke filluar me letërsinë dhe letrarët kombëtarë, që prej dekadash i bien kësaj culeje të shtrembër dhe e paraqitin të shkuarën shqiptare mu sikurse dëshirojnë që t’u jetë shqiptarëve të tyre e ardhmja. (Ardian Vehbiu: U bëmë për pllakë

03 Tetor, 2015 )

Po , si Muzafer Korkuti ashtu edhe Ardian Vehbiu pajtohen në të njëjti mendim : ” ……sepse nuk mbrohet lashtësia e gjuhës shqipe dhe e popullit shqiptar me diletantizëm e nga pozita nacionaliste… të mos jemi kategorik në gjykimet tona dhe çka është e papranueshme dhe e dëmshme, të mos biem në pozita nacionaliste duke pohuar se: “Nuk ka dhe nuk ka ekzistuar kurrë komb grek..”

Kujt i frigohenburrat e dheut ?