MENU
klinika

“Meshari” mesazh shqip

Gjon Buzuku shkroi gegërisht

20.03.2019 - 11:51

Më 20 mars të 465 vjetëve më parë, do të niste rrugën e vet, fjala e shkruar shqip!

“U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për smujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë… “ Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor, – shkruan Gjon Buzuku në “Meshari”, veprën letrare më të vjetër shqipe të botuar dhe të ruajtur deri sot.

Libri përbëhej nga 110 fletë mirëpo kopja e librit që ka arritur është e cunguar dhe i mungojnë 16 faqet e para, ndër to edhe kopertina me faqen kryesore.

Qysh prej botimit e deri më 1740, gati dy shekuj, “Meshari” ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur.

Më 1740 u zbulua ne Bibliotekën e Propaganda Fides, afër Romës, Meshari i don Gjon Buzukut (1555), që u zbulua nga ipeshkvi i Shkupit, Imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova.

Gjithë gëzim për këtë gjetje, ai njoftoi Gjergj Guxetën në Palermo, të cilit i dërgoi një faqe. Libri mendohet të jetë shtypur në Venedik në alfabetin latin, duke shtuar disa shenja cirilike për tingujt në shqip. Ky zbulim bëri bujë të madhe, sepse është libri i parë në gjuhën shqipe.

Zbulimi mbeti në heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot me shënimin Katalogu: R.G. Liturgia III, 194.

Më 1932, libri u fotokopjua në tri kopje, njëra nga të cilat gjendet ne Bibliotekën Kombëtare Shqiptare në Tiranë. Me 1968, gjuhëtari i shquar shqiptar Eqerem Çabej, botoi studimin shkencor te veprës së Buzukut të shoqëruar me studimin për gjuhën dhe meritat e autorit. Ekspozimi i veprës origjinale, për herë të parë në Shqipëri, u arrit në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.

Në pasthënien e veprës, Buzuku kërkon ndjesë për gabimet e shtypit, duke folur edhe për vështirësitë e botimit. Ai thekson se ndihet krenar që harton veprën e parë me një subjekt të tillë, kur ishte mjaft e vështirë për kultivimin e shkrimit shqip.

Çabej, ishte i pari në studimin e tij që vuri re shtatë psalmet pendestare, të mesharit të Gjon Buzukut, që përshfaqin bukurinë e një vepre artistike dhe letrare. Rëndësia e “Mesharit” për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare është monumentale. Aty pasqyrohet gjuha shqipe dhe gjendja e saj në kohën e botimit, me një pasuri të madhe të fjalorit, me gegërishten veriore dhe trajta që do dalin më vonë në toskërishten dhe të folmen arbëreshe.

Gjon Buzuku ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore, jo shumë larg nga vendi i botimit dhe një nga lëvruesit më të rëndësishëm të gjuhës shqipe. Me veprën e vet, ai konsolidoi një traditë të rëndësishme të të shkruarit të gjuhës shqipe me alfabetin latin.

 

 

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit