MENU
klinika

Poezia si institucion

Gjuha përmes vargut

27.03.2019 - 15:04

Pedagogia dhe studiuesja e pedagogjisë Antonia Ragone, shpjegon se edukimi përmes poezisë mund të jetë një antidot i përkryer kundër negativitetit që gjallon në ditët tona. Poezia është një mjet i dobishëm në pedagogji, për të ndjekur idealin edukativ të personit, pasi Edukimi dhe Poezia kanë aspekte të përbashkëta, si tregimi, fjala dhe metafora.

“Roli i rëndësishëm pedagogjik i poezisë qëndron në disponueshmërinë e përvojës së poetit, pasi në brendësi të saj është e qenësishme fuqia humanizuese, mënyra krijuese e përdorimit të imagjinatës, gjithnjë në dispozicion të emocioneve, ndjenjave, idealeve” (Giancane 1985).

Po jetojmë të zhytur në një realitet të përditshëm ku fjalët e kanë humbur ngjyrimin, domethënien, pra është e domosdoshme që ta përvetësojmë sërish atë. Poezia nuk është vetëm për një pakicë të privilegjuar elitë, ajo i përket të gjithëve dhe jo vetëm poetëve, është një mënyrë që gjithsecili të arrijë të lexojë realitetin e vet. Në shoqërinë tonë komplekse dhe gjithnjë e më konfliktuale, të dhunshme, edukimi me anë të poezisë shërben si një antidot kundër të keqes së përditshme (homologimi, homofobia, ngacmimi, brutaliteti, humbja e vlerave dhe idealeve, tensioni, joautenciteti, frika e të qenit ndryshe). Përvoja sociale njerëzore, shpesh për shkak të përdorimit jokritik dhe pak të vetëdijshëm të medias, veçanërisht të rrjeteve sociale, bazohet në shpejtësinë, në marrëdhëniet në distancë përmes ekranit dhe tastierës, duke favorizuar formimin e modelit stereotipik dhe të standartizuar njohës dhe gjuhësor.

Poezia ka funksion zbulues, një mundësi për të lexuar gjendjen e brendshme, për të mos pasur frikë nga e pandërgjegjshmja, për të harmonizuar zemrën me arsyen, lejon reflektimin mbi domethënien e jetës, zhvillimin e mendimit narrativ (J. Bruner), vetëreflektimin, instiktin formal dhe sensual (F. Schiller); poezia është realiteti i të përditshmes: vëzhgim, kujtim, ëndërr, emocion, liri. Po ashtu ajo luan rolin e një zëdhënësi, sepse, siç shprehet J.L. Austin fjala prek perceptimet, mendimet, sjelljet dhe për këtë arsye mund të jetë mjet transformimi dhe ndryshimi. Vlera edukative e poezisë lejon procesin e analizimit dhe krijimit të identitetit vetjak mbi bazën e njohurive që personi përpunon mbi veten, mbi të tjerët dhe mbi marrëdhënien me kontekstin që ai ka për jetën. Sipas Dewey, “poezia është e lidhur ngushtë me jetën e përditshme”.

Në të vërtetë, poezia është të shprehurit me imazhe për të identifikuar veten dhe për të parë ato gjëra që i shohim çdo ditë në jetën e përditshme frenetike, por që asnjëherë nuk u kemi kushtuar rëndësi, nuk i kemi parë ato përtej aparencës, përtej paragjykimeve. Për më tepër, elementi përbërës i poezisë, metafora, konsiderohet si mjet njohës i natyrës intuitive, “një shpikje që zbulon realitetin” (Bisutti), që do të thotë lejon të komunikojë të panjohurën në bazë të asaj që tashmë është e njohur. Po ashtu luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e pyetjeve, reflektimeve, reagimeve emocionale dhe intelektuale, si dhe të nxit drej ndryshimit, duke hapur perspektivën për rritjen e identitetit të gjithsecilit. Edukimi me poezi është pjesë e dimensionit estetik: “shije, si aftësi për të ndier, shijuar, për të soditur bukurinë, pra arti”, bukuri që i përket gjithë njerëzimit, sepse sjell në dritë ndjenjat, të jetuara, përvojat e dobishme në procesin e maturimit identitar dhe personalizimit, na shtyn drejt zbulimit të vetvetes. Është e dosmodoshme të mos e jetojmë të përditshmen me sipërfaqësi, por të zgjatemi në gjëra të bukura, duke nisur nga bukuria e fjalëve, duke dëshmuar dashurinë për bukurinë jo vetëm me poezi, por në çdo lloj komunikimi njerëzor, përkundër përsiatjeve dhe shoshitjeve ekspresive që përhapen në uebe, duke përshtatur një komunikim të qartë dhe kreativ.

Një poemë emblematike mbetet poezia e mrekullueshme “Itaka” e Kavafisit. Itaka është shkruar në vitin 1911 nga poeti dhe gazetari grek Konstandin Kavafis (1863-1933), i cili jetoi në kapërcyellin e dy shekujve. Poezia këtu simbolizon origjinën, arsyen dhe në të njëjtën kohë qëllimin e udhëtimit të gjatë, i ngjashëm me atë të Uliksit legjendar tek “Odiseja”, udhëtim që çdokush e bën në jetë. Të shpresojmë që udhëtimi (që simbolizon jetën) të jetë i gjatë, të njohim gjithnjë e më shumë gjëra, të admirojmë shumë bukuri, të mrekullohemi çdo ditë, të përballemi me frikërat (Lestrigoni, Ciklopi, Poseidoni) që takojmë rrugës, duke vënë kështu edhe veten në provë.

“Itaka” shërben si një mjet pedagogjik, sepse njeriu si qenie që gjatë gjithë jetës mëson, duhet të mësojë sa më shumë të jetë e mundur gjatë udhëtimit, përmes përvojave të jetuara, gjithmonë i vetëdijshëm se destinacioni nuk është i rëndësishëm, udhëtimi (rruga e jetës) është më i rëndësishëm: këmbëngulja, kokëfortësia, fryma e sakrificës dhe të jetuarit me gëzim dhe plotësi, gjithnjë në zbulim të risive, e bukura e jetës është vetëm kur ajo jetohet me gëzim dhe jo duke iu frikësuar të tashmes.

 

ITAKA

Pasi të dalësh rrugës për Itakë,

Uro që të jetë e gjatë udha,

Plot me ndodhira, plot me dituri.

Prej Lestrigonësh edhe prej Ciklopësh,

Prej Poseidonit të ndërkryer mos u tut,

Udhës këto s’ke për t’i hasur kurrë,

Veç në të qoftë i lartë e i rrallë mejtimi

Në trup e shpirt ke për të gjetur ngazëllim.

Ti Lestrigonët, sindëkur Ciklopët

Dhe Poseidonin e egër nuk do t’i takosh,

Përveçse në i mbart përbrenda shpirtit,

Veç nëse shpirti nuk t’i ngreh përballë.

 

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit