MENU
klinika

Protesta e 5 Marsit

Gjykata e Tiranës liron protestuesit e arrestuar

08.03.2019 - 17:39

 Gjykata e Tiranës liroi të gjithë të arrestuarit e protestës së 5 marsit, pasi u arrestuan nga policia për trazirat në protestë.

Protestuesit e arrestuar të cilët i janë rikthyer lirisë, janë Lorenc Bezati, Ervis Gaspri, Adi Meçja, Ervin Ceka, Lulzim Daci, Armando Prendi, Miklovan Ndreu dhe Nikoll Cepa. E vetmja masë që u dha ndaj tyre është detyrim paraqitje për prishje të qetësisë publike dhe kundravajtje penale.

Në seancë ishte i pranishëm dhe ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu, i cili tha se kërkesa e prokurorisë rrëzoi pretendimetse në protestën e PD-së ka pasur dhunë.

Policia e Shtetit i arrestoi 8 protestuesit pas tubimit të së martës, 5 mars 2019, para parlamentit, pasi sipas tyre kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta e lëndë plasëse, gurë, shkopinj, fishekzjarre punonjësit e Policisë.

Ata u arrestuan me akuzën për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.