MENU
klinika

Cilat ishin ato shqiptare

Gratë që drejtuan botën

08.03.2019 - 14:49

Si lindi “First Lady” dhe cilat janë gratë në krah të burrave që kanë drejtuar e drejtojnë planetin? Një udhëtim në zbulimin e personazheve që kanë shkruar historitë e “First Lady”, nga Marta Uashington te Zhaklin Kenedi, Melani Trump, veset dhe virtytet.

Po në Shqipëri? Nga Mbretëria, me Konteshën Geraldinë, në sistemin komunist, me Nexhmije Hoxhën, “Gruaja e Parë”, ardhja e Monika Sihanuk në Tiranë dhe Gorbaçov me Raisën, një “First Lady” në Bashkimin Sovjetik. Vitet ’90, nga Alia, Berisha, te Nano, si ka funksionuar “First Lady” në Shqipëri në postkomunizëm?

GRATË NË KRAH TË BURRAVE QË KANË KOMANDUAR BOTËN

Thuhet që pas një burri drejtues shteti qëndron gjithmonë një grua, nënë, e dashur apo vajza, një First Lady. Për herë të parë, fjala “First Lady” u përdor më 1849 për Dolley Todd Madison, gruaja e Presidentit J. Madison, ndërkohë që në SHBA, për gruan e zv/presidentit përdoret edhe “Second Lady”.

E pazyrtarizuar, edhe pa asnjë mandat nga votat e zgjedhësve, askush nuk ka mundur ta shpallë zyrtarisht First Lady-n gruan e apo Zonjën e Parë të shtetit. Pa pagesë, me një staf me bashkëpunëtorë, ato janë të angazhuara si pjesë aktive në sistemin politik e social të vendit e atë botëror. Edhe protokolli diplomatik ndërkombëtar e parashikon gjithmonë praninë e First Lady-t në një takim apo shtrëngim të duarve. Në mbretëritë funksionon ndryshe, por dhe në republikat nuk ka një ligj që të përcaktojë rolin, detyrat e saj, që ndryshon me çdo fushatë zgjedhore, kur gjithçka nis nga e para. Në një renditje ideale lidhur me First Lady në të gjithë botën në vendin e parë është Zhaklin Kenedi, që edhe pse qëndroi në më pak se tre vite në Shtëpinë e Bardhë, krijoi një model që edhe sot vazhdon të frymëzojë First Lady-t, duke e imituar atë.

KONTESHA GERALDINË, NJË FIRST LADY PËR MBRETËRINË

Ka dy raste kur Mbreti ka në krah Mbretëreshën- First Lady dhe kur Mbretëresha e ka bashkëshortin First Gentilman. Kur Ahmet Zogu u shpall Mbret, edhe në Shqipëri fillon një epokë ndryshe nga e kaluara, për praninë e një First Lady në krah të burrit-Mbret. Madje, nga libri, “Ahmet Zogu, Presidenti që u bë Mbret” i B. Fevziut, informohemi se “..si qe parashikuar, Shikimi i Bekuar, nuk i ka dhënë të drejtën Konteshës Gerarldinë Appony për lejen, për të cilën kishte aplikuar për t’u martuar me Zogun, Mbretin e Shqiptarëve, që është mysliman. Por me disa rregullime të Vatikanit, disa muaj më vonë, ka lejuar martesën e ardhshme të Mbretit të Shqiptarëve Ahmet Zogu, me Konteshën Geraldinë Appony të Hungarisë dhe me 27 prill kontesha… me nënë amerikane u bë Mbretëresha e parë e shqiptarëve… dhe …pjesa më e madhe e plaçkave u soll nga Parisi prej vetë mbretit, i cili kishte një shije të hollë dhe i pëlqente shumë të zgjidhte veshjet për Geraldinën..”. Mbreti Zog ruajti një normë, nuk e fshehu asnjëherë daljen e tij me gruan, mbretëreshën Geraldinë, kryesisht në evenimentet kryesore, ceremonitë zyrtare, festat jubilare, pritjet, etj.

Në mbretëritë tradicionale, në kohët moderne, është gjithmonë e më e vështirë të gjenden princesha në rolin një First Lady, kështu monarkitë janë të detyrua të shpallin princesha edhe nga njerëzit e thjeshtë. Ranieri i Monakos shkoi deri në Amerikë për të kërkuar midis yjeve të Hollivudit, një First Lady, për mbretërinë e vogël të tij dhe ishte i sigurt që Greis Kelli do të ishte “Oskar” në rolin e saj. Margarita II, Mbretëresha e Danimarkës, martohet me kontin francez, Harri della Vor de Monteza, por princi Harri, duke ndjerë se do të qëndrojë gjithmonë nën hijen e saj, nuk i ka mjaftuar fakti të jetë First Gentilman i Danimarkës, duke refuzuar që pas vdekjes të varroset në varrin e familjes mbretërore. Në Japoninë e largët mbretërore princi Naruito dashurohet me një bukuroshe në moshë të re, borgjeze, me të cilën martohet, dhe Baza Krovata, si gruaja e sovranit, është princeshë. E para e Mbretërisë italiane ka qenë Elena, principeshë e Malit të Zi, e preferuar nga Mbretëresha Margaritë, nëna e Emanule Vittorio III, që e zgjedh edhe për fizikun e imponues 1.80 m, edhe pse jo në raporte të drejta me mbretin. Në Mbretërinë e Bashkuar, Diana e frymëzuar nga Zhaklin Kenedi, ishte një First Lady perfekte që shkëlqente, duke zbehur figurën e mbretit të ardhshëm, burrit të saj Karl. Aktualisht, si First Lady janë Megan Markl, gruaja e princit Harry, nja aktore amerikane, shumë e bukur, por e divorcuar, që e interpreton mjaft mirë rolin e saj publik si një First Lady e Anglisë, si dhe Keit Midelton, gruaja e Uilliam, një ish-studente e shkëlqyer, ndonëse jo nobile, por nuk gabon në asnjë hap, në prezantimin e saj si një tjetër First Lady e Mbretërisë. Larg nga ky pozicion është Kamilla Shand, gruaja e Karlit, që pas ndarjes dhe tragjedisë së Dianës, ka humbur shumë terren.

FIRST LADY-T NË SHQIPËRINË KOMUNISTE

Në Shqipërinë komuniste, deri në vitin 1961, drejtuesit kryesorë partiakë, gjatë pritje-përcjelljeve të delegacioneve të huaja apo në festat kombëtare janë shfaqur edhe me bashkëshortet, madje së bashku edhe në disa udhëtime kryesisht në vendet e demokracive lindore. Në ish-Bashkimin Sovjetik, Stalini nuk u shfaq asnjëherë më gruan në publik, por edhe kur Krushovi mbërriti me bujë në Shqipëri, ishte i vetëm. Pastaj vjen periudha e mbylljes, nuk ka më vizita dhe në krah të Enver Hoxhës, Sekretarit të Parë të Partisë, njëkohësisht udhëheqës i shtetit, shfaqet dhe gruaja tij, Nexhmije Hoxha.

Shihen së bashku në foto familjare ose në ndonjë pritje si ajo me Norodom e Monika Sihanuk. Ajo është deputete dhe për shumë vite Kryetare e Frontit Demokratik të Gruas, pastaj Drejtoreshë e ISM-L. Në Shqipëri, Haxhi Lleshi është Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, njëkohësisht edhe President i Shtetit, por ky rol nuk funksionon zyrtarisht, për pasojë ai nuk është parë me gruan Haxhire. Kur intensifikohen raportet me Kinën, ato shoqërohen me shkëmbime delegacionesh, nga Cu En Lai, Mehmet Shehu, por pa praninë e grave. Po kështu, edhe me pushtetarët në vendet e Lindjes së Largët, kur Mao Ce Dun rrallë mund të ketë një foto me gruan e tij. Pak më ndryshe në Jugosllavi, me Titon e Jovankën, apo çifti Çaushesku në Rumani. Sinjalin e parë në kampin socialist e dha Mihail Gorbaçov, me gruan e tij Raisa, kur u zgjodh në krye të B. Sovjetik gjatë viteve ’80. Më 1982, Ramiz Alia, është KKP, në vend të H. Lleshit, pas ndarjes nga jeta në moshë të re të gruas Semiramis (1985), në krah të tij qëndroi vajza Besa, të cilën do ta bënte publike pas viteve ’90, atë pak kohë si President i Shqipërisë.

Në Shqipërinë postkomuniste, figura e Gruas së Parë filloi të shfaqej, por e pa konsoliduar në stilin, kuptimin e plotë të një First Lady klasik. Dhe Zonjat e Para, gratë e presidentëve, nga Liri Berisha, Lidra Mejdani, Teuta Topi dhe Odeta Nishani, që, si traditë, janë të angazhuara kryesisht në shoqata e fondacione bamirësie. Alfred Moisiut, President i mbetur i ve, afroi vajzat në rezidencën qeveritare, madje edhe me dalje publike, si First Lady. Edhe K/ministri karizmatik Fatos Nano, pas ndarjes me gruan e parë, Rexhina, u shfaq me Xhoanën, një First Lady simpatike, ndonëse me diferencë moshe, gruaja e dytë e tij. Sot, First Lady është Monika Kryemadhi, bashkëshortja e Ilir Metës, Presidentit aktual të Shqipërisë, e cila publikisht ka hequr dorë nga ky rol, duke ia “deleguar” vajzave të saj, por më së shumti asaj së voglës, e cila shfaqet më shpesh në krah të Presidentit Meta.

MONIKA SIHANUK, PRINCESHA QË E PRET EDHE ENVER HOXHA

Ndryshe nga parimet, mbetet unikal rasti kur një princ e princeshë, Samde Nordom e Monika Sihanuk, kanë zbritur jo më pak se një herë në Shqipëri e janë shoqëruar me entuziazëm nga pushtetarët e kohës, me në krye Hoxhën dhe Byronë Politike. Ndonëse dihej që Tirana ishte kundërshtare e deklaruar e çdo monarkie, vetë udhëheqja komuniste do të organizonte përcjellje, një banket të madh, si ai në Pallatin e Brigadave në shkurt të vitit 1976, aty ku çifti mbretëror edhe do të akomodohej. Gjithçka u publikua në gazetat revistat e kohës, shoqëruar me fotografi. Sihanuk ishte i martuar disa herë, por Monika ishte gruaja e tij më e bukur, një First Lady e vërtetë për nga madhështia, dhe gjatë qëndrimit në Tiranë ajo ka qenë kliente e permanentit te “Shallvaret”, kur rregullonte flokët te Nedreti.

PRESIDENTE NJË FIRST LADY…

Amerika Latine ka të tjera histori dhe janë nëntë gra që janë bërë kryetare shteti, First Lady të një vendi jugo-amerikan. Veronika Michelle Bachelet Jeria, mjeke në profesion, por edhe politikane, ministre e Shëndetësisë, ka qenë Presidente e Kilit në dy mandate radhazi, 2006-2010, 2014-2018. Më 1946, President i Argjentinës është Juan Peron, që pas grushtit të shtetit largohet për t’u rizgjedhur sërish në vitin 1973. I martuar me Evita, Fisrt Lady e Argjentinës (1946-52), por që pas një tumori vdes në moshën 33-vjeç, Isabel Martinez do të jetë gruaja e tretë e Juan, që më 1973 rizgjidhet President. Pas një viti vdes dhe Isabel është Presidente, First Lady pa kaluar në zgjedhjet elektorale. Po kështu, edhe Kristina Kirshner avokate, politikane, senatore, si gruaja e Presidentit argjentinas Nestor Kishner, është First Lady. Drejton shtetin në krah të burrit nga viti 2003-2007, për të qenë Presidente e shtetit në harkun kohor 2007-2015, që përbën rastin e dytë kur një grua zgjidhet Presidente e Republikës së Argjentinës. Por, nuk janë as të parat e të fundit gra në krye të shtetit, pasi janë edhe katër të tjera që kanë fituar zgjedhjet presidenciale në një vend amerikano-jugor, midis tyre Violeta Chamorrolte (1990- Nikaragua), dhe Janet Jagan (1997-Guine). Në Brazil, nga e para First Lady, 1889, Mariana Cecília de Sousa Meireles, tradita do të vijojë dhe me ardhjen në krye të Presidentit të sapozgjedhur Jair Bolsonaro, gruaja e tij e bukur, Michelle de Paula Firmo Reinaldo Bolsonaro, është First Lady, e 35-ta në historinë braziliane të First Lady.

KRYEMINISTRE ME NJË FIRST GENTILMAN

Ende e papërcaktuar figura e bashkëshortit në botën anglosaksone, njihet si “First Gentilman”. Rasti tipik është ai i Margaret Thatcher, Kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar, ndër më potentet gra në botë, një Ledy e hekurt, kimiste, avokate, në krah të të cilit, në heshtje, rrinte Denis, i shoqi. Në Gjermani nuk ka qenë e lehtë të ishe First Gentilman për një shkencëtar me famë botërore, që mund të kishte konkurruar edhe për çmimin “Nobel”, nëse nuk do të ishte martuar me Merkel. Joakim Zaol, burri i dytë i saj, e shoqëron në takimet ndërkombëtare, por shpesh ndodhet në shoqërinë e një tjetri First Gentilman, X. Betten, K/ministri i Luksemburgut, një homoseksual deklaruar, i martuar në majin e 2015, me Gotie Desten, arkitekt, i cili ka marrë rolin si First Lady, e për këtë fakt, edhe protokolli i Shtëpisë e Bardhë e ka harruar ta vendosë në listën zyrtare së bashku me të tjerat First Lady.

FRANCA PRESIDENCIALE ME PREMIERE DAME

Në Francën presidenciale nuk e njohin si anglezët, por për to flitet pa fund. Mediat do të shkruanin pafund për gruan 24 vjet më të madhe të Makron, e cila është Premiere Dame e Francës. Jo pak do të flitej edhe për Nikolas Sarkozi, Presidentin e 23-të të Republikës, i martuar me Sesilia Kulioli, pastaj me Sesilia Albenis, që në vitin e parë të mandatit është në krizë. Sarkozi duhet të gjejë një Premier Dame me kredibilitet, që të kryente dhe rolin e First Lady e Karla Bruni, nga një familje e pasur, italiane e natyralizuar franceze, e bukur, këngëtare, aktore dhe modele nga më të famshmet e të paguarat, në vitin 2008 është gruaja e tretë e tij dhe Dama e Parë e Francës. Deri më 2007, Holand bashkëjeton me Segolen Rojal, politikisht eksperte, kandidate para tij për president në garë me Sarkozi, dhe kanë katër fëmijë, një lidhje kjo e pazyrtarizuar me martesë.

Njëkohësisht, ai ruan një raport sekret me gazetaren Valeri Treiveller, i bërë publik më 2010. Kur më në janar të 2014, javorja “Closer” zbulon që Holand, President me një skuter, në mënyrë klandestine, misterioze, dilte natën e takonte të dashurën e re, aktoren Zhulie Gaie, gruaja Treivell, e befasuar, shtrohet në spital nga depresioni. Për të gjetur një First Lady, duhet të presim zgjedhjet e radhës. Arrin Makron, Presidenti me moshë të re i martuar me Brixhit Tronje, pedagogen e tij në letërsi, 24 vite më e madhe se ai, e ndarë nga burri bankier, me të cilin ka tre fëmijë. Makron mendon se ka ardhur koha për një lëvizje epokale, për ta njohur e bazuar në ligj rolin e First Lady, që do të ishte hera parë nëse ndodhte diçka e tillë. Por pati reagim në opinion, Parlament dhe roli i Premier Dame mbeti i pandryshuar. Rrallë ka ndodhur që të dashurat të jenë First Lady, si në Francën e “dashurive të bujshme”, asnjëra prej tyre Premier Dame.

ITALIA ME “LA DONNA” O “LA SIGNORA”

Në Italinë e Republikës të sapokrijuar, Enriko de Nikola mendonte se një President nuk duhet të jetë shoqëruar nga figura e një gruaje dhe në Kuirinale ai të qëndrojë vetëm, por historia nuk i dha të drejtë. Pas tij, Luixhi Enaudi (1948-1955), Presidenti i parë i zgjedhur, vjen edhe gruaja nobile, kontesha Isa Pellegrini, Donna Ida dhe që pas saj të gjitha gratë e presidentëve do të njihen të tilla. Pastaj, Karla Gronki, 25 vjet më e re se burri-president, G. Gronki, afron në Kuirinale artistë, aktorë, u përgjigjet mijëra letrave që i vijnë. Radhën e ka G. Saragat, i mbetur i ve, dhe për First Lady merr vajzën Ernesti na, 36 vjeç, që flet disa gjuhë të huaja. Për të vijuar me të bukurën, eleganten Vitoria Leone, ikonë e modës, stilit të epokës, e cila përdor mirë televizionin, duke u futur në çdo shtëpi dhe për herë të parë Italia ka një First Lady që e interpreton në mënyrë magjike rolin e saj. Në Itali, President zgjidhet S. Pertini dhe gruaja e tij Karla, (ish-partizane), nuk do të jetë First Lady, duke preferuar të jetojnë në një banesë 35 m2 në qendër të Romës. Edhe O. L. Skalfaro është i ve, e në protokollin diplomatik merr vajzën e tij elegante Mariana, jeta private e së cilës mbeti sekret, larg kronikave e gazetarëve.

Kur President është Xh. Napoletano, gruaja e tij Klio Bitoni, kërkon të ndryshojë ritualët e la “Signora”, nuk i pëlqen veturat blu, lëviz në këmbë e vetme në rrugët e Romës, madje në vitin e parë si First Lady, përplaset nga një mjet dhe dërgohet për me urgjencë në spital. First Lady e Italisë aktualisht quhet Laura Matarela, pasi nëna e saj ka vdekur vite më parë dhe është ajo që shoqëron Presidentin-baba, S. Matarela, në udhëtime zyrtare, takimet publike etj.

NË AMERIKË, ZHAKLIN KENEDI, ASNJË TJETËR SI AJO

E thirrur në skenë nga familja Kenedi për të qenë gruaja ideale, në krah të Xhon Kenedit (i 35-ti President e SHBA-së, 1961-1963) në elitën e politikës amerikane, ajo bëhet menjëherë protagoniste e një çifti, historinë e të cilës do e shkruante ditë pas dite, duke fituar dashurinë, respektin e të gjithëve, duke e transformuar botën e First Lady-t, që edhe pas ndarjes së saj nga skena politike, gjysmë shekulli më parë, Zhaklin Kenedi (1929-1994), mbetet më e famshmja në këtë rol. Ardhja e saj në White House u pa si një yll i kinemasë nga pikëpamja artistike, më shumë se një First Lady, një mbretëreshë të SHBA-së e kanë konsideruar.

Me buzëqeshje, mirësjellje, një brune klasike, linja të rregullta trupi, e natyrshme në të folur, ajo shquhet për elegancën, me një inteligjencë të sofistikuar, e këndshme, i duhet të përballet me një tjetër mit, rivale botërore, aktoren Merylin Monro, të dashurën e Presidentit. Fiton Zhaklin, kur në vitin 1961, të gjitha revistat e shpallin gruan e vitit. Zhaklin nuk di të gatuajë as edhe një vezë, por njeh ritualet, krijon një staf me ekspertë të artit, skenaristë, koreografë, me një stil të ri flokësh, dorezat rozë, gjyzlykë dielli ndryshe, xhaketat, një look që bëhet shumë popullor, pëlqehet e kopjohet nga të gjithë. Praktikon disa sporte, notin, bën ski dhe dashuron kuajt e kujdeset për to. Ndërrohet edhe tri herë në ditë dhe për t’u veshur shpenzon 100 mijë dollarë në vit, shifra kolosale për kohën, që edhe pse i pasur Xhon, i shqetësuar, kërkon ta frenojë. Pas tragjedisë në Dallas, ajo refuzon të mbajë fustanin e gjakosur me ngjyrë rozë dhe më 23 nëntor 1963, në funeralin që ajo vetë organizoi, është me të zeza.

Është ajo që ideoi varrin e burrit Xhon, me një zjarr në majën e kodrës, aty nga ku shihen Shtëpia e Bardhë dhe Senati Amerikan, ku vite më vonë, pas ndarjes nga jeta, aty do të vendosej edhe trupi i saj. Pas vrasjes së Martin Luter King e të Bob Kenedit në 1968, e shtyjnë të largohet nga SHBA dhe papritur martohet me armatorin miliarder grek Aristotel Onassis, që i garanton siguri dhe privatësi, por në disa raste ishte vetë ai që e shfaqte gruan para paparacëve.

EDHE SHBA, PA NJË LIGJ PËR FIRST LADY

Pragmatike e trajtojnë këtë çështje sipas stilit amerikan, ku secila është e lirë ta interpretojë si të dëshirojë dhe për to nuk ka një ligj. Nga e para, Marta, gruaja e Presidentit G. Uashington (1789- 1797), një nga First Lady më e dashuruar, tek Ebigel Fillmore (1850-1853) është në moshë më të madhe se Presidenti M. Fillmore, njëkohësisht pedagogia e tij. Pastaj, Franklin Rusvelt (1933-1945), katër herë President, më shumë se të gjithë, dhe gruaja Anna Eleonor, një e afërme e largët e tij, që kur zbulon letrat e dashurisë të tij me sekretaren Lusi, lidhet me gazetaren L. Aikëll dhe “Gosip” do të flasin për një raport të mundshëm lezbik. Elisabet Truman mbërriti në Shtëpinë e Bardhë në prill 1945, është 30 vjeçe kur martohet me Harry Truman, një moshë jo e pranueshme për kohën, por lidhja funksionon mirë, shkruanin nga dy letra në ditë, mijëra të tilla. Kur në presidencë arrin një gjeneral, Ajzenhauer (1953-1961), gruaja e tij Mami Xheneva, “Bukuroshja e përgjumur”, pasi ngrihej vonë, nuk di të gatuajë as edhe një vezë, as të rregullojë krevatin, e në 8 vite është futur vetëm katër herë në studion ovale. Pas vdekjes së të shoqit, publikon një libër, ku tregon se historia e saj ka qenë romantike, por pa seks, pasi Aizenhauer ishte impotent.

Thelma Nikson, gruaja e Ricard Nikson (1969-1974), e thërrasin Pat, vlerësohet nga amerikanët për nga komunikimi, viziton shkolla, spitale, por me skandalin e Wotwrgeitit dhe dorëheqjen e burrit, vendosen në Kaliforni, në depresion të plotë. Pas Nikson, papritur, në Shtëpinë e Bardhë futet Presidenti më i harruar, Zherar Ford me gruan Elisabet, Beti, ish-balerinë dhe në momentin që do të largohej nga White HouseM ajo realizon një foto duke kërcyer mbi tavolinën e madhe të drekës. Në Shtëpinë e Bardhë arrijnë aktorët e Hollivudit, Ronald e Nensi Regan. Kur Regan pëson një atentat, “Queen Nensi” krijon një mbrojte dhe çdokush që do të bisedojë me Presidentin, duhet të takojë atë më parë. Xhorxh H. Bush, një pilot i marinës, dhe Barbara, kanë gjashtë fëmijë dhe kur Robin, vajza dy vjeçe, i vdes nga leucemia, Barbarës i zbardhen flokët, nuk trukohet, vishet thjesht, por ka sukses dhe shpejt lind “stili Barbara Bush”.

Në historinë amerikane është rasti i parë që Barbara është gruaja dhe nëna e një Presidenti, kur pas Xhorxh, djali e saj G.W. Bush arrin në Shtëpinë e Bardhë dhe në krah ka Laura Bush, një First Lady pasionante e librave, filmave. Pas saj. në White House vjen Hilari Klinton, e cila krijon Task Force në shëndetësi. Pasi përfundon presidenca e Bill Klinton, mbyllet skandali i tij me Monika Leviskin, ajo kërkon të ndryshojë tavolinën e politikës amerikane, fillon një fushatë elektorale, zgjidhet senatore dhe në 2007, hedh kandidaturën për Presidente të SHBAsë. Në betejën me Obamën, humb, por ai e zgjedh Sekretare të Shtetit, që është hera e parë për një ishFirst Lady në këtë post.

Michel Obama, avokate e quajtur “The Rock” nga bashkëshorti Barak, organizon festa me fëmijët, të cilët që nga koha e Kenedit, nuk ishin parë Shtëpinë e Bardhë, duke i befasuar të gjithë edhe për mënyrën e të veshurit, gjithçka të blera në magazinat popullore me çmime normale. Pas Michel, si First Lady, në Uashington, shfaqet e bukura, Melani, me prindër sllovenë që ka braktisur universitetin për të mos humbur kërkesat që ka si modele. Në vitin 2006, bëhet qytetare amerikane, pa menduar asnjëherë se një ditë do të ishte First Lady.

I pëlqen mënyra si sillet, por shpesh ndodhet në situata delikate, pasi për të kryer First Lady-n, në skenën e familjes Trump, shfaqet edhe vajza Ivanka, 1.8 m e gjatë, me një karrierë prestigjioze si modele, diplomuar në ekonomi, e martuar, ka tre fëmijë dhe është këshilltare në Shtëpinë e Bardhë, një detyrë e njohur legalisht. Ky është rasti i parë që vajza ka një pozicion më superior se gruaja e Presidentit dhe pas dy shekuj historie, e ardhmja e First Lady-t duket gjithmonë e më e paparashikueshme.

 

Nga: Uvil Zajmi