196 pes – Ptolemeu V ngjitet në fronin e Egjiptit. Ai ishte sunduesi i pestë i dinastisë së Ptolemeut (ish-gjeneral i Aleksandrit të madh). Ptolemeu V u bë sundimtar në moshën pesë vjeçare, dhe nën një seri regjentësh që dobësuan së tepërmi mbretërinë e tij. Gjithësesi, Ptolemeu i pestë mbahet mend për diçka të rëndësishme; për Gurin Rosetta (krijuar më 27 mars, 196 pes) një nga shkrimet kyçe për të kuptuar hieroglifet në botën moderne.
1854 – Lufta e Krimesë: Britania i shpall luftë Rusisë. Për më shumë se 200 vjet, Rusia ishte zgjeruar në drejtim të jugut drejt porteve të ngrohta të Detit të Zi. Kjo bëri që Rusia të hynte në konflikt me kozakët e Ukrainës dhe tatarët e Krimesë. Kur Rusia pushtoi këto grupe dhe mori kontrollin e Ukrainës, Perandoria Osmane humbi zonën e saj mbrojtëse ndaj zgjerimit rus; Rusia dhe Perandoria Osmane ranë në konflikt të drejtpërdrejtë. Një aleance ushtarake Francë-Britani-Perandori Osmane-Sardenjë e theu Rusinë në Betejën e Krimesë.
1886 – Luftëtari i famshëm i fisit indian të Amerikës, Apash, Geronimo, dorëzohet tek ushtria amerikane, duke i dhënë fund fazës kryesore të luftërave Apashe.
1866 – Në Sheper, Zagori, Shqipëri, lindi Andon Zako Çajupi, avokat me pak sukses; por poet, dramaturg i shquar, veprimtar patriot i madh, dhe demokrat. Jetoi dhe vdiq ne Egjipt më 1930. Çajupi ishte i pasur dhe kjo e ndihmoi t’i përkushtohej poezisë, të shkruante edhe për varfërinë si diçka që e bën njeriun të pavarur dhe të shijojë lirinë.
Liria dhe Varfëria
(Çajupi)
Jam i varfër, po i lirë,
ndaj më pëlqen varfëria;
kush do të rrojë më mirë,
s’urdhëron dot veten e tia.
Mbreti, sikur të më thotë:
«Hajde në pallat me mua,
të gëzosh dhe ti në botë,
do t’i them: Zot, nukë dua;
për të ngrën’ e për të pirë
nukë mund të shes lirinë;
i varfëri rron më mirë
s’ai që do madhërinë.
S’më duhet ergjëndi mua,
dua lirinë dhe nderë,
dua të bëj si të dua,
jo si të duan të tjerë
Kush mund e bën si do vetë,
bën si thotë Perëndia,
nukë ka në këtë jetë
gjë m’e vyer se liria.
1940 – Himmler urdhëron ndërtimin e kampit të përqëndrimit Auschwitz, në Katowicë.
1941 – Oficerë jugosllavë të Forcave Ajrore përmbysin qeverinë pro – naziste me anë një grusht shteti pa gjakderdhje.
1956 – SHBA – sekuestrohet nga qeveria gazeta komuniste “Daily Worker”.
1958 – Nikita Hrushovi bëhet Kryeministër i Bashkimit Sovjetik dhe sekretari parë i partisë komuniste sovjetike.
1981 – Lëvizja Solidariteti në Poloni shpall një grevë paralajmëruese, në të cilën të paktën 12 milionë polakë lanë punën për katër orë.
1990 – Qeveria amerikane fillon transmetimet TV Marti, për demokraci në Kubë. – TV Marti është element i Byrosë së Transmetimit Ndërkombëtar (IBB), siç janë edhe Zëri i Amerikës, Radio Sawa, Radio Free Europe / Radio Liberty, dhe Radio Free Asia.
1998 – Administrata amerikane e ushqimit dhe barnave (FDA) miraton Viagran për t’u përdorur si trajtim për impotencën mashkullore. Për këtë arritje bashkë-zhvilluesi i kësaj pilule, doktor Ferid Murad, u nderua me Çmimin Nobel në mjekesi.
Nga autobiofrafia e tij:
“Babai im, Xhabir Murat Ejupi, ka lindur në Shqipëri në vitin 1892 dhe ishte më i madhi i katër fëmijëve. Nëna e tij vdiq kur ai ishte 13 vjeç… Ai u takua me një grup të rinjsh të tjerë në Austri dhe emigroi në Shtetet e Bashkuara. Zyrtari i emigracionit në Ellis Island, gusht 1913, i kërkoi emrin, pastaj i tha se ai do të quhet John Murad dhe vulosi letrat e tij …. Nëna ime, Henrietta Josephine Bowman lindi në vitin 1918 në Alton, Illinois … ajo iku nga shtëpia më 1935 (17 vjeç) për t’u martuar me babain tim që ishte 39….Unë kam lindur 14 shtator 1936 në Whiting, Indiana….Në klasën e tetë mësuesi na dha për detyrë të shkruanim një ese se çfarë karriere do të zgjidhnim. Zgjedhjet e mia ishin 1) mjek, 2) mësues dhe 3) farmacist (Ferid Murad i ushtroi të tria këto profesione)… Në shkollën mjekësore çdo vit isha i pari i klasës…Stazhin e bëra në Spitalin e Përgjithshëm në Massachusetts (General Hospital), nga 1965-1967. Kjo ishte një përvojë e mrekullueshme ku punova dhe u njoha me shkencëtarë, mjekë, profesorë nga më të shquarit në botë. Në prill të vitit 1997, mora drejtimin e një departamenti të kombinuar Biologji, Farmakologji dhe Fiziologji, në Texas – Houston. Më 1998 u nderova me Çmimin Nobel për Mjekësi për zhvillimin e Viagrës”. (Les Prix Nobel / Nobel Lectures)