MENU
klinika

Almanak

Histori/ Çfarë ka ndodhur më 6 mars?

06.03.2019 - 07:52

1079 – Omar Ibn Ibrahim al – Chajjam përfundon kalendarin Jalali (matje e kohës me anë të lëvizjes së yjeve). Por Khajami ishte i gjithëanshëm; shkencëtar, astronom, matematicien, shkrimtar, poet. Ai besohet të ketë shkruar rreth një mijë strofa katër-vargjëshe ose Rubaira (Strofa). Bota anglishtfolëse u njoh me Rubairat e Kajamit nëpërmjet përkthimit letrar nga Edward Fitzgerald (1809-1883). Ironikisht, ishte përkthimi i Fitzgeraldit që ri-paraqiti Khajamin tek iranianët, të cilët e kishin harruar ose pak e njihnin atë si poet. Poezitë e Omar Khajamit janë përkthyer në shumë gjuhë. Stroftat e mëposhtme janë marrë nga libri: “Rubairat” i Omar Khajamit. Shqipëroi Rushit Bilbil Gramshi, Edicje e dyte, e ndrequr dhe e plotësuar. Bruxelles, 1927. (Rushit Bilbil Gramshi ka qenë një nga pseudonimet e Fan Nolit). 

-1-
Natën kur flinja, më tha shpirti: “Pi!
Në gjumë dhe në Varr s’ka lumëri;
Ngrehu! Sa rron, zbras Kupa dhe puth Çupa;
Ke shekuj që të flesh në qetësi”.
-2-
Në ëndërr, kur agimi zbardhëllonte,
Një zë që nga Taverna po gjëmonte:
“Çohuni, djem, e Verë sillnani,
Se Fati na e tha lëngun sonte.”
-3-
Dhe posa në Tavernë këndoi gjeli,
Besnikët jashtë thirrë “Portat çeli!
E shkurter është Jeta, ja, u mplakmë
Dhe mbetmë si kofini pas së vjeli.”
-4-
A di përse këndesi po këndon
Menatë dhe nga gjumi po të zgjon?
Që shkoi një ditë po të lajmëron,
Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron.

1454 – Pas 13 vjet luftë, përfaqësuesit e konfederatës prusiane u zotuan për besnikëri ndaj Kazimirit IV të Polonisë, dhe mbreti polak bie dakord për t’i ndihmuar ata në luftën e tyre për pavarësi nga kalorësit teutonë (gjermanik).

1799 – Napoleoni merr qytetin Jaffa të Palestinës. Napoleonit i duhej ky qytet para se të përparonte më tej; Jaffa ishte një nga qendrat kryesore tregtare të Sirisë dhe kishte një port që do të bëhej strehim jetik për flotën e tij.

1831 – Poeti amerikan Edgar Allen Poe përjashtohet nga akademia ushtarake West Point: “Paqëndrueshmëria e tij emocionale e shoqëruar me probleme të thella personale, të tilla si: nevoja e vazhdueshme për fonde dhe përkushtimi i kohës për të shkruar poezi duke lënë pas mësimet ushtarake”, thuhej në dokumentin e përjashtimit.

1853 – Opera e Giuseppe Verdit, “La Traviata”, shfaqet për herë të parë, në Venecia.

1855 – Gustave Flaubert i shkruan letrën e lamtumirës ish të dashurës së tij, shkrimtares Louise Colet. Këto letra, Flauberti do t’i përdorte si burim për romanin e tij “Madame Bovary”.

1869 – Dmitri Mendelejev paraqet tabelën e parë të elementeve para Shoqatës Kimike ruse. Në vitin 1893, Mendelejev u emërua Drejtor i Zyrës për Peshat dhe Masat, dhe në këtë rol drejtues ai krijoi standarde të reja shtetërore për prodhimin e vodkës në Rusi.

1882 – Milan Obrenoviç kurorëzohet mbret i Serbisë. Ai mbretëroi deri në vitin 1889, kur jep papritmas dorëheqjen dhe ia dorëzon fronin djalit të tij 12 vjeçar. Historianët nuk japin arsye të mjaftueshme se çfarë e shtyu mbretin 34 vjeçar të jepte dorëheqjen. Pas kësaj, Milan u vendos në Paris dhe u tërhoq nga jeta publike.

1899 – Felix Hoffmann i kompanisë gjermane Bayer merr patentën për të prodhuar Aspirinën.

1918 – Anija amerikane “Ciklopi” zhduket në Trekëndshin Bermuda.

1929 – Turqia dhe Bullgaria nënshkruajnë traktatin e miqësisë

1935 – Frank Bartell (çek) vendos një rekord shpejtësie me biçikletë (130 kilometra në orë) në Los Anxheles.

1964 – Cassius Clay i bashkohet Kombit të Islamit dhe udhëheqësi i kësaj lëvizjeje, Elijah Muhammad i jep atij emrin Muhammad Ali.

1967 – Vajza e Stalinit, Svetlana Allilujeva kërkon strehim politik në Shtetet e Bashkuara.

1970 – Grupi muzikor Beatles lëshon këngën “Let it be” në Britani të Madhe

1974 – Një italian humbet një shumë rekord prej 1 milionë e 920 mijë dollarsh në lojë ruletë në një kazino në Monte Karlo.

1980 – Akademia franceze, e themeluar në vitin 1635, zgjedh për herë të parë një grua si kryetare – shkrimtaren Marguerita Youcenar.

1994 – Rezultatet e një referendumi në Moldavi treguan se elektoratit ishte kundër bashkimit të mundshëm me Rumaninë.

1997 – Vizatimi me laps i Pikasos “Tete de Femme” u vodh nga një galeri arti në Londër, dhe u gjet pak ditë më vonë. Vizatimi, i vlerësuar 275 mijë dollarë, u vodh nga galeria Weinstein nga një njeri me syze të errëta. Personi u filmua nga kamerat e sigurisë duke u larguar me një taksi. Dy ditë më pas, një i dyshuar, i quajtur Mark Lugo, 30 vjeç, u arrestua në një hotel në Napa, Kaliforni; atij iu gjet në zotërim edhe vizatimi “Tete de Femme” (Kokë Femre), që Pablo Pikaso kishte krijuar në vitin 1965.

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe