MENU
klinika

Video

Hrushov, udhëheqësi i parë i huaj që vizitonte Shqipërinë, si u prit nga shqiptarët

12.03.2019 - 22:08

Nikita Hrushovi, ishte udhëheqësi i parë i një vendi të huaj që vizitonte Shqipërinë, në dalje të majit 1959.

Më 20 maj 1959 shtypi në Republikën Popullore të Shqipërisë njoftoi me bujë të madhe për vizitën miqësore dhe zyrtare të një delegacioni të zgjeruar e të nivelit më të lartë të Partisë Komuniste dhe të Qeverisë së Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, i kryesuar nga sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik, Nikita Sergejeviç Hrushov.

Mediat shqiptare të asaj kohe, veçanërisht shtypi i kushtoi vëmendje të veçantë kësaj vizite të gjatë, të planifikuar zyrtarisht trembëdhjetë ditore (25 maj – 6 qershor 1959). Nga 20 maj deri më 5 qershor gazetat mbushën faqe të tëra me materiale të ndryshme rreth kësaj vizite. Për shembull, “Zëri i Popullit”, organi më i rëndësishëm i shtypit politik shqiptar të atyre viteve, i rezervonte kësaj vizite 2 deri 3 faqe çdo ditë (nga 4 faqe që kishte gjithsej gazeta).

nikita hrushov enver hoxha-konica.al

Në adresë të Nikita Hrushovit shtypi emetoi një inflacion të padëgjuar më parë lëvdatash e karakterizimesh superlative, si “miku më i madh dhe më i shtrenjtë i popullit shqiptar”, “miku më i shtrenjtë dhe më i dashur” etj. Ndërsa vizita e tij karakterizohej si “një ngjarje e shënuar në historinë e popullit shqiptar”, si “një festë e madhe popullore dhe një kontribut shumë i çmuar në çelikosjen e miqësisë së përjetshme që bashkon popullin shqiptar me mikun e tij të shtrenjtë – Bashkimin e madh Sovjetik” etj.

Strukturat partiako-shtetërore të propagandës së shtetit shqiptar vunë në lëvizje gjithë mekanizmat, jo vetëm të publicistikës, por edhe të krijimtarisë artistike, folklorike e të kultivuar, për të glorifikuar sa më shumë vizitën e kreu të partisë e të shtetit sovjetik.

Në rubrikën “Populli i këndon kësaj ngjarjeje të shënuar” u botuan shumë krijime folklorike.

Delegacioni sovjetik vizitoi qytetet kryesore të Shqipërisë nga Shkodra deri në Butrint, i shoqëruar nga drejtuesit kryesorë të partisë dhe të shtetit shqiptar. Në çdo qytet ku shkoi delegacioni sovjetik u organizuan mitingje masive. Në fjalimet që mbanin në mitingje udhëheqësit shqiptarë dhe udhëheqësit sovjetikë hidhnin parulla për miqësinë e pathyeshme shqiptaro-sovjetike, për kauzën e përbashkët të popullit shqiptar me popujt sovjetikë, për të ardhmen e përbashkët komuniste të popullit shqiptar me popujt sovjetikë etj.

Mitingjet përgjithësisht i karakterizonte një nivel i lartë entuziazmi popullor i nxitur nga strukturat partiake e shtetërore të regjimit socialist totalitar. Vizita e delegacionit sovjetik të kryesuar nga Nikita Hrushovi në Shqipëri nuk mund të mos përcillej me interesim të veçantë nga politikanët e diplomatët e shteteve perëndimore që ndikonin më shumë në politikën botërore të atyre viteve, së paku për tri arsye kryesore:

Së pari, pozita gjeografike e Shqipërisë dhe rëndësia e saj e veçantë strategjike, si skaji perëndimor i kampit të atëhershëm të vendeve socialiste.

Së dyti, viti 1959 karakterizohej nga një intensitet i lartë e në ngritje i të ashtuquajturës lufta e ftohtë ndërmjet shteteve demokratike perëndimore dhe bllokut të vendeve ish-socialiste të kryesuara nga Bashkimi Sovjetik. Në sfondin e një lufte të tillë pozita strategjike e Shqipërisë rilevohej me rëndësi të veçantë.

Së treti, në këtë kohë ishte në rend të ditës instalimi i bazave ushtarake, veçanërisht në pellgun e Mesdheut.

Që në mitingun e parë të organizuar në Shqipëri, Nikita Hrushovi deklaroi fare hapur: “Në qoftë se qeveritë e Italisë dhe të Greqisë i lejojnë amerikanët të krijojnë baza për lëshimin e raketave në territorin e tyre, atëherë ndoshta edhe ne do të detyrohemi të merremi vesh me Qeverinë e Republikës Popullore të Shqipërisë që të krijohet edhe këtu diçka kundër tyre. Amerikanët po vendosin në Itali raketa me rreze të mesme veprimi. Por në qoftë se edhe në Shqipëri vendosen raketa me rreze të mesme veprimi ose bile edhe raketa me rreze të shkurtër veprimi, ato mund të arrijnë gjithë Italinë. Kështu që këtu do të mjaftonin raketat me rreze të shkurtër veprimi” .

Kësisoj, kreu i ish-Bashkimit Sovjetik braktisi publikisht gjuhën politike e diplomatike dhe, jo vetëm foli drejtpërdrejt me terminologji ushtarake, por edhe me shkallën më të lartë të ashpërsisë.