Ish-Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka reaguar me një status në “Facebook” për lajmin e lënies së shtetësisë shqiptare nga djali i tij, Ersilio Nishani. Ai thotë se i biri jeton prej 10 vitesh në Austri dhe është student i shkëlqyer i Mjekësisë dhe madje ka fituar edhe statusin e asistent/pedagogut.
Nishani sqaron se shteti austriak i ka dhënë nënshtetësinë austriake por sipas ligjit në këtë vend nuk lejohet dy shtetësia. Ish-kreu i shtetit thotë se turp është t’i ushqesh fëmijët me para të vjedhur apo para krimi dhe jo kur të nderojnë, ndërsa thekson se qëllimi i propagandës është ai, pasi kanë frikë prej aktivitetit të tij.
STATUSI I NISHANIT
Të nderuar miq, sot media e propagandës së narkoqeverisë u përpoq të injektojë si lajm negativ, procedurën e lënies së nënshtetësisë nga djali im.
Im bir jeton prej afro 10-të vitesh në Austri dhe është aktualisht një prej studentëve të shkëlqyer në Universitetin e Mjekësisë së Vjenës, ku prej disa vitesh ka fituar edhe statusin e asistent/pedagogut.
Shteti Austriak i ka dhënë nënshtetësinë austriake por kanë rregullin që nuk lejohet dy shtetësia. Unë jam shumë krenar për fëmijët e mi pasi vetëm më kanë nderuar dhe kurrë përfituar.
Turp dhe e papranueshme është t’i ushqesh fëmijët me para të vjedhura apo paratë e krimit të organizuar dhe jo kur nderojnë prindërit dhe këdo tjetër që është në nevojë për ndihmë.
Kuptohet se qëllimi i kësaj fushate propagande jam unë.
Regjimi i narkotrafikut dhe avoketërit e tij duket se paskan frikë prej aktivitetit tim qytetar. Kjo më kënaq në fakt.