MENU
klinika

Të dhënat

Interesat pësojnë rënie, bonot 12-mujore shënojnë rekord të ri

06.03.2019 - 13:03

Sipas të dhënave të bëra publike nga Banka e Shqipërisë, interesi i bonove 12 mujore ka prekur një minimum të ri historik këtë javë.

Interesi mesatar ka zbritur në 1.16%, duke shënuar kështu nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë.

Që nga gjysma e dytë e vitit të kaluar, ulja e interesave ka prekur letrat e borxhit të e qeverisë për të gjitha maturitetet.

Obligacionet dyvjeçare qëndruan sërish të premten poshtë kufirit të 2%.

Kjo gjendje lidhet me likuiditetin e lartë në treg dhe kërkesën më të ulët të qeverisë për para në tregun e brendshëm.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

Në tetor, qeveria shqiptare emetoi eurobonde për një vlerë prej 500 milionë eurosh dhe një pjesë e kësaj shume ka shërbyer për të zëvendësuar huamarrjen e brendshme.

Banka e Shqipërisë ka injektuar sasi të mëdha leku në treg, përmes marrëveshjeve të riblerjes dhe përmes blerjes masive të valutës.

Gjithashtu, disa banka kanë konvertuar kapitalin në lekë, duke krijuar më shumë fonde të lira në monedhën vendase.

Në mungesë të alternativave të tjera, këto fonde po tentohen të investohen sërish në bono dhe obligacione, duke ndikuar kështu në uljen e normave të interesit.

Gjendja likuide e tregut po ndihmon në ruajtjen e çmimit të ulët të parasë, në përputhje me sinjalet e përcjella nga politika monetare.

Megjithëse pritet që stimuli monetar në ekonomi të fillojë të reduktohet gradualisht, duket se tregu financiar ende nuk po ndikohet nga pritshmëritë për rritje të interesave.