MENU
klinika

Ç'amanet la princesha shqiptare?

Jerina ose Helena e Trojës

31.03.2019 - 15:20

Në dëshminë e Marin Barletit, më 1445 gjatë ceremonisë martesore të motrës së Skënderbeut, Mamica Kastriotit, ai pati një përplasje me Lekë Dukagjinin. Shkaku ishte një grua me emrin Irenë Dushmani, nga familja fisnike e Dushmanëve.

Jerina Dushmani ishte princesha më e bukur shqiptare, siç rrëfejnë historianët.

Në shkrimet e shekullit XV dhe më pas, Jerina Dushmani përshkruhet me një bukuri të rrallë. Krahasimi i saj me Helenën e Trojës dëshmon më së miri pamjen e rrallë për nga bukuria, të princeshës shqiptare.

 

Në të vërtetë, historia e tyre është paksa e ngjashme. Jerina ishte e bija e princit shqiptar, Lekë Dushmani.

 

Historia e princeshës bukuroshe, që u përcoll brez pas brezi ndër shekuj, nuk e fsheh tragjedinë brenda saj. Bukuria e princeshës, ishte shkaku i konfliktit mes dy princave më të fuqishëm shqiptarë: Lekë Dukagjinit dhe Lekë Zaharisë.

 

Dashuria që lindi mes princeshës Jerina dhe princit Lekë Zaharia, nuk u pranua nga Lekë Dukagjini. Si duket ajo preferoi Zaharian, gjë që nuk u pranua nga Dukagjini. Në një dyluftim në dasmë, Lekë Dukagjini mbeti i plagosur dhe shpëtoi vetëm me ndërhyrjen e Vrana Kontit. Më pas, Lekë Zaharia u vra në pritë, ndërsa për vrasjen u akuzua Lekë Dukagjini.

 

Pas vdekjes së princit Lekë Zaharia, Jerina e Dushmanëve nuk pranoi të martohet me Lekë Dukagjinin. Princesha e pikëlluar nga humbja, e kaloi jetën e mbyllur në një manastir në ishullin e Sardenjës, në Itali.

 

Por, para se të ndërronte jetë, princesha la amanet që trupi i saj të sillet në Danjë, pranë varrit të të dashurit të saj të përjetshëm, Princit Lekë Zaharia.

 

Kush ishte Lekë Zaharia?

 

Nuk ka të dhëna të sakta për datën e lindjes e Lekë Zaharisë, ndërkohë që ai vdiq më 1445. Ai ishte një fisnik shqiptar nga familja Zaharia, biri i vetëm i Koja Zaharias.

 

Lekë Zaharia ishte pjesë e fisnikërisë arbërore, një nga themeluesit e Lidhje e Lezhës dhe bashkëluftëtar i Skënderbeut. Ai mori pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe ishte anëtar i Lidhjes Shqiptare. Vrasja e Lekë Zaharisë, i cili nuk kishte trashëgimtar, ngriti çështjen e trashëgimit të qytetit të rëndësishëm dhe zotërimeve të tij të Dejës. Venediku, duke bërë për vete nënën e të vrarit, u përgatit për të vënë dorë mbi këtë qendër të rëndësishme doganore.

Skënderbeu dërgoi pranë saj Vrana Kontin, për ta bindur që ta vinte qytetin në mbrojtje të Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Pushtimi i qytetit nga venedikasit dhe lajmet diskredituese që kishin përhapur ata se Skënderbeu kishte gisht në vrasjen e Lekë Zaharisë, u bënë shkak për shpërthimin e luftës që ndërmori Lidhja e Lezhës kundër sundimit të Venedikut mbi qytetet shqiptare.

   

    Kështu, Jerina mbeti në histori prej bukurisë së saj dhe humbjes tragjike të të dashurit, princit Lekë Zaharia, nga rivali tjetër i një dere fisnike arbërore si ajo e Dukagjinajve.