Ajo që ndodhi dje në ndeshjen Kamza-Laçi 1-1, ka shokuar krejt futbollin shqiptar. Dhuna ndaj arbitrit kryesor, Eldorian Hamitaj mund të konsiderohet pa frikë si shtazarake, në sy të publikut dhe kamerave, që fokusuan gjithçka. Penalltia e dhënë në limit të kohës shtesë për kurbinasit i kushtoi shtrenjtë arbitrit lezhjan. Pamjet kanë bërë xhiron e mediave në vend dhe nuk kanë nevojë për koment.
Me fat që Hamitaj ka shpëtuar pa ndonjë dëmtim serioz e me pasoja, sipas mjekëve, por vështirë ta harrojë këtë që i ndodhi në Kamëz. Pak a shumë përsëritet historia e një tjetër ish-gjyqtari të FIFA-s, Lorenc Jemini, në fushën e Laçit, para disa vitesh. Të gjitha organet përkatëse kanë reaguar.
FSHF, si organizatore e garës, ka paralajmëruar masa drastike ndaj klubit pritës, ndërsa policia ka arrestuar drejtuesit e Kamzës, duke nisur nga presidenti Naim Qarri. Po çfarë parashikon drejtësia sportive në këtë rast? Për këtë duhet të lexojmë Kodin e Disiplinës Sportive (KDS).
Referuar Nenit 65 të tij, që ka të bëjë me “Dështimin në përmbushjen e përgjegjësive”, masat që rrezikon Kamza si klub organizator nisin nga dënimi i tifozëve e shkojnë te humbja e ndeshjes në tavolinë, apo përjashtimi nga gara.
NENI 65 “Dështimi në përmbushjen e përgjegjësive”
Në rastet e shkeljeve të rënda mund të ndërmerren dënime të tjera, si zhvillim i ndeshjes pa spektatorë, zhvillimi i ndeshjes në fushë asnjanëse, ndalimi i zhvillimit të ndeshjes në stadiumin përkatës, anulimi i rezultatit të ndeshjes, përjashtimi nga një garë, ose kampionat dhe/ose humbje e ndeshjes në tavolinë.
Në raste dhunimesh të zyrtarëve të ndeshjes, ku bëjnë pjesë edhe gjyqtarët ka precedentë që mund t;iu referohesh. Dhunimi I Sulejman memës në stadiumin e Burrelit dihet se me çfarë mase u konvertua për klubin vendës, përjashtimin nga gara. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për rastin “Ballshi”, në mars 2014. Duke qenë se u dhunua delegate i FSHF-së, Besnik Çela, organet disiplinore e përjashtuan nga kampionati Bylisin, ndërsa këtë fat pati përjetë edhe presidenti Besnik Kapllanaj. Tri pikët shkuan për kurbinasit, që ishin rivalë të mallakastriotëve në atë ndeshje.
Ja vendimi i Disipinës, i marrë atëherë: “Ekipi i KF “Bylis”, për dështim në organizimin e ndeshjes dhe përmbushjen e përgjegjësive, bazuar në nenet 29, 64 dhe 65.2 të KDS, dënohet me përjashtim nga kampionati dhe zbritjen një kategori më poshtë, si dhe humbjen e ndeshjes në tavolinë me KF “Laçi”, me rezultatin 3-0.
Zyrtari i KF “Bylis”, Besnik Kapllanaj, për dhunë fizike ndaj zyrtarëve të ndeshjes, me pasoja të rënda për shëndetin, përjashtohet përgjithmonë nga çdo aktivitet sportiv, bazuar ne nenin 49.2/b të KDS”.