MENU
klinika

Kundërpërgjigjia

Kërcënimet e Daçiç/ Reagon Ministria kosovare e Mbrojtjes

14.03.2019 - 18:42

Zëvendësministri i Mbrojtjes në Kosovë, Burim Ramadani, i ka quajtur si luftë speciale, deklarimet që vijnë nga Serbia për ndërhyrje ushtarake në veri të Kosovës.

Ramadani është shprehur se do të bashkëpunojnë me KFOR-in në çfarëdo rrethane që mund të krijohet.

“Kjo është luftë speciale dezinformuese e Serbisë dhe është shumë agresive. Pretendimet se gjoja Kosova do të sulmojë qytetarët e vet janë absurditet dhe broçkulla të stilit të viteve të 1990-ta. Por, tek e fundit, të njëjtit zyrtarë që kanë udhëhequr Serbinë gjatë viteve të 1990-ta të njëjtit janë edhe tash.

Vetëm pozitat i kanë ndërruar. Atëherë, si bashkëpunëtorë të afërt të Millosheviqit, Aleksandar Vuciq ka qenë Ministër e tash President, ndërsa Ivica Daciq ka qenë zëdhënës e tash Ministër. I kanë bërë katër luftëra në 10 vjet, gjenocid, spastrim etnik, shkatërrime masive, dhunime e masakra të panumërta në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, dhe Luginë të Preshevës”, tha Ramadani.

Sipas tij Serbia po bën luftë speciale për të fajësuar shqiptarët për ndonjë sulm të mundshëm, njësoj siç ka bërë me rastin e njohur si ‘Panda’.

“Kjo luftë speciale është e ngjashme me atë të viteve të 1990-ta, kur Serbia pati organizuar sulmin e njohur si “Panda” ndaj serbëve të Kosovës, vetëm e vetëm që të fajësojë shqiptarët e Kosovës. Bashkëpunimi dhe koordinimi me KFOR-in është i shkëlqyeshëm! Ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin dhe koordinimin që kemi tash e 20 vjet me misionin e KFOR-it në Kosovë”, thekson ai.

Ramadani shprehet se i vetmi kundërshtar për anëtarësimin e Kosovës në NATO, është Serbia, dhe sipas tij ky është një sinjal shumë i qartë se Serbia bën politikë destruktive.

“Së secilën situatë, duhet të jetë e qartë se kjo nuk është lojë fëmijësh. Këto lajme të rrejshme janë propagandë agresive të cilës duhet t’i përgjigjet BE-ja dhe NATO-ja me saktësinë më të madhe. Si është e mundur që aparati shtetëror i Serbisë vazhdon me presione jonjerëzore ndaj serbëve të Kosovës dhe kjo nuk dënohet ashpër nga BE”, përfundon zv. ministri kosovar.