Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se ka ndërprerë mandatin si Konsull Nderi të Shqipërisë në Nigero për shtetasin indian Nitin Sandesara. Ky i fundit prej kohësh është në kërkim për mashtrim në Indi.
Sipas MEPJ Procedura e emërimit të z.Nitin Sandesara si Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Nigeri ka përfunduar në janar 2019. Në zbatimin e procedurës së emërimit janë marrë në konsideratë kriteret dhe kushtet e përcaktuara në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore.
Dhënia e nënshtetësisë shqiptare dhe pajisja me pasaportë shqiptare e z. Sandesara nuk është procedurë, e cila ka kaluar nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, apo është në kompetencat e këtij institucioni.
Më tej, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, sqaron se, ndonëse ka të drejtën e pajisjes me pasaporta diplomatike dhe shërbimi, sipas VKM-së 335, dt. 2.9.1997, z. Sandesara nuk është pajisur, as me pasaportë diplomatike, as me pasaportë shërbimi.
Rasti i artikuluar së fundmi i z. Sandesara me nënshtetësi shqiptare, mund të cënojë imazhin dhe reputacionin e Institucionit të Konsullit të Nderit, por edhe atë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe shtetit shqiptar në përgjithësi, pavarësisht faktit se veprimet e ndërmarra prej z. Sandesara janë në emrin e tij personal.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndërprerë mandatin si Konsull Nderi të Republikës së Shqipërisë në Nigeri për z.Nitin Sandesara me efekt të menjëhershëm.