MENU
klinika

Kisha e Shën Gjergjit

Rrugëtimi i monumentit simbol

18.03.2019 - 13:23

Askujt, në Romë, nuk mund t’i shkojë ndërmend të prishë apo modifikojë Koloseun, në Paris, Luvrin apo në Vjenë, Belvederen. Çdo qytet ka simbolet e tij, që e dallojnë prej të tjerëve, që janë krenaria e tij.

E tillë ka qenë për Korçën dhe korçarët katedralja monumentale e Shën Gjergjit, që me aq lehtësi e dashakeqësi u rafshua nga komunistët ne vitin 1971.

Shën Gjergji, në traditën mesjetare, ka qenë për Korçën shenjti mbrojtës i qytetit.

Ishte kjo arsya që korçarët ortodoksë kishin ndërtuar, në zemër të qytetit, një kishë që mbante emrin e tij.

Sipas kodikëve mbi 400 vjeçarë të Mitropolisë të Korçës dhe Selasforit ajo daton të jetë ndërtuar aty nga viti 1253, pra shumë më erët nga sa kemi mësuar për datën themeluese të Korçës nga Ilias bej Mirahori, në 1498.

 

Për vjetërsinë e saj ka edhe dëshmi të tërthorta, si vorezat rreth saj, që u zbuluan rastësisht kur u ndërtuan pallatet përreth, në kohën e komunizmit, apo një dokument nga kodiku që përmend një dhurues voskopojar, të quajtur Dhimo Bakalli, që në vitin 1710 ka dhuruar një shumë të kosiderushme të hollash, me kusht që të përdoreshin për rikonstruksionin e saj apo edhe fakti që ryfeti (esnafi) i tabakëve të Voskopojës, shtroi me kalldrëm gjithë rrugën, nga kisha deri në Varosh.

Me rritjen e qytetit të Korçës, në shek.19-të, sidomos me lagjet e ndërtuara përreth kishës të vjetër, u bë e domosdoshme ndërtimi i një kishe të re, me kapacitet shumë më të madh se ekzistuesja, e denjë për një qytet të madh.

Kështu, në vitin 1881, mbi themelet e kishës të vjetër, filluan punimet për ndërtimin e kishës të re. Ishte filantropi i mirënjohur korçar Anastas Lakçe, milioner me banim në Bukuresht të Rumanisë, që finacoi 5000 napolonat e para flori për fillimin e punimeve.

Kisha e re u inagurua në vitin 1905 dhe për përfundimin e ndërtimit të saj financuan shumë korçarë, qytetarë e mërgimtarë.

Projektimi dhe ndërtimi iu besua kallfës (mjeshtrit), korçar, Naum Trasha. Godina ishte e gjitha prej guri, me blloqe të mëdhenj, të lidhur me njëri-tjetrin me plumb (brezi ynë e mban mend mirë sesa shumë vuajtën ata që e prishën !).

Kjo vepër cilësohej nga më të bukurat dhe më madhështoret, në vend e më gjerë. Mbi portën e saj të hyrjes ishte një pllakë me mbishkrim për mirëbërsin që e ndërtoi dhe vitin e ndërtimit. Anastas Lakçe, që vdiq në Bukuresht në 1894, u ballsamos dhe trupi i tij u varos aty.

Afresket e saj ishin pikturuar nga mjeshtër vendas, nga Dardha, Hoçishti dhe Ziçishti. Në këtë kishë, në vitin 1923, meshoi për herë të parë në gjuhën shqipe Fan Noli, me rastin e autoqefalisë të saj, nën një entusiazëm të papërshkruar të popullit të Korçës.

Por u desh të vinte viti 1971, që me urdhër nga lart të shtetit komunist, ajo të rafshohej dhe në vend të saj të ndërtohej biblioteka e qytetit, që pas një ‘prehje’ 40 vjeçare të kthehej në bashki.

Mbase ka ardhur koha që t’i kthehet qytetit kjo trashëgimi e munguar, kjo kujtesë e gjallë e historisë të tij. Rindërtimi i saj, ashtu siç ka qenë, nuk është as fantazi dhe as pamundësi. Mjafton vetëm vullneti e dëshira e korçarëve./ korçareport

 

Nga: Klodi Stralla