Falemindeeeeeerit Shkodër! Mirënjohje përjetë, ty o djep i qytetërimit dhe atdhetarisë, nga panaritasit e Korçës!
Përmes penës së ndritur të birit tuaj, Hil Mosi, ju i ngritët përmendore kapedanit, Qamil Panariti! Ishte koha kur myslimanë e të kishterë luftonin kundër pushtuesve turq dhe jo mes vetit!
Dikur u kam njohur me vargje të poetit Veli Panariti, kushtuar viganit shkodran, Oso Kuka (një borxh i kthyer), sot po u sjell vargjet brilante të poetit shkodran, Hilë Mosi, kushtuar legjendës Qamil Panariti, pjesmarrës në betejën e famshme të Orman Çifligut, kundër turqëve, në fund të korrikut 1911.
E kush më mirë se një shkodran mund të derdhë në ar shtatoren e kryetrimit Panariti, që Korça, për fat të keq, e ka lënë ende pa varr?! E di që do e lexoni dhe rilexoni, e do mbeteni të mahnitur për çka u ravijëzohet para syve! E di që do dëshironit këto vargje të mos mbaronin kurrë, por, këtë here, kaq mundem!
…………………………………………
Qamil’ i hijshëm si një pallua,
Shprohë, i turrshëm por si astriti,
Panther i gjallë, tigër, dragua!
Ishte i fortë, mjaft i kuxuem,
Tepër i vrullshëm, teh’ jatagani,
Ordhit’ e Turkut i kish tmerruem,
E meritonte t’ish kapitani.
Sabri Dajlani, kushriu i tija,
Që me qerpikun të shtinte frikën,
I kuq, i bardhë, trim si lubija,
Përdorte aftas shpatën e thikën;
M’andej Tosûni nga Selenica,
Një trim i rrallë, me sŷ skyfteri,
Që mbante pushkë sistem-Novica,
Shêjën e tija s’ja ndante peri.
Pas Dilaveri, një zok Lubonje,
Djalë shtat-gjatë si qiparisi,
Që nuku ngjinjej sa ta shëkonje,
Çinar i fortë, si bush, si lisi.
Betim i Spiro Ballkamenit:
– Lé t’a bajmë sot rëmujë,
Lé të dalë pllamb’ e ujë,
Lé ti ndajmë që sot laknat,
Lé të turbullohen gjaknat,
Të vreglinjë jatagani,
Që t’a marrë vesht Sulltani,
Dhe Xhon-Turqit aq’të marrë,
Lé t’a njohin sot Shqiptarë,
Për né s’ka Bajram e Pashkë,
Sot s’na ndajnë, jemi bashkë !
Kështu foli kapitani,
Gjithë rredhet e kan’ndî,
U drodh vendit si luani,
Sŷn’ i tij lëshoj shkëní !
E u nis e u spillua,
Armët fort shtrënguem ngjesh,
Fort u nxeh, u zgurdullua,
Ju skuq faq’ e ball’ e vesh !
Dhe petrit’ i rí, Qamili,
Kapitan-Spiros ja prêt,
Me një zâ por si bilbili,
Si një rëké, që lehtas shqet:
– Sado jemi një grusht trima,
Zembra n’a e thotë sot,
Do të shkrepin si ushtima,
Kohën nuk e bjerrim kot!
Gjithëkushi do çuditet
Qysh u bâ gjith ky kuxim,
Gjithsecili do habitet,
Psé nuk patmë pak mejtim!
Do n’a marrin për të marrë,
Do n’a marrin për deli,
S’do të lenë gjâ pa sharë,
Do n’a quajn çilimí,
Po, si do që t’a pleqnojnë,
E ta marrin për gabim,
Nuk prish gjâ, psé na qertojnë,
Mjaft t’harrijm’ atë qëllim,
Se, nga fjala, njeri s’lot,
Do t’i dalim çashtjes zot!
Kjo e drejtë nuk mohohet,
Zot’i Math âshtë me né,
Se Shqiptari nuk turpnohet,
Kur lufton për Atdhé !
Këto troje, që të parët
N’a i lan trashëgim,
S’i lëshojmë né Shqiptarët,
Do t’i mbrojmë me kuxim.
Lé t’a marrë vesh gjith’bota,
Që kto fjalë s’jan’ të kota,
Le të dalë tym e flakë,
Tue luftu’ me Turkoshakë,
Pllambë toke nuk cedojmë
Fyt për fyt pa u kap’ me ‘ta,
Me gjak t’onë do dëshmojmë,
Lé të shuhen burra e gra,
Qjell e Dhé të bâhet një,
Djellë mos flakronjë mê,
Shkrump e hî, gjithçka u shkreptë,
Do luftojmë, gur mos mbettë !
Kshtu vikati Panariti,
Shokët gjith’ e vunë ré,
Jataganin fora e qiti
Dhe u turr me bataré !
……………………….
Mbi një kullë, si kalâ,
Qëndron Qamil Panariti,
Shokët gjithë pas i ka,
Por mungon veç Bajaziti!
…………………………………..
Panariti po bërtet;
– Shokë, bâju gajirét!
Mos ju trembin pushka e topa,
Lé t’n’a grijnë copa-copa,
S’jemi berra, bagtí, lopa
Lé t’a marrë vesh Europa,
Lé t’a marrë vesh gjith’ bota,
Se sa kthehet rrotull rrota,
Atdheu ka shpresa të plota
Dhe kto brihje s’jan’të kota,
Do luftojmë gjer më një,
Jetën s’e kemi për gjë!
Bini ujkut e çakallit,
Bini në lulen e ballit,
As një plumb kot mos ju vejë,
Zotsí gjithkush të dëftejë!
Një kolas (turk) doll’ prej rendi,
Mjaft i shtatshëm e dají,
Që kur fliste dridhej vendi,
Ishte trim e fedají,
Ky thret Qamil kapitanë,
Me një buj’ e një furrí,
E kndjell, i tregon mejdanë,
Dhe i flet me pezm’ e mrí:
– Del, bré ti, që trim më hiqesh,
Q’e rrit vedin si fatos,
Del me mua të përpiqesh,
Del me mua u fjalos.
Del të matemi si trima,
Në t’a mban e në jé burrë,
E mos fshihu nëpër vrima,
Nër mazgâj e nëpër gurë!
Në jéti një zok Shqiptari,
Dua bojin të t’a shoh,
Të shoh sa të ngreh kandari,
Trimërinë të t’a njoh!
Po më duket se ké frikë,
E po fshihesh si një grua,
Ti përsipër s’ké gjak pikë,
S’barasohesh dot me mua
Jam i zot’ i jataganit,
Në jé burrë del te fusha,
Të njohsh trimat e Sulltanit,
Që të ndajn’ kryet nga gusha!
Panariti e dëgjoj,
Vrik përjashta pritës dolli,
Me sŷ t’egër e vështroj,
Dhe kollazit kshtu i foli:
– Mâ nga-dal, zogu i Çagatës,
Bir i Ferrit, bir i Natës,
More shumë të përpjeta,
Duket se t’u rëndka jeta!
Ti s’ké parë zok Shqiptari,
Klysh dragoj e bir lufttari,
Nuk ké njoft’ teh kordhëtari,
Që të krastit por si bari,
Por tani prit se do shohsh,
Bâne që taní duvânë,
Pa t’a hequn jataganë,
Se pastaj nuk do t’harrish,
Edhé tash…kordhën e çvish!
Pallat ç’vishen me një herë,
Si dy shproha në shkëterrë,
Njani tjetrin e avitin,
Ngulin sŷt’ e mâ s’i shqitin,
Që të dy msyjn’ e lëshohen,
Jataganat kryqëzohen,
Shkrepin n’erë e vrengllijnë,
Shndritin, llampsin e vettijnë,
Shkëndí iskra po flakrojnë,
Zjar e flagë po lëshojnë!
Më së fundi Panariti
Mblodhi vehten dhe e priti,
Vrink shunglloj një zâ në erë,
E shkurtoj me një të prerë,
Edhé kryet e kollazit
Rrukullisen përtej jazit,
Përtej vinit ra e shkreta,
Kshtu i mbaroj të ngratit jeta!
Nga tradhëtia ranë !
Mjerisht k’ta kapitanë,
Që të dy mâ von u vranë,
Bellkameni ra mâ parë
Si dëshmor nga Negovani,
Dhe Qamili mbet i vrarë,
Kot më kot prej një dushmani!
Dhe Themistoklin’ e mjerë,
Atë trim me atë vlerë,
Mû në Selanik e vranë,
Tradhësisht Francezt’ i ranë!
Marrë me shkurtime, shkruar në vitin 1913. Hilë Mosi (1883-1933) ka qenë katër herë, me ndërprerje, Prefekt i Korçës, në vitet 1921-1930.